Rajoni

Sanader mohon akuzat per pastrim parash

 

Mohon shpëlarjen e parave

 

Nga Express më 23 dhjetor 2010 në ora 19:10

Ish-kryeministri kroat, Ivo Sanader, që po mbahet nën arrest në burgun e Salzburgut, i refuzoi të enjten akuzat për shpëlarje parash, për çka në prokurorinë austriake e paditi një bankë nga Tiroli. 

“Gjatë marrjes në pyetje (përmes një video-linku) që zgjati afro një orë, Sanader ka dhënë një deklaratë të shkurtër, duke mohuar shpëlarjen e parave, për të cilën akuzohej”, deklaroi zëdhënësi i Prokurorisë Shtetërore në Vjenë, Friedrich Koenig. 

Koenig i tha agjencisë së lajmeve HINA se, për shkak të një përgatitjeje më të mirë të mbrojtjes, Sanader ka kërkuar mbajtjen e një seance të re dëgjimore, e cila pritet të mbahet në janar të vitit 2011. Sipas tij, Sanader konsiderohet i dyshuar, por ai ende nuk ka akuzë të ngritur. 

Hetimin kundër Sanader e ka iniciuar Prokuroria Shtetërore e Austrisë në Insbruck, në bazë të një kallëzimi penal të një banke tirollase për shpëlarje parash. Ky hetim po zhvillohet edhe ndaj një anëtari të familjes së Sanader, identiteti i të cilit nuk u zbulua nga prokuroria. 

Ish-kryeministri kroat përmes një video-linku u mor në pyetje të mërkurën edhe nga anëtarët e Komisionit Hetues të Parlamentit të Klagenfurtit, i cili merret me zbardhjen e aferës së Hypo Bankës. 

Sanader mohoi të ketë qenë i përfshirë në atë aferë, duke nënvizuar se në Kroaci po i shkelen të drejtat e njeriut, dhe se atje është viktimë e një përndjekjeje politike. 

Sanader do të duhej që më 27 dhjetor të deklarohet për atë nëse pajtohet të ekstradohet në Kroaci, e cila e kërkon për shkak të dyshimeve për korrupsion. Sipas paralajmërimeve, atëherë do të sillet vendimi edhe për zgjatjen eventuale të paraburgimit të tij, që ka nisur më 10 dhjetor, kur është arrestuar në autostradën afër Salzburgut, në bazë të një fletarresti ndërkombëtar të shpallur nga Kroacia. 

Sanader në Kroaci ngarkohet për pjesëmarrje në ndërmarrjen e përbashkët me qëllim të kryerjes së veprës penale dhe për keqpërdorim të detyrës dhe të kompetencave zyrtare në kohën sa ishte kryeministër. Ai akuzohet se përmes agjencisë private të marketingut FIMI-Media ka tërhequr para nga firmat shtetërore dhe nga ministritë, si dhe për afarizëm të jashtëligjshëm të Elektro-ekonomisë së Kroacisë me firmën private Dioki. 

Hapja e një hetimi dhe aktakuze eventuale ndaj tij në Austri do ta vështirësonte ekstradimin e Sanader në Kroaci.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button