Ekonomia

Merr zgjidhje problemi i mbivendosjeve në lejet minerare

Ministria e Energjisë dhe Industrisë i ka dhënë zgjidhje një prej problemeve më shqetësuese në industrinë minerare duke revokuar plotësisht ose pjesërisht për arsye të mbivendosjeve 20 leje minerare.

Miniera-Foto-ATSH1Në përputhje me objektivat qeverisëse për një menaxhim sa më efektiv të burimeve natyrore, në zbatim të ndryshimeve të fundit në ligjin minerar, me urdhër të Ministrit të Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri, në periudhën janar-shkurt u evidentuan të gjitha lejet minerare të cilat kanë rezultuar me mbivendosje.

Nga procesi i verifikimit të të dhënave nga viti 2005 deri në tremujorin e tretë të vitit 2013 është konstatuar se këto mbivendosje janë kryesisht në vendburimin e kromit në Bulqizë, vendburimet e kromit në Theken, Baterr dhe Krastë. Për të gjitha lejet janë evidentuar mbivendosjet në planin vertikal dhe në atë horizontal.

Në ligjin e ri për minierat të miratuar fundvitin e kaluar, Neni 47, pika 1 përcakton se një leje minerare revokohet kur konstatohet se zona e licencuar ka mbivendosje të plotë ose të pjesshme, me një leje minerare që është dhënë më parë konform legjislacionit në fuqi në atë periudhë kohore.

Në këtë rast, leja minerare, e cila është dhënë në një periudhë kohore të mëvonshme është e pavlefshme për zonën e mbivendosur dhe ministri e revokon atë vetëm për zonën e mbivendosur.

Në zbatim të këtij përcaktimi ligjor, Ministri Gjiknuri ka firmosur revokimin e plotë ose të pjessshëm për arsye të mbivendosjeve për 20 leje minerare.

Shmangia e mbivendosjeve shënon një hap të rëndësishëm në drejtim jo vetëm të rritjes së sigurisë në punë për punëtorët e nëntokës por edhe shmangie e konflikteve mes subjekteve që zotërojnë lejet minerare.

Ndërkaq, në kuadër të procesit të verifikimit dhe monitorimit të lejeve ekzistuese, Ministri Gjiknuri ka firmosur edhe fillimin e procedurave të revokimit për shkak të mosrespektimit të detyrimeve ligjore për 47 leje të tjera minerare në fushën e kërkim-zbulimit dhe shfrytëzimit. Në këto leje është konstatuar mos pagesë e garancive financiare të rehabilitimit të mjedisit dhe investimit apo përfundimi i kohës së shfrytëzimit.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button