Home / Presidenciale / Presidenti Topi dekoron artistë të shquar të Estradës Profesioniste të Vlorës

Presidenti Topi dekoron artistë të shquar të Estradës Profesioniste të Vlorës

Me rastin e 55-vjetorit të krijimit të Estradës Profesioniste të Vlorës, Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi, i shoqëruar nga anëtarë të Kabinetit, vizitoi sot qytetin bregdetar, ku u prit nga Kryetari i Bashkisë, Shpëtim Gjika, Kryetari i Këshillit Bashkiak, Arben Sinanaj, Drejtori i Teatrit “Petro Marko” të Vlorës, Dhimitraq Furxhi, deputetë, përfaqësues të strukturave vendore, personalitete të jetës kulturore e artistike, intelektualë si dhe shumë qytetarë.

Kreut të Shtetit iu rezervua në qytetin bregdetar të Vlorës një pritje e ngrohtë dhe festive dhe në sallën e Kino-Teatrit u zhvillua aktiviteti artistik përkujtimor si dhe ceremonia zyrtare e dekorimeve me rastin e 55-vjetorit të krijimit të Estradës Profesioniste të qytetit.

Në emër të intelektualëve dhe artistëve të qytetit, përshëndeti Drejtori i Teatrit, Dhimitraq Furxhi, i cili, fillimisht i uroi Presidentit Topi mirëseardhjen në qytetin e Vlorës dhe e falenderoi për praninë në përvjetorin e njërit prej institucioneve më të rëndësishme të artit, që për vite me radhë, ka dhënë një kontribut të veçantë në përçimin dhe evidentimin e vlerave artistike të qytetit, si dhe në pasurimin e jetës kulturore të artdashësve vlonjatë. Më pas, përshëndeti Kryetari i Bashkisë, Shpëtim Gjika, i cili, ndër të tjera vuri në dukje rëndësinë e vizitës së Presidentit në këtë aktivitet përkujtimor artistik dhe nderimin e vlerësimin e veçantë që i bëhet Vlorës dhe qytetarëve të saj nga prania e Presidentit të Republikës.

Më tej u këndua një kolazh me këngë popullore vlonjate të shoqëruara nga orkestrina dhe u shfaq një dokumentar i shkurtër i titulluar “Homazh për artistët, që nuk jetojnë më”. Gjithashtu në këtë 55-vjetor të Estradës Profesioniste, Këshilli i Bashkisë u akordoi titullin “Qytetar Nderi i Vlorës” disa prej artistëve vlonjatë. Në përfundim u zhvillua ceremonia zyrtare e dekorimit të njëmbëdhjetë personaliteve të njohura të skenës së Estradës Profesioniste të qytetit të Vlorës.

Me këtë rast, në fjalën përshëndetëse, Presidenti Topi u shpreh: 

I nderuar zoti Kryetari i Bashkisë së Vlorës,
I nderuar zoti Prefekt i Qarkut të Vlorës,
Të nderuar artistë,
Zonja dhe Zotërinj,
Qytetarë të nderuar të Vlorës,

Më lejoni të shpreh emocionin dhe kënaqësinë time të thellë që ndodhem sonte këtu midis jush, t’ju falenderoj pa masë për ftesën që më keni bërë! Së bashku me ju po përjetojmë një moment vërtet shumë emocionant, vërtet po përkujtojmë 55 vjetorin e krijimit të Estradës së Qytetit të Vlorës, por përtej atij humori, i cili ka shoqëruar ndër vite këtë qytet të nderuar, njerëzit e këtij qyteti të nderuar, patjetër që këto momente na japin shumë emocion, sepse vlerësojmë karrierën e shumë njerëzve, në radhë të parë të atyre që nuk jetojnë më, të atyre që kanë një jetë të gjatë në skenë dhe janë të pranishëm, por edhe të të rinjve.

Më lejoni ta them që në fillim se, ajo ndjesi, që kam patur gjithmonë për banorët e këtij qyteti, e rindjeva në mënyrë të drejtëpërdrejtë edhe këtu sonte. Kam thënë gjithmonë që është një popull shumë me karakter, i drejtpërdrejtë, por edhe shumë i ndjeshëm. Këtë e provova së bashku me ju sonte, këtu. Patjetër që kënaqësia përzihet së bashku me detyrimin. Erdha në Vlorë për ta respektuar këtë eveniment. Zakonisht, ceremonialet e dekorimeve, sikurse e kërkon rregulli, bëhen atje, në Presidencë, por unë dëshiroja të isha së bashku me ju, sepse duke qenë së bashku i vlerësojmë më shumë artistët tanë. 

Estrada e Vlorës, e cila në vitet e ushtrimit të kësaj veprimtarie të domosdoshme për qytetin, ka demostruar vërtet një origjinalitet të spikatur, ka paraqitur këtu në këtë sallë 255 premiera. Unë jam rritur padyshim me të gjithë atë larmi që kanë arti dhe kultura në të gjithë Shqipërinë. Vërtet jam lindur dhe rritur në Tiranë, por gjithmonë kam ndjerë atë origjinalitet, atë vlerë të jashtëzakonshme artistike, qoftë të njerëzve të humorit, por edhe ato që na kanë shoqëruar me këngën. Trio vlonjate mbetet e pa harrueshme dhe e pa ngatërrueshme me asnjë zë tjetër muzikor. Unë kam rastin sonte këtu t’i vlerësoj të gjithë. Zoti Drejtor i Estradës i përmendi këtu sonte të gjithë dhe është e domosdoshme të përmenden të gjithë si skenaristët, si regjizorët, si libretistët, si parodistët, si aktorët, si muzikantët, të gjithë interpretuesit, por edhe prapavija, sepse kjo dëshmon që veprat e mira në këtë jetë nuk bëhen të vetëm. Veprat e mira bëhen të gjithë së bashku dhe mbi të gjitha do të thoja që këto kanë marrë çertifikimin e tyre me këtë publik të nderuar. Kjo është një arritje e jashtëzakonshme e këtyre viteve. Unë jam i bindur që ky qytet i rrit dimensionet e veta çdo ditë. Sa herë vjen në Vlorë mbushesh patjetër me shumë emocion për bukuritë e mrekullueshme që ka Vlora, por edhe për veprat që bën njeriu. Të gjithë së bashku duhet patjetër që të ndërtojmë një jetë shumë të mirë, një jetë ku të dominojë harmonia, të dominojë etika e komunikimit dhe besoj që ju, në këtë qytet, më shumë se në kushdo tjetër, e keni ndjerë gjithmonë të nevojshme dhe e keni pasur të pranishme. Besoj që ajo që kam pasur dhe kam si detyrim është vetëm një vepër e vogël dhe një detyrim i Institucionit. Me të drejtë zonja tha që njerëzit është mirë që të vlerësohen kur janë gjallë. Por, ne do t’i nderojmë edhe kur nuk janë, sepse vërtet fizikisht të gjithë do të largohemi nga kjo botë një ditë, por është shumë e rëndësishme që të lemë një emër të mirë dhe besoj që emri i madh që ka lënë bashkëshorti i juaj, emri i madh që kanë lënë shumë njerëz në këtë sallë, ku kanë dhënë emocione për të tjerët, ku kanë dhënë dashuri, kanë dhënë gëzim, patjetër ky është emri i vërtetë që nuk lidhet thjesht me një dekoratë. 

Unë ju falenderoj dhe pa dashur të zgjatem do të thoja që jemi në një moment vërtet shumë të rëndësishëm, në prag të festave! Dëshiroj t’i uroj të gjithë popullit të Vlorës “Gëzuar Krishtlindjet!”. Ne jemi mësuar gjithmonë t’i kremtojmë festat e njëri-tjetrit, pavarësisht nëse i takojmë një feje, apo një tjetre. Kjo është bukuria dhe harmonia që kemi ne si popull. Së dyti, dëshiroj t’ju uroj “Gëzuar Vitin e Ri!”. Paçi shëndet, harmoni në familje, harmoni në shoqëri! Edhe një herë ju falenderoj pa masë për këtë gëzim, për këtë mundësi, për këtë emocion që e ndamë të gjithë së bashku!

Falemnderit dhe urime!”

Në vijim, pas ekzekutimit të himnit tonë kombëtar dhe leximit të dekreteve përkatës nga Sekretari i Përgjithshëm, Aleksandër Flloko, Presidenti Topi u dorëzoi dekoratat artistëve dhe familjarëve të tyre, përkatësisht:

– zotit Leka Kruta, Urdhrin “Naim Frashëri” i Artë, me motivacionin: “Aktorit të mirënjohur të humorit vlonjat, me një karrierë të gjatë dhe të pasur artistike, me role që kanë lënë gjurmë të pashlyera tek artdashësit e shumtë në të gjithë vendin”;

– zotit Mihallaq Lako, Urdhrin “Naim Frashëri” i Artë, me motivacionin: “Për kontribut të rëndësishëm në zhvillimin e jetës artistike të Vlorës, që me përkushtim dhe profesionalizëm, në mënyrë të veçantë, la gjurmë të pashlyera në përpunimin e këngës qytetare vlonjate”;

– zonjës Meliha Doda, Urdhrin “Naim Frashëri” i Artë, me motivacionin: “Këngëtares së shquar të Trios Vlonjate, që me zërin e saj të veçantë dhe interpretimin artistik, të rrallë u bë simbol i këngës vlonjate”;

– zotit Kostandin Thana, Urdhrin “Naim Frashëri” i Artë, me motivacionin: “Këngëtarit të shquar të Trios Vlonjate, që spikati për interpretimin e veçantë dhe origjinal të këngës vlonjate, duke pasuruar vlerat e trashëgimisë më të mirë të saj”;

– Reshat Osmani (Pas vdekjes), Urdhrin “Naim Frashëri” i Artë me motivacionin: “Këngëtarit dhe kompozitorit të shquar të Trios Vlonjate, që me krijimtarinë e tij, pasuroi traditën e këngës popullore qytetare, duke lënë gjurmë të pashlyera në artin vlonjat e më gjerë”;

– Myqerem Ferra (Pas vdekjes), Urdhrin “Naim Frashëri” i Artë, me motivacionin:”Për karrierë të gjatë artistike, krijimtari të pasur dhe mbresëlënëse si aktor dhe regjisor, ku spikati individualiteti dhe finesa e tij artistike”;

– Nazmi Bunjaku (Pas vdekjes), Urdhrin “Naim Frashëri” i Artë, me motivacionin: “Regjisorit me një karrierë të gjatë artistike, një nga themeluesit e Estradës dhe Teatrit të Vlorës, që me krijimtarinë e tij krijoi profil të veçantë dhe la gjurmë tek publiku artdashës”;

– zotit Mane Lumani, Urdhrin “Mjeshtër i Madh”, me motivacionin: “Aktorit të mirënjohur të skenës së humorit në Vlorë e më gjerë, me interpretim të një niveli mjeshtëror, veçanërisht, në zhanrin e parodisë”;

– zotit Muhamet Liko, Urdhrin “Mjeshtër i Madh”, me motivacionin: “Aktorit të mirënjohur të skenës së humorit në Vlorë e më gjerë, me interpretim të një niveli mjeshtëror, veçanërisht, në zhanrin e parodisë”;

– zotit Agron Hamo, Urdhrin “Mjeshtër i Madh”, me motivacionin: “Aktorit të mirënjohur të skenës së humorit në Vlorë e më gjerë, me interpretim të një niveli mjeshtëror, veçanërisht, në zhanrin e parodisë”; 

– zotit Afrim Agalliu, Urdhrin “Mjeshtër i Madh”, me motivacionin: “Aktorit të mirënjohur të skenës së humorit në Vlorë e më gjerë, me interpretim të një niveli mjeshtëror, veçanërisht, në zhanrin e parodisë.” 

Personalitetet e dekoruara dhe familjarët e tyre shprehën mirënjohjen për këto vlerësime dhe falenderuan Kreun e Shtetit shqiptar për këtë nderim që u bëhet atyre dhe profesionit fisnik të artistit.

Leave a Reply

%d bloggers like this: