Home / Arte / Ekspozita / Teknologjia dhe Media shprehur me art

Teknologjia dhe Media shprehur me art

Komunikimi më nuk ka kufij. Ky fakt dëshmohet në forma të ndryshme të komunikimit ndërnjerëzor, ndoshta duke u varur nga teknologjia media apo edhe informacioni i sjellë në forma të ndryshme. Edhe artistët e thonë këtë në formën e tyre, duke vënë në qendër “teknologjinë dhe mediat” dhe rolin e tyre, pushtetin që ka në shoqërinë tonë. 

Është ekspozita “Net-Rrjet” e titulluar “Teknologjia sociale Media art – Art media = pushtet social” e cila do të qëndrojë e hapur rreth një muaj në Galerinë Expoart.40”, do të prezantojë kështu punën e disa artistëve ndërkombëtar, ku secili me artin e tyre të veçantë, nëpërmjet instalacionit, kanë shprehur ndikimin e informacionit në shoqëri. Njëra nga artistet pjesëmarrëse në ekspozitë, Majlinda Kelmendi, shprehet e kënaqur me projektin, në të cilin u punua për gjashtë muaj rresht, për të arritur këtë realizim të suksesshëm, aq më shumë kur ky projekt është ndërkombëtar dhe ka peripecitë e veta. 

Sipas Kelmendit puna e paraqitur nga artistët pjesëmarrës: Dusan Zidar (Sloveni), Fahredin Spahija (Kosovë), Fitore Isufi/Koja (Kosovë) Gjokë Gojani (Itali), Kristina Bozurska (Maqedoni), Loreta Ismailaj (SHBA), Majlinda Kelmendi (Kosovë), flet për medjat e reja, me video-instalacione, të cilat jo pak kanë zgjuar interesim duke sjellë kështu shumë vizitor, edhe në ditët në vijim, pas hapjes së ekspozitës. 

“Ne jemi lidhur me këtë temë të cilën kuratori e ka ndërtuar, dhe kemi sjellë prurje tona artistike të medjave të reja pikërisht të lidhur secili në versionin e vet në lidhje me këtë temë”, u shpreh Kelmendi. 

Sipas Kelmendit, artistët gjithmonë janë në komunikim me të rejat, me informatën, me kohën që jetojmë dhe atë që ka shkuar. 

“Ne na është dukur si temë mjaft aktuale dhe globale pikërisht, komunikimi, informacioni, medja. Pushteti që ka media në shoqëri, qoftë për mirë qoftë për keq, ndikon shumë në opinion, pra media ka shumë rëndësi”, u shpreh Kelmendi, duke lënë mundësin e të kuptuarit, që ky dhe është mesazhi i ekspozitës. 

Ndërsa koncepti kuratorial, nga kuratori i këtij edicioni, Zeni Ballazhi është: ”Teknologjia Sociale”. 

Ky është edicioni i dytë i ekspozitës “Net-Rrjet” dhe sipas traditës, gjatë kohës sa ekspozita qëndron e hapur, promovohet edhe katalogu i punës së artistëve. Katalogu pritet të dalë pas festave të fundvitit. 

Kelmendi falënderon Pro Helvetian dhe Komunën e Prishtinës, të cilat ishin shumë të gatshme të ndihmojnë në realizimin e edicionin të dytë të ekspozitës. 

Përveç aktiviteteve tjera, Galeria, Expoart.40. ka dy projekte, madhore. E veçanta qëndron tek njëra e cila lidhet me artistët e rinj dhe tjetra me artistët profesionist dhe të dëshmuar. 

“Njëri projekt është në maj, për artistët e rinj, dua t’i kem paralel, koncepti im është në maj bëhet për të rinjtë, të cilët kanë një cv më të varfër, por që janë në rrugë të mirë dhe projekti i fundit është me profesionist, të cilët kanë një cv të pasur dhe janë të vërtetuar, kjo është strategjia e Galerisë, ndërsa të tjerat aktivitete janë nga kërkesat që bëjnë artistët”, u shpreh Kelmendi. 

Sipas Kelmendit, Expoart 40. është e hapur për artistë të cilët kanë punë, por që për momentin nuk janë orientuar në ndonjë hapësirë për ekspozim, atëherë janë të mirëseardhur. 

Janë disa artistë që janë përcaktuar për vitin 2011, ndërkohë menjëherë pas kësaj ekspozite “Net” janë dy artistë të rinj që do të hapin ekspozitën e tyre. 

“Institucionet e pa varura janë si trampolinë për të marrë një spunto këta artistë të rinj, për të kaluar pastaj edhe në institucionet tjera publike. E kanë si një fillim të mirë, ku ata për herë të par marrin opinionin”, u shpreh Kelmendi, e cila ishte e gatshme për bashkëpunim, aq më shumë për artistët e rinj, të cilët në pamundësi vendi, nuk ekspozojnë punën e tyre. 

Organizatorët/koordinatorët e projektit: Majlinda Kelmendi, Fitore Isufi-Koja dhe kuratori i ekspozitës Zeni Ballazhi. 

Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 17 janar.

Leave a Reply

Your email address will not be published.