Home / Kryeartikull / “Rruga e Kombit “, pa dalje për fshatrat

“Rruga e Kombit “, pa dalje për fshatrat

Ndue Dedaj

Ndue-DedajNjë kosovar me mbiemrin Oroshi i kishte prirë familjes së tij nga Kosova për në vendorigjinën e të parëve, në Orosh të Mirditës. Kishte ardhur nëpër Udhën e Kombit deri në Mashtërkor, fshatin në brigjet e Fanit të Vogël, duke hapur sytë se mos kishte ndonjë rrugëdalje për t’u ngjitur deri tek ish-Abacia dhe ish-Sarajet e Gjomarkajve, por jo, autostrada me emër të madh nuk ta jep këtë mundësi. Ecja nëpër të është si në një ulluk gjigant ku mund të rrëshqasësh vetëm para e mbrapa. Kosovari i ardhur nga larg kishte shkuar deri në Reps, qytezën e dikurshme të fabrikës së bakrit, por as aty nuk kishte dalje. Dalja ishte pak më tej në Blinisht për të gjithë Komunën e Oroshit dhe rrugën nacionale që vazhdon për në Fushë-Arës. Çfarë u bë autostrada, rrugë katundi, që të këtë hyrje e dalje për çdo fshat? mund të thotë dikush. Sigurisht që jo, problemi kryesor nuk janë daljet e munguara, por fakti që nuk ka rrugë dytësore në parametra. Janë prishur dhe ato rrugë modeste që ishin dikur, para se të ndërtohej autostrada Durrës-Kukës. Nuk mund ta besoje gjashtë-shtatë vjet më parë, kur po ndërtohej kjo rrugë madhore, se ajo do të “fluturonte” mbi Mirditë, pa qenë e mundur të kishte ndalesa aq sa duhej. Shumë fshatra me këtë vepër humbën rrugët e mëparshme, vërtet të thjeshta, po ama që i çonin në shtëpitë e tyre, pa qenë nevoja t’i binin rrotull nga “Kina” si tani. Nga Rrësheni deri te tuneli në Kalimash, në 50 kilometra, ka vetëm dy dalje, në Blinisht e Klos dhe kaq. Nuk ka dalje në Gëziq, Mashtëror/Orosh, Bisakë, Thirrë etj. Apo hyrja për në qytetin e Rrëshenit, nga drejtvizore që ishte bregut të Fanit, është spostuar djathtas për hir të mbikalimit, duke e shtuar rrugën me dy kilometra kthesë, ashtu si hyrja për në Reps është tërhequr mbrapsht dhe rruga e dytë ka rënë në lumë. Rrugët e ashtuquajtura dytësore janë gjatë gjithë autostradës më keq se në dyzetepesën, fill pas çlirimit. Atëherë kujt i shërben Rruga e Kombit? Atyre që hyjnë nga Morini për në Durrës e Shëngjin, por jo dhe banorëve të fshatrave të Mirditës. Nëse je nisur nga Rrësheni për në Shtrungaj, bëji mirë llogaritë, pasi do të bësh dhe njëzet kilometra më tepër deri në Fan te rrethrrotullimi për t’u rikthyer aty ku ishe (!?) Bëhet fjalë për anomali që lidhen me rrugën numër një në Shqipëri, që në kohën e lulëzimit të saj nuk i kemi kursyer reportazhet dashamirëse dhe ditirambet patriotike, duke besuar se ajo nuk do të ishte më shumë pozante se funksionale për banorët e luginës së Fanit të Vogël. Janë bërë boll vërejtje nga opozita e kohës për të, ka pasur akuza ndaj pushtetarëve të ikur për abuzime me fondet e saj, por asnjëherë askush nuk është marrë me këtë anën tjetër të medaljes, pra, që rruga nuk u shërben sa duhet banorëve, por kryesisht atyre të largëtëve. Kjo ka bërë pastaj që të ketë prerje me sharrë të trafikndarësve, një veprim krejtësisht i paligjshëm, apo aksidente të rënda, ku fshatarët, të detyruar të kalonin nga ara këndej rrugës tek ajo përtej saj, kanë rrezikuar, në ndonjë rast duke humbur dhe jetën, si para pak muajsh. Gjithsesi, ka dy pamje, njëra e qytetëruar mbi autostradë, me autogrille, restorante dhe hotele luksoze dhe tjetra e përbaltur, ajo “poshtë urës”, ku lëviz popullata vendase, që rruga e re aty-këtu ia ka shtuar largësinë me qendrat urbane. Nëse një furgon me pasagjerë vjen nga Lezha në Rrëshen për tridhjetë minuta, nga mungesa e rrugëve të dyta të përshtatshme dhe e hyrje-daljeve bën po kaq duke gulçuar gropave të fshatit. Turisti nuk niset për në Nënshejt, një nga vendet më turistike të Shqipërisë, kur e di se pas udhëtimit të këndshëm nëpër autostradë, sapo të dalë prej saj, do t’i duhet dhe një orë të ngjitet në majë të bjeshkës, dhe pse ajo është vetëm pak kilometra më lart. Prandaj Rruga e Kombit i ka frenuar, por nuk i ka ndaluar ikjet e banorëve, janë rregulluar vetëm ata në anë të saj dhe aty ku ka hyrje-dalje. Qeveria e kaluar i kishte përparësi rrugët, kurse ajo aktuale dhe organet vendore është e domosdoshme të merren pikësëpari me kthimin në normalitet të rrugëve dytësore. Dihet që kur afrohen fushatat elektorale diçka nis e lëviz në këtë drejtim, shtrohet ndonjë kilometër asfalt më shumë, por kjo nuk e zgjidh problemin dhe pse kemi një fushatë përpara. Dakord që bëhen qendrat e qyteteve si në Itali, Austri etj., por nuk do të kishte fort kuptim nëse ende e kemi të vështirë, në mos të pamundur, të vemi në çdo fshat lirisht. Ndoshta bashkitë e reja do të shohin dhe “nën urë”, aty ku kalojnë njerëzit me halle, teksa fuoristradat e udhëheqësve nuk zbresin asnjëherë poshtë urës, ku pamja është aspak frymëzuese.

Hidrocentrali i ri i Qafë-Mollës le pa rrugë banorët e Kaçinarit

Qe shpresuar se me Rrugën e Kombit do të rregulloheshin dhe rrugët e fshatrave anash saj, si dhe do të asfaltoheshin ato të komunave. Rruga për në Komunën e Kaçinarit është një nga daljet e autostradës, që jo vetëm nuk është asfaltuar, por duket se shpejt banorët e asaj ane do të mbetën dhe pa të. Ata janë të shqetësuar se nga do të kalojë rruga e re, pasi hidrocentrali i Qafë-Mollës mbi lumin Fani i Madh në afërsi të Rrëshenit do ta përmbysë rrugën ekzistuese, që u shërben dhe banorëve të komunës fqinje të Ungrejt. Nuk ka deri tani asnjë projekt se nga do të kalojë e reja. Gjatë dimrit kanë rënë shira dhe uji është ngritur dy metra mbi Urën e Cekajve, duke bllokuar për disa orë qarkullimin e makinave dhe udhëtarëve, derisa të binin prurjet e lumit. “Nuk ka ndodhur kurrë të ngrihet uji kaq lart, por tani që diga e hidrocentrali po përparon, ne ndihemi të kërcënuar, nuk do të kemi rrugë nga të kalojmë”, thonë banorët. Është e habitshme se si bëhen punët në këtë vend. Në një anë ndreq e në tjetrën prish. Si mund të ndërtohet një hidrocentral dhe të prishet një rrugë e rëndësishme? Një zonë e tërë nuk mund të izolohet dhe nesër t’i sajohet një rrugë sa për të thënë, andej nga të jetë më e leverdishme për firmën ndërtuese. Është përgjegjësi e pushtetarëve vendorë e qendrorë, sidomos e Ministrisë së Transportit, që të kërkojnë pranë investitorëve gjurmën se nga do të vejë rruga e ndryshuar, afatin dhe standardin e saj. Deri tani nuk është deklaruar asnjë variant. Ka vetëm ndonjë “gojëdhënë” se rruga mund të kalojë sipër digës, me një urë mbi lumin e Dibrrit. Po dhe nëse kjo do të ishte një mundësi, është e domosdoshme të diskutohet me banorët, siç është praktika në çdo vend të Europës. Nuk mund të lihet në dorën e firmës turke se nga do të vejë rruga e një komuniteti banorësh në Shqipëri. Ajo ka të drejtën mbi punimet e hidrocentralit, por jo mbi rrugën automobilistike të dy komunave që shtrihen në veri të Mirditës në mijëra km katrorë territor. Janë të paktën dhjetë mijë banorë që nuk kanë se nga të lëvizin. E nesër, me zhvillimin e turizmit malor, rivitalizimin e pyjeve dhe minierave, rruga do të jetë dhe më e domosdoshme.

Përtej një rasti apo një tjetri, ende te ne ndërtimi i veprave të mëdha nuk paraprihet nga studime dhe interesat komunitare nuk janë në plan të parë. Disa herë banorët e Qafë-Mollës kanë protestuar se nuk janë kompensuar në masën e duhur për shpronësimin e tyre për efekt të hidrocentralit. Tani pritet që dhe banorët e Kaçinarit të protestojnë për rrugën, derisa ajo të marrë një zgjidhje të pranueshme. Nëse gjërat do të ishin bërë mirë atëherë, kur ndërtohej Rruga e Kombit, përtej euforisë zgjedhore të njërës palë dhe kriticizmit të tepruar të palës tjetër, pra të politikës për politikë, me siguri nuk do të kishin shkuar qytetet nga mbikalimet, por e kundërta. Ashtu si presioni publik, qytetar do të kishte ndikuar më shumë për sa i përket infrastrukturës së brendshme të fshatrave.

Leave a Reply

%d bloggers like this: