Bota

Marrëveshja për kontrollin e armatimit bërthamor

Liderët botërorë kanë mirëpritur ratifikimin nga Senati amerikan të traktatit për kontrollin e armatimit bërthamor mes SHBA-ve dhe Rusisë. 

Pas disa muajsh të debateve të nxehta dhe negociatave prapa dyerve të mbyllura, të mërkurën, Senati ratifikoi traktatin e ri me Rusinë, START, duke i dhënë kështu një fitore të madhe në politikën e jashtme presidentit Obama dhe një shtytje domethënëse relacioneve SHBA-Rusi. 

Senatorët votuan 71:26 në favor të marrëveshjes, e cila kërkon nga SHBA-të dhe Rusia që t’i reduktojnë stoqet e tyre të kokave bërthamore në 1550 – një reduktim i pothuaj një të tretës së arsenalit të tyre – brenda shtatë vjetësh. Traktati po ashtu vë kufizime të reja mbi sistemet e raketave balistike dhe shoqërohet me një regjim verifikimi. 

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fog Rasmusen, vlerësoi se ratifikimi i paktit nga ana e SHBA-ve është “kontribut i rëndësishëm për sigurinë euro-atlantike”, ndërsa sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban ki-Mun, tha se votimi përçon një “mesazh të qartë” në mbështetje të çarmatimit dhe mospërhapjes së armëve bërthamore.

Japonia, vendi i vetëm në botë, i cili u godit nga bomba atomike në fund të Luftës së Dytë Botërore, tha se lëvizja “shënon përparim” në përpjekjet e çarmatimit të Uashingtonit dhe Moskës. 

Presidenti Barak Obama tha në një konferencë për gazetarë se është i kënaqur që Senati e kaloi atë që e quajti “prioritetin kryesor të sigurisë për këtë sesion të Kongresit”. 

“Kjo është marrëveshja më domethënëse e kontrollit të armëve në pothuaj dy dekadat e fundit dhe do të na bëjë më të sigurt dhe do të reduktojë arsenalin tonë bërthamor, së bashku me Rusinë. Me këtë traktat, inspektorët tanë do të kthehen në bazat bërthamore ruse. Pra, ne do të mund, jo vetëm të besojmë, por edhe të verifikojmë”, tha presidenti amerikan, Barak Obama, pas votimit. 

Demokrati Xhon Keri, kryesues i Komitetit për Relacione me Jashtë i Senatit dhe një nga ithtarët më të zëshëm të traktatit, u tha ligjvënësve pak para votimit se vendimi i tyre do të ketë implikime globale. 

“Pavarësisht se çfarë qëndrimi kemi ndaj traktatit START, kjo është nga ato momentet e rralla në Senatin amerikan – hera e vetme gjatë shërbimit tonë këtu – kur është në fuqinë tonë që të sigurojmë ose rrezikojmë jetën e njeriut në këtë planet”, theksoi Keri. 

Vota e Senatit është mirëpritur në Moskë. Duma ruse ka bërë të ditur se do ta studiojë marrëveshjen, para ratifikimit edhe nga ana e saj. 

“Ne kemi informacione se ratifikimi i rezolutës nga SHBA-të përmban një numër kushtesh. Ne nuk e kemi tekstin zyrtar në gjuhën ruse. Ai ende nuk është publikuar as në SHBA. Shpresojmë se do ta marrim dokumentin brenda disa orësh dhe pastaj do të vendosim nëse do ta miratojmë këtë traktat“, tha kreu i Dumës ruse, Boris Grizlov.
Më 20 dhjetor, demokratët mposhtën tri amendamente të republikanëve, për të cilat thanë se do ta vrisnin traktatin, meqë kërkonin negociata shtesë me Moskën. 

Por, para votimit, demokratët u pajtuan që të pranojnë dy versione të amendamenteve të republikanëve – njëri për përkushtimin amerikan për sistemin e mburojës amerikane dhe tjetri për modernizimin e armatimit. Asnjëri thuhet se nuk ndikon në gjuhën e traktatit. 

Sidoqoftë, ministri rus, Sergei Lavrov, tha se përpilimi i rezolutës ruse do varet nga përmbajtja e asaj amerikane. 

“Është e kuptueshme se fjalët që do t’i zgjedhin ligjvënësit tanë për ligjin rus, do të varen nga përmbajtja specifike e rezolutës së Senatit për ratifikimin e traktatit“
, tha Lavrov.

Obama dhe presidenti rus, Dimitri Medvedev, nënshkruan në muajin prill në Pragë marrëveshjen, e cila zëvendëson atë të vitit 1991, që skadoi në dhjetor të 2009-ës. 

Inspektorët bërthamorë amerikanë dhe ata rusë nuk kanë vizituar reaktorët e njëri-tjetrit për më shumë se një vit – një situatë që zyrtarët në Uashington e kanë cilësuar si të rrezikshme për sigurinë kombëtare. 

Ndasia politike partiake e Uashingtonit nënkuptonte se sfidat e sjella nga ligjvënësit republikanë në muajt pas nënshkrimit, do ta kthenin procesin e ratifikimit në një luftë të hidhur. 

Senatorët republikanë argumentonin se, për shkak se traktati njeh një raport reciprok në mes të sistemeve sulmuese dhe mbrojtëse, mund t’i kufizojë planet amerikane për ndërtimin e mburojës raketore, të cilën Rusia e sheh me skepticizëm. 

Disa republikanë po ashtu shfaqën shqetësimin se traktati tërheq vëmendjen nga ajo që ata thanë se është domosdoshmëri – modernizimi i arsenalit bërthamor përballë kërcënimeve që vijnë nga Irani dhe Koreja Veriore.

Administrata e Obamës, me muaj të tërë, është ballafaquar me njërin nga liderët republikanë, senatorin Xhon Kajl; madje, ka dërguar një ekip në zyrën e tij në shtetin e Arizonës për ta bindur që të heqë dorë nga kundërshtimet. 

Shtëpia e Bardhë po ashtu ndau 85 miliardë dollarë tjerë për modernizmin e komplekseve bërthamore të shtetit. 

Shtytja për ratifikim përfshin edhe editoriale të shumta të gazetave, fjalime dhe letra jo vetëm nga Obama, nënpresidenti Xho Bajden e sekretarja e shtetit, Hillari Klinton, por edhe nga liderë ushtarakë, ish-presidentë, ish-sekretarë shtetesh e të mbrojtjes, si nga Partia Demokratike, ashtu edhe nga ajo Republikane. Trembëdhjetë republikanë kanë votuar pro traktatit.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button