Home / Arte / Libri / Tufa fitoi çmimin ‘Rexhai Surroi’

Tufa fitoi çmimin ‘Rexhai Surroi’

Për herë të tretë çmimin letrar “Rexhai Surroi” e merr një shkrimtar jashtë kufijve të Kosovës. Laureat i sivjetmë i këtij çmimi është shpallur shkrimtari nga Shqipëria, Agron Tufa, me romanin e tij “Tenxherja”. 

Në një ceremoni të organizuar në hotelin “Grand”, në Prishtinë, duke e shpallur fituesin për shpërblimin për letërsi, që mban emrin e diplomatit, publicistit, gazetarit e shkrimtarit Rexhai Surroi, të themeluar para tre vjetësh nga Grupi KOHA, Eqrem Basha, kryetar i jurisë, në përbërje të së cilës kanë qenë edhe Sabri Hamiti dhe Bardh Rugova, tha se juria ka vendosur që t’i ndajë çmimin letrar “Rexhai Surroi” 2010 shkrimtarit Agron Tufa për romanin “Tenxherja” të botuar nga shtëpia botuese Toena, me këtë arsyetim: “Agron Tufa, poet, prozator, pedagog e studiues i letërsisë, një nga autorët më produktiv dhe më të vlerësuar në dhjetëvjetëshin e fundit, në romanin ‘Tenxherja’ ka ndërtuar një rrëfim rrëqethës për fabrikimin e krimeve dhe fajeve politike në kurrizin e dërrmuar nga varfëria për fshatarët, në kohën e diktaturës më të egër komuniste që ka njohur ky krah i Evropës”. 

Ndërsa, duke folur për romanin e Tufës, Basha tha se “‘Tenxherja’, një erë e skamjes dhe burgut, relikt i ruajtur me fanatizëm për të mos u harruar kurrë etja dhe tortura, e marrë për të shpërblyer në barakat e kampeve të punës që nuk ndryshonin aq nga qelitë e errëta, shndërrohet në argument për të dënuar së koti djalin e një ish të dënuari dhe për të ushtruar mbi popull pushtetin e frikës dhe terrorit ideologjik”. 

Sipas Bashës, në vetëm 180 faqe prozë, Tufa ngre një sagë tronditëse familjare me personazhe të profiluar dhe diferencuar, me fate tragjike të jetuara dhe përjetuara rëndë në lëkurën e secilit prej tyre. 

Basha shtoi se juria është ndeshur me një ofertë nga më të begatat deri më sot, e cila, sipas tij, dëshmon se romani është bërë gjinia letrare më e lëvruar. 

Në anën tjetër, laureati i çmimit, Agron Tufa, e falënderoi jurinë për shtimin e besimit te letërsia që shkruan ai. 

Ai tha se kurrë nuk e ka përfytyruar Kosovën sipas propagandës nacional-komuniste të Enver Hoxhës. 

“Me Kosovën jam rritur nga pikëpamja letrare, duke lexuar autorët e Kosovës aq sa botoheshin, por ishte një letërsi që nuk mbaronte me leximin e parë në sipërfaqe por për ta mbajtur gjithmonë të lidhur me të dhe duke hedhë shtat së bashku me mjeshtrit e poezisë dhe prozës nga Kosova”, tha Tufa. 

Ai shtoi se romani “Tenxherja” është një roman të cilit ai nuk i ikte dot. 

“Zanafilla e tij ka qenë nga një ëndërr, e cila duke m’u shfaqur në disa vite që pas viteve tetëdhjetë dhe sidomos edhe në vende të tjera jashtë Shqipërisë. Për herë të fundit kjo ëndërr më viziton në Hotel Grand me datën 28 qershor të vitit 2009, kur isha në një seminar të punimeve albanologjike në Prishtinë,” tregoi Tufa për zanafillën e romanit të tij. 

Vitin e kaluar laureat i Çmimit për letërsi ka qenë shkrimtari i njohur Ismail Kadare, i cili qe shpërblyer për romanin “Darka e gabuar”, ndërsa për herë të parë këtë shpërblim e mori shkrimtari nga Maqedonia, Kim Mehmeti, me romanin “Vitet e urithit”. 

Edhe çmimi tjetër për gazetari shkoi në të njëjtin vend ku kishte shkuar edhe vitin e kaluar. Ai iu dha gazetarit të ‘Kohës Ditore’ Besnik Krasniqi. Gjatë kësaj ceremonie u shfaq edhe një dokumentar për punën dhe veprimtarinë e gazetarit dhe shkrimtarit të ndjerë, Maksut Shehu. Po ashtu, u promovua edhe libri i Shehut, me titull “Qielli pa pëllumba”, i cili kishte mbetur në dorëshkrim nga i ndjeri, për të cilin foli publicisti Veton Surroi.

Leave a Reply

Your email address will not be published.