Kosova

Çështja e të pagjeturve, familjarët të dëshpëruar

Fati i mbi 1800 personave të pagjetur, shumica e tyre shqiptarë, vazhdon të jetë i paqartë edhe 11 vjet pas luftës në Kosovë. Komisioni Qeveritar për Persona të Pagjetur vlerëson se procesi për zbardhjen e fatit të të zhdukurve, gjatë vitit 2010 nuk kishte dinamikën çfarë do të duhej ta kishte. Ndërkohë Serbia, në mungesë të presionit të bashkësisë ndërkombëtare, vazhdon të zvarrisë dhënien e informatave për varrezat tjera masive me trupa të shqiptarëve.

Prenk Gjetaj, kryetar i Komisionit Qeveritar për Persona të Pagjetur, ka thënë se kjo çështje vazhdon të jetë një brengë, si për familjarët, ashtu edhe për institucionet e Kosovës. Ai ka thënë se gjatë këtij viti janë zhvilluar aktivitete në disa drejtime. “Fillimisht ka qenë çështja e zgjidhjes së problemit të mbetjeve mortore, që në të vërtetë ka shënuar një përparim të vogël me identifikime të reja. Pastaj, si angazhim dhe aktivitete kanë qenë hulumtimet dhe gjetjet”, ka thënë Gjetaj për Radion Evropa e Lirë.

Organizatat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe asociacionet e familjarëve të të zhdukurve kritikojnë institucionet se nuk po ndërmarrin hapa konkretë drejt zbardhjes së fatit të mbi 1800 personave të pagjetur. Përfaqësuesi i asociacionit të familjarëve për persona të zhdukur, Haki Kasumi, ka thënë se plani i veprimit, i miratuar në fillim të këtij viti, nuk është zbatuar.

Lidhur me kritikat e familjarëve, Gjetaj ka thënë se ata kanë të drejtë të dinë për fatin e më të dashurve të tyre, porse kjo çështje, sipas tij, është e komplikuar. Ai ka thënë se do të thellohet edhe më shumë bashkëpunimi me EULEX-in, në mënyrë që të përshpejtohet identifikimi i mbi 400 mbetjeve mortore në morgun e Prishtinës dhe të shtohet presioni ndaj Serbisë për dhënin e informatave të tjera për të zhdukurit gjatë luftës në Kosovë.

Në Kosovë aktualisht konsiderohen edhe 1823 persona të zhdukur. Kjo duhet të jetë një nga temat e bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë, që pritet të fillojnë në muajin shkurt. Beogradi zyrtar vazhdon të zvarrisë hetimet për varrezat tjera masive me trupa të shqiptarëve të vrarë gjatë luftës në Kosovë, trupat e të cilëve ushtria dhe policia serbe i kishte transportuar dhe varrosur në Serbi me qëllim të humbjes së gjurmëve të krimit. Ndërkohë, këto 11 vjet, presioni i bashkësisë ndërkombëtare për të zbardhur fatin e të pagjeturve të luftës në Kosovë, shpeshherë ka munguar.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button