Maqedonia

Funksionarët ikin nga BDI-ja?

Ministri i Ekonomisë, Fatmir Besimi nga radhët e BDI-së mendon të tërhiqet nga detyra pas festave të Vitit të Ri, bëjnë të ditur burime brenda BDI-së. Ai një kohë të gjatë nuk mund të gjej gjuhë të përbashkët me liderin Ali Ahmeti dhe rolin që integristët e kanë në qeverinë e Nikola Gruevskit.

Sipas burimit në fjalë, Besimi përgatitet një kohë të gjatë për këtë vendim dhe se ka filluar ta përgatit terrenin se si këtë vendim ta sqarojë para opinionit. Kjo nuk është hera e parë të ketë dallime midis ministrit Besimi dhe udhëheqësve të partisë së tij, gjegjësisht ato mos pajtohen për disa çështje, shkruan gazeta Koha e Re.

Para një kohe kur qeveria dhe kryeministri Gruevski hynë në një luftë të hapur me kompaninë energjetike EVN për borxhin që kjo kompani duhej t’ia paguajë ndërmarrjes shtetërore ELEM, ministri Besimi publikisht u rreshtua në anën e EVN-së. Arsyeja ishte se ministri Besimi ishte ai që e ka nënshkruar marrëveshjen për shitjen e EVN-së, pasi që ai gjatë kohës së shitjes, kur kryeministër ishte Vlado Buçkovski, ishte ministër i ekonomisë.

Pas mbrojtjes së EVN-së, ministri Besimi filloi të humb besimin e liderit Ahmeti dhe që atëherë në opinion qarkullon informacioni për zëvendësimin e tij. Që atëherë, siç kuptojmë po nga i njëjti burim, ministri Besimi qëndron larg nga politika e Ahmetit që tani përfundimisht të vendos që të largohet nga ai.

Rikonstruktimi i Qeverisë, në pjesën e ministrave shqiptarë, është paralajmëruar që nga prilli, por ajo nuk u realizua. Atë kohë të parët në shënjestër ishin ministrat e ekologjisë dhe punës dhe politikës sociale – Nexhati Jakupi dhe Xhelal Bajrami. Kritikat ndaj ministrit Jakupi kanë të bëjnë për shkak të skandalit me korruptimin e të punësuarve në ministrin e tij, rast ky i gjurmuar nga mediet. Ndërsa ministri Bajrami ishte para presionit për të zgjedhur statusin e ushtarëve të UÇK-së, çështje kjo që ende nuk ka lëvizur nga vendi.

Rikonstruktim të ministrave të BDI-së u paralajmërua edhe pas pushimeve verore, kur u tha se një pjesë e ministrave vetë do të japin dorëheqje. Megjithatë, një gjë e tillë nuk ndodhi. I pari që do ta thyej akullin me sa duket do të jetë ministri Besimi. Pos tij, mospajtime publike me liderin Ahmeti kishte edhe bashkëpunëtorja e tij e ngushtë Teuta Arifi, e cila në disa raste nëpërmjet kolumneve të saj e kritikon pasivitetin politik të liderit të saj dhe pozitën e tij inferiore në qeverinë e Gruevskit. /

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button