Opinion

Kavalier Berluskoni i shqiptarizuar

Natyrisht jo vetëm në Shqipëri,as vetëm në Ballkan, as vetëm në Bjellorusi, ku Lukashenko e ka siguruar tashmë me “vota demokratike” sundimin 35-vjeçar, por edhe në Azinë e largët ku sistemet njëngjyrëshe u zëvendësuan me sistemin shumëngjyrësh, po del se shembulli i Berluskonit është më i lakmuari, më ndjellësi, më i ndjekuri nga krerët e lartë të politikës pasdiktatoriale. (Dokumentet sekrete të publikuara nga ‘Wikileaks’ e dëshmojnë këtë dukuri, ku jo vetëm Njëshi, por edhe bijtë e bijat e krerëve janë bërë zotër realë të pasurive të vendit!). Thuajse në të gjithë vendet e Lindjes krerët e rinj demokratë apo socialistë që, si gurë dominoje zëvendësuan krerët komunistë, befas u gdhinë të kamur, pasunarë, oligarkë; nga inferiorë u bënë superiorë; nga provincialë u transformuan në euro-amerikanë; nga ish komunistë të thekur në antikomunistë të kërleshur; nga ish anonimë në persona që nuk i përkasin më vetes, por historisë…Nëse Berluskoni erdhi në politikë pasi u bë i pasur, duke qenë bos i mediave, krerët lindorë u bënë të pasur dhe zotërues të mediave pasi u morën me politikë. Ky ndryshim gjithsesi nuk është thelbësor për sa i përket cilësisë së drejtimit, mënyrës së sundimit, pasurimit, narcisizmit, autoritarizmit, abuzimit me pushtetin dhe sidomos me pushtetet e tjerë të ashtuquajtur të pavarur. Berluskonizimi i nakatosur me katundarizëm është monstra më ndjellakeqe e politikës, e kësaj demokracie që funksionon sipas parimit: pa pasuri jo vetëm që nuk të hapet dera e pushtetit, por nuk mbetesh dot gjatë në politikë, për të mos thënë që cilësohesh i dështuar, i rrezikuar. Politika që nuk të bën të pasur është një hiç! Këtë e kanë kuptuar të gjithë krerët. Vetëm kjo shtysë e bën politikën mbipasion.

Për hir të së vërtetës, duhet pranuar se në procesin historik që gjithandej quhet tranzicion, krerët lindorë janë treguar ku e ku më të babëzitur, më kurajozë, më “reformatorë”, më “të aftë”, më të pacipë dhe më “largpamës” edhe se “babai” i tyre shpirtëror, Berluskoni. Shumë syresh, përgjatë disa vjetëve në krye të qeverive, pa asnjë veprimtari biznesi apo mediatike, pa pasur asnjë përvojë në politikë, pa trashëguar asnjë pasuri familjare, kanë mundur të vënë shpejt e shpejt pasuri të tundshme e të patundshme më të mëdha se ato të manjatit. Mbi krerët e rinj lindorë ra barra e rëndë e privatizimeve, barrë që doli se ishte porta e Suzamit për çdo Ali Baba me dyzet hajdutë…Një nga këta është padyshim Putini, mik i Berluskonit, për të vazhduar me kryeministrin e dorëhequr malazez Gjukanoviç etj, etj, për të mos përmendur këta tanët, në të dy anët e kufirit, që e kanë dëshmuar adhurimin pa kushte ndaj Berluskonit edhe kur ky, në konferencë shtypi, nuk ka pasur drojë t’u kërkojë idhtarëve të vet jo vetëm favore, koncesione, varreza plehrash, etj, por edhe femra shqiptare për oborrin e tij sulltanor.
Megjithatë duhet pranuar: të gjithë këta pinjollë politikë, edhe pse kanë dalë nga pantallonat e Berluskonit, e kanë lënë prapa shefin karizmatik italian, pasi përvetësuan prej tij sekretin e funksionimit të një demokracie të mirëfilltë mafioze: luftën ndaj institucioneve, ndaj Drejtësisë, ndaj opozitës, ndaj mediave kundër, shitblerjen e deputetëve…Themeli i berluskonizmës është aksioma: vetëm po të jesh shumë i pasur, do të ndjehesh nesër, bashkë me Familjen, i paprekshëm, i parrezikuar, i sigurt, më i përjetshëm edhe se një familje mbretërore. Prandaj ëndrra e berluskonëve lindorë është krijimi i dinastive familjare, i latifondistëve, i familjeve të mëdha, i kapitalit të pamat e për këtë lipset një pasurim sa më i shpejtë, si mënyra e vetme që jep garanci vetëmbrojtjeje dhe jetëgjatësie. Në një shoqëri ku ligjin e bën Maliqi, politikë e mençur quhet vetëm ajo që e lejon të fortin të mos ketë frikë nga vjedhja; sot burrë i zoti quhet ai që bën kërdi mbi privatizimet, tenderat, licencat, pronat publike, punësimet, ujërat, mineralet, pyjet, rrugët, rrogat, gradat, pagat etj, deri edhe te impiantet e plehrave të botës.
Berisha nuk e ka seriozisht kur deklaron se do të rrijë edhe 35 vjet në pushtet, por ai kërkon të dekurajojë opozitën, kundërshtarët, organet e Drejtësisë; në fund të fundit ai nuk ka nevojë për më shumë pasuri; por aktualisht vuan frikëpanikun se mos lërë Familjen rrugëve, pa mbrojtje, pa siguri, pa imunitet. Ky nuk është një hall i vogël!..Ky është një hall i tillë që të bën t’i vësh zjarrin gjithë vendit; e këtë ai e ka provuar njëherë…Në ndryshim nga diktatorët që kujtojnë e besojnë se e kanë të siguruar pavdekësinë, berluskonçinat lindorë “punojnë” dhe bëjnë të pamundurën e të pabërën për të siguruar trashëgiminë e Familjes; ata e kanë kuptuar se monumenti më i parrëzueshëm dhe më i sigurt nuk janë statujat, po paraja, pasuria, pronat. Sidomos në një vend si ky yni që i ka aq shumë për zemër shembjet e statujave, frika e statujave të tërhequra zvarrë është ende e gjallë. Ja përse bejlurçinat e kanë kuptuar se nuk mjafton demagogjia (se, sa për demagog, a nuk ishte kryemjeshtër Enveri?), por ja që në demokraci duhen para, shumë pasuri që të blihet pushteti, votat, zgjedhjet, mediat, sondazhet, gjykatat, burgu, e shkuara, liria, historia, lavdia, e sidomos e nesërmja…Me para mund të lahen edhe duart, edhe emri nga krimet…Pikërisht prej këtij modeli shumë “biznesmenë” nxituan të blejnë mandatin e deputetit…Në fakt ata blenë me para jo vetëm nderin e të qënit deputet, po edhe imunitetin, d.m.th, paprekshmërinë, njëlloj si shefat e tyre. Qarku kësisoj është i mbyllur. Nëse kundër Berluskonit doli Fini, këtu nuk del dot, hë për hë, askush kundër Berishës, pasi në varkë janë të gjithë të rrezikuar: miq e armiq, pushtetarë e opozitarë. Jo, nuk është e vështirë të ndreqet Drejtësia, por këtë reformë nuk e do askush!

Nëse në Itali ka gjykatës e prokurorë që guxojnë të thërresin Berluskonin të dëshmojë në gjyq për afera korruptive, aq sa ky u detyrua, më në fund, me fuqinë e kartonave të nxjerrë një ligj që të ndalonte thirrjen e tij të pandehur, këlyshët e Berluskonit në Lindje nuk kanë nevojë për një ligj të ngjashëm, pasi nuk ka gjykatës a prokuror që guxon të shfaqë ndaj tyre jo akuzë, por as dyshimin më të vogël edhe kur flitet për hedhje në erë të fshatrave, edhe kur vriten dhjetëra njerëz, edhe kur shkaktohen përmbytje masive të njëpasnjëshme, madje edhe kur bëhen rrush e kumbulla qindra milion euro nga rruga e kombit…Cili gjykatës a prokuror shqiptar do të mund të guxojë zhdëmtimin e disa milionë eurove që u shndërruan në mbetje urbane nga Zogu i Zi? Askush! Prandaj Berluskonët e Lindjes janë më të imunizuar e më të gjithëpushtetshëm se Berluskoni i Italisë.
Ngjarjet e ditëve të fundit, kur ish kryeministri kroat Sanader dhe ish kryeministrja ukrainase Timoshenko u thirrën të pandehur, e ka lëkundur disi këtë “besim”, por ndërkohë kjo “frikë” e së ardhmes e ka forcuar edhe më tepër bindjen se, nëse Drejtësinë mund ta sundosh e shtypësh lehtë sa je një Berluskon me pushtet, kur bie nga fiku, pra kur e humbet pushtetin politik, do të jetë pasuria, dmth paraja, ajo fuqi që mund të të sigurojë e të të japë imunitet të pakufizuar. Por hë për hë, së paku edhe për një dhjetëvjeçar, zor se mund të gjendet një gjykatës a prokuror në mbarë Lindjen, e sidomos në Shqipëri, që të mund t’i bishtojë me ndershmëri profesionale tundimit të parave të thata apo të lagura, nën apo mbi dorë, aq më pak trysnisë së frikshme e të stërpërdorur: “akuza është e motivuar politikisht”…Tani duket më se normale që gjykatësit të shitblihen njëlloj si gardianët, komisionerët, mjekët, mësuesit, mercenarët, komisarët e policive…Aq shumë e kanë shkërbërë Drejtësinë edhe Berluskonët e Lindjes, aq tepër e kanë denatyruar moralin e shoqërisë, sa askush, në qendër e në periferi, nuk quhet as i pastër dhe as i ndershëm, as i drejtë dhe as idealist nëse nuk është bërë i pasur nëpërmjet kurvërimit politik. Edhe në një të ardhme të afërt zor se mund të mbijë qoftë edhe një gjykatës a prokuror me integritet, jo vetëm për shkak të fuqisë së emërim-shkarkimit që e mbajnë në duar krerët lindorë, por as se sistemi i Drejtësisë dhe morali shoqëror qëllimisht janë përçudnuar prej tyre bash për këto qëllime: për të siguruar paprekshmëri absolute; duke qënë të gjithë të ndotur, njëlloj si në një WC kazerme, era e ndotur nuk të bën përshtypje…
Afërmendsh, nuk mund të përfytyrohet që Berluskoni të dalë një ditë në ekrane e të shpallë se ka vendosur të rrijë në pushtet edhe 35 vjet të tjera. Në ndryshim nga Berluskoni, krerët e Lindjes nuk kanë frikë nga populli i tyre, as nga opozita, por nga ndërkombëtarët. Kurse Berluskoni bën të kundërtën: sfidon edhe Obamën, edhe Merkelin, për t’i treguar popullit të vet, pse jo edhe botës, se ai nuk është një dosido, por një udhëheqës me peshë botërore. E pra, Berluskoni nuk guxon të tallet hapur me popullin e vet…Kurse krerëve lindorë pushteti u shijon kur tallen me popullin, kur e sfidojnë atë, kur thonë: “kjo është Shqipëria, kaq kulturë demokratike ka ky popull, ndaj nuk e meriton demokracinë e vërtetë, sepse edhe kaq, tepër e ka!”… Berluskonët katundarë të Lindjes janë puthadorë të shpifur edhe me komisionerët e dorës së fundit që vijnë nga Brukseli apo Washingtoni, ndërsa ndaj popullit të vet ata janë arrogantë, gënjeshtarë, demagogë, hajdutë, mashtrues të paturpshëm…Shikoni si u tall Lukashenko këto ditë: jo vetëm zgjedhja e tij me mbi 80% të votave, por deklaratat e tij nuk ishin kërcënim, poshtërim, tallje për opozitën, por për popullin e vet! E pra, nuk ka situatë më të pështirë se kur krerët, pasi e zhveshin vendin, pasi e shkelin votuesin, pasi e vjedhin popullin, fillojnë dhe të na tallin publikisht! Modeli “Berluskoni” i projektuar në Lindje e posaçërisht në Shqipëri ka provuar gjithandej që “nuk di të qeverisë, dhe as nuk i intereson ta bëjë këtë..Di vetëm të komandojë dhe kjo nuk është pak…”, si shkruan këto ditë “La Republika”…Duke kaluar “nga kriza në krizë, nga emergjenca në emergjencë, kapaciteti i reagimit dhe i rimëkëmbjes së Berluskonit është konsumuar…Sot shfaqet i ezauruar…Por problem është se për ta luftuar atë nuk mjaftojnë taktikat e thjeshta dhe as ato elektorale”…
Ja pra përse tallja tanimë ka kaluar në cinizëm!

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button