Bota

Takimi i nivelit të lartë kundër ekstremizmit, Obama: Jemi në luftë me ata që përdhosin Islamin

“Jemi në luftë me ata që e keqpërdorin Islamin, jo me fenë vetë”. Ajo çfarë Barack Obama deklaroi përpara përfaqësuesve të 60 shteteve pjesëmarrëse në eventin treditor kundër ekstremizmit, që pason sulmet në Danimarkë e Francë, ishte ajo çfarë shumë myslimanë të thjeshtë donin të dëgjonin.
Barack ObamaBota, tha shefi i Shtëpisë së Bardhë, duhet të përballet me ideologjitë që radikalizojnë njerëzit. Drejtuesit e grupeve të tilla militante, si ISIS dhe Al Kaeda, shtoi ai, nuk janë liderë fetarë por terroristë.

“Të lidhësh Shtetin Islamik dhe Al Kaedën me Islamin do të thotë të marrësh për të mirëqenë propagandën që bëjnë këto grupe. Në të gjithë globin ka myslimanë që nuk i mbështesin domosdoshmërisht taktikat e dhunshme të ISIS, por që blejnë nga ana tjetër nocionin e shitur prej tyre se Islami është “ndotur” nga vlerat europiane. Kjo i bën individët më të prirur drejt radikalizimit. Liderëve myslimanë u takon të bëjnë më shumë për ta diskretituar idenë se kombet tona janë të vendosura ta ndrydhin Islamin”, deklaroi Obama.

Samiti, ku marrin pjesë edhe ministrat e Brendshëm të Shqipërisë dhe Kosovës, Saimir Tahiri dhe Skënder Hyseni, vjen në një kohë tensionesh të larta në të dyja anët e Atlantikut.

Kanadaja përballet me shtim të kërcënimit nga radikalët islamikë, me dy ushtarë të vrarë nga sulmet e një personi të vetëm në muajin tetor dhe Europa që mbetet në gatishmëri të lartë pas masakrës në redaksinë e “Charlie Hebdo” në Paris, e së fundmi edhe vrasjet e kësaj fundjave në Kopenhagen.

Ideja e një konference të tillë erdhi pikërisht pas sulmeve në Kanada e Australi dhe u njoftua menjëherë pas episodeve të dhunës në Francë. Në sfondin e këtyre zhvillimeve, Shtëpia e Bardhë është kritikuar ashpër për faktin se refuzoi ta lidhte ekstremizmin e dhunshëm me fenë islame.

Por Obama zgjodhi të mos lëkundej nga qëndrimi i tij me argumentin e fortë se mohimi i legjitimimit fetar të terroristëve është pjesë e rëndësishme e përpjekjeve për të frenuar radikalizimin e rekrutëve potencialë.

Parandalimi është fokusi i kësaj konference. Por kritikët mendojnë se tema e saj mund të jetë tepër e gjerë për të rezultuar në ndonjë aksion kuptimplotë.

Zyrtarët e administratës amerikane flasin për një plan-veprimi të cilin edhe ata vetë e përshkruajnë shumë vagët, më tepër si “katalizator” për reagim, sesa si rezultat konkret.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button