Home / Arte / Ekspozita / “Onufri 2010”, nis sot edicioni i 17-të

“Onufri 2010”, nis sot edicioni i 17-të

Është hapur në Tiranë Konkursi ndërkombëtar i Arteve Pamore “Onufri”. Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun deri me datë 3 shkurt 2011. në të marrin pjesë artistë të ndryshëm nga Shqipëria dhe Kosova 

Vepra në pikturë, fotografi, skulpturë, dhe instalacion nga 27 artistë shqiptarë të Shqipërisë dhe të Kosovës të përzgjedhura në bazë të konceptit kuratorial me titull “Unë jam ARTI-st”, janë ekspozuar dje në edicionin e 17-ë të Konkursit ndërkombëtar të Arteve Pamore “Onufri”. 

Përzgjedhja e veprave pasqyron zhvillimin e artit bashkëkohor nga artistët shqiptarë dhe u krye në bazë të njohjes dhe vlerësimit të krijimtarisë së artistëve. 

Sipas kuratores të “Onufri 2010”, Suzana Varvarica Kuka, “Në këtë ekspozitë do të njihemi me vepra që transmetojnë veprimtari të koshiencës dhe subkoshiencës së artistit gjatë procesit të formimit dhe të ekzekutimit të veprës. 

Punët e “Onufri 2010” transmetojnë në figura çështje që ceken në konceptin kuratorial dhe disa prej tipareve të fizionomisë së artit dhe të jetës problematike shqiptare. Gjithashtu do të dallojmë kahun e identitetit të zhvillimit të artistit të ri shqiptar. Ai tenton, si prodhues i veprës së artit, të tregojë se vetë është një produkt njerëzor që nis tek edukimi akademik, brumoset gjatë përshkuarjes së rrugës konceptuale dhe është tentues për të lënë shenja gjatë eksperiencave krijuese bashkëkohore”. 

Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun deri me datë 3 shkurt 2011. Artistët pjesëmarrës janë: Gazmend Leka, Andi Hila, Edmond Gjikopulli, Yllka Gjollesha, Gjergji Shoshi, Ledia Konstandini, Heldi Pema, Endri Dani, Gentian Gjikopulli, Matilda Odobashi, Genti Korini, Alketa Ramaj, Oriana Kamberi, Artan Draçini, Sidi Kanani, Nikolin Bujari, Rrezart Galica-Giqi, Sabile Tmava-Billi, Driton Selmani, Sara Çapaliku, Anon, Një Njeri, Violana Murataj, Enkelejd Zonja, Greta Dhaskali Lami, Ilirjan Shima, Entela Kasemi.

Leave a Reply

%d bloggers like this: