Opinion

Strategjia e ikjes e dajës Skënder

FADIL LEPAJA

fadil_lepajaSot do të shkruaj paksa përçart. E kam nga hemorragjia. Po rrjedh populli damarëve të kontinentit dhe po grumbullohet në turma të vogla me bagazhe nëpër duar, duke u zhagitur kufijve që na i kanë vënë. Vetëm për ne! Pastaj fillon gjahu. Sa kosovarë i kape ti, sa i kapi ai polici tjetër kufitar? Këtë “lojë” luajnë policët serbë, hungarezë, gjermanë rreth “barkut të butë të Europës”. Sa kosovarë i ke kapur sonte në kufi? Ai polic kufiri që ka kapur më shumë ilegalë, ai e ka pijen gratis nga kolegët. Pastaj, ata pyeten në mes vete hutueshëm: përse po ikin këta njerëz nga vendi i tyre? Por nuk arrijnë të kuptojnë. E fituan lirinë. Votuan. Gota e përcjell gotën dhe krejt llafi kthehet në një debat metaforik për globalizmin, lirinë e lëvizjes dhe kombet që luftuan për lirinë e vet. Ku po shkoni, e pyet polici i dehur serb, një të ikur, dhe pastaj nuk i durohet pa u thënë të tjerëve në grumbull, që të kthehen në shtetin për të cilin kishin luftuar. Nuk na donit ne, përse vini tash këndej?

Edhe ministri serb i policisë e shijon cinizmin e vet. Deklaron se kosovarët po na e njohin shtetin dhe po kërkojnë pasaportat serbe. Por, ata nuk ndalen në Serbi. I njohin veç autostradat dhe kufijtë, ministër!

E ne që mbetëm pa dalë, na ka kapë zjarrmia. Kështu e ka anemia. Pra, mos ma zini për të madhe po fola jerm! Nëse sonte, në këtë shkrim, ngatërrohen legjenda, reklama dhe realiteti, mos u hutoni! Krejt kjo jemi ne. Të kapur përdore në karantinën e quajtur Kosovë, aty ku Europa po na ndihmon me e ndërtue modelin. Na e fshinë softuerin e moçëm, qe i riu … me virus! Në sytë e të ikurve shihet dëshpërimi, sikur një njoftim “Virus alert”. Dëshpërimi është shndërruar në karburant të ikjes. Ikjes nga liria, si do të thoshte dikush, emri i të cilit nuk e di përse sonte s’po më thotë asgjë.

Në formë alarmi, u përhap fjala, nëpër rrjetet sociale, se po i kthejnë të gjithë. Krejt! Të madh e të vogël! Pavarësisht sa hoqën për me dalë. Eh, kjo ëndrra shqiptare për me dalë! Ëndrra që fundosi anijet në Otranto. Ëndrra që fundosi barkat në ujërat e ftohta të lumit Sava …

Në kujtesë reklamat bëjnë kërdi. U përhap fjala se ai u kthye. Po thonë se Sabiti u kthye. E pyetën, ashtu si e do rendi: A u ktheve a? Ai u tha se nuk është kthyer, por se ka ardhë me i marrë të gjithë me vete. Krejt po dalim. I madh e i vogël. Kështu, tha Sabiti. Krejt pa pare ish. Loçkë! Dorën në xhep nuk më kanë lanë me e shti. Tingëllon si përrallë. Si legjendë e ikjes madje. Pastaj edhe aktori, të cilin nga serialet e njohim si daja Skënder, me një setër hedhur krahëve shpreh magjishëm, realisht fodullëkun e një klase pushtetarësh primitivë e të uritur, një qeverisjeje që promovonte idenë e përfitimit, në çfarëdo mënyre, idenë e ikjes diku tjetër pavarësisht se ku. E vranë idenë e shtëpisë, pushtetarët. Më mirë nëpër kontejnerë, sesa me e punue tokën! Tri herë në ditë po japin bukë me pashteta.

Pra, qeveria e kishte strategjinë e ikjes gati. Apo ishin naivë dhe nuk e dinin se sloganet marrin kuptimin tjetër, porsa shlyhet ngjyra e parë?! Me dalë, veç me ikë, se diku tjetër është gjithqysh më mirë.

“O burra, a muert vesh a jo? Sabiti, ish dalë. Edhe familja e doktorit. Edhe Xhambazët. Edhe dhurata u kanë dhënë kur kanë shkue atje. Po, po, Mihria e kish marrë burrin e fëmijët dhe komplet kishin dalë.

Paskan pshtu, edhe ashtu nuk u patën ba rahat kurrë! Po, po krejt kanë me dalë!” Ky është teksti i plotë i një reklame të para do vitesh. Nuk e kuptuam atëherë.

As kam shtuar as kam hequr ndonjë fjalë. Këtu, nga kjo reklamë nuk marrim vesh asgjë se a ka mbërri në Hungari edhe Kosovarja, vajza që u lind pikërisht në ditën kur për të satën herë e shpallëm pavarësinë me zërin tonë patetik.

Por e keni kuptuar gabim, tërë këtë zinxhir sloganesh, edhe ju bashkë me mua. Kthehuni o njerëz se krejt ka qenë veç një hajgare e madhe me ju! Ka qenë një reklamë. S’ka dhurata. Veç 100 SMS falas. Edhe pashteta.

Jo, jo! Mos mendoni se ky është zinxhiri i thashethemeve, i cili e ka nxitë emigrimin e fundit masiv të kosovarëve drejt vendeve të Europës! Edhe pse dikush me prirje që prapa çdo gjëje me pa konspiracion, krejt këtë edhe mundet me e pa si një strategji të krijimit të psikozës së ikjes nga vendi, megjithatë krejt kjo është veç një reklamë agresive e një operatori ekonomik, i cili po godiste pasurinë publike për interesa të xhepave privatë. Apo grupeve. Grupet nuk patën asgjë. Pastaj, morën gjithçka. Krejt kjo u bë model i suksesit. Filloi gara dhe zhurma e madhe kush po ikë prej fukarallëkut sa më shpejt. Pulsi i kombit po rrihte si i çmendur. Pasion, dëshirë … Populli u shtri në kokërr të shpinës dhe po priste t’ia sillnin parajsën. Askush nuk po i thoshte popullit se parajsën e krijoni me duart tuaja. Me punë!

Kështu damarët shpërthyen dhe populli rrodhi autostradave me bohçe në krahë.

E një video amatore, me temën e kurbetit, po qarkullon nëpër rrjetet sociale. Një i ri nga Kosova, i shtrirë në kokërr të shpinës, me duart nën kokë, po e vajtonte fatin e tij të zi, fatin prej kurbetqari.

Ai po këndonte një nga ato këngët e vjetra popullore, të cilat rapsodët i këndojnë sikur e nxjerrin zërin prej thellësive të shpirtit. Këndej këndonte për plagën e kurbetit e andej ëndërronte t’i jepej lejeqëndrimi. Plagë e rëndë ishte dikur kurbeti. Iknin burrat e nuk ktheheshin. Mbesnin gratë të veja për së gjalli, e nënat pa djem. Kënga është vaji i burrave, kanë thënë, por sot është holluar shumë edhe dallimi në mes gjinive, duke u kufizuar kryesisht në gjenitale dhe disa karakteristika të tjera fizike. Dikur vajtonim se në Europë po na ikën truri. Tash po ikën edhe trupi i kombit.

A mbet kush, po pyetemi në mëngjes. Pak na ra zjarrmia. Policia e ka mbyllë kufirin. Europa po na e demonstron modelin e lëvizjes së lirë. Sa me e pa si duket. Dorën në zemër, Kosova e lirë nuk është një model ferri! Eksperiment social. Jemi veç në karantinë. Në njëfarë mënyre jemi në purgator. As andej e as këndej.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button