Home / Rajoni / Maqedonia / ‘Dirigjenti’ në aksion

‘Dirigjenti’ në aksion

Të mërkurën mbrëma dhe të enjten policia austriake arrestoi 69 persona, për të cilët dyshohet të jenë pjesëtarë të grupit kriminal maqedonas që merrej me trafikimin e narkotikëve. 

Gjatë këtij operacioni masiv të policisë austriake janë kryer me dhjetëra kontrolle dhe bastisje nëpër lokale publike, shtëpi dhe lokacione të tjera të dyshuara. 

Zyra federale për hetimin e krimeve në Vjenë njoftoi të enjten se bëhet fjalë për njërin nga operacionet më të mëdhenj të policisë austriake kundër krimit të organizuar. 

Aksioni ishte i koordinuar me policinë e Maqedonisë, e cila të mërkurën arrestoi 33 persona që ishin pjesëtarë të grupit të njëjtë, e që supozohet të ketë qenë pjesë e rrjetit të shitjes së lëndëve narkotike në Austri dhe në Gjermani. 

Gjatë konferencës me gazetarë, që u mbajt në Shkup, Ministria e Brendshme e Maqedonisë publikoi tërë rrjedhën e operacionit, me emrin e koduar ‘Dirigjenti’, synim i të cilit ishte arrestimi i pjesëtarëve të grupit të njohur ‘Mafia e Frankfurtit’. Sipas ministrisë, arrestimet u bënë përmes aksioneve të realizuara në katër qytete të Maqedonisë. 

Nëpërmjet lidhjeve telefonike nga Shkupi dhe Velesi organizatorët e grupit mafioz e koordinonin shitjen e heroinës në Vjenë dhe Frankfurt, e cila gjë bëhej nëpërmjet personave të paguar nga ta, si dhe përmes ndërmjetësuesve të ndryshëm. Pas shitjes së drogës paratë transferoheshin në Maqedoni, nëpërmjet shërbimeve për transferim parash, Western Union dhe MoneyGram. 

Leave a Reply

Your email address will not be published.