Opinion

A do të flasë më Saliu për bllokqenë?

Mbrëmë, me të marrë vesh se një foto e tij mes familjarëve të Enver Hoxhës kish rënë në duart e gazetarëve, Berisha ka marrë në telefon Liljanën, me të cilën kohët e fundit ka patur rast të shkëmbejë ca batuta kamerateske a miqësore lidhur me ngjarjet e dhjetorit. E mbani mend, besoj, atë dialogun në distancë me pak fraza: “Liljana ishte aty kur unë fola kundër regjimit, tha Saliu nga studjoja e Fevziut. Jo, jo, Sali, unë kisha dalë nga salla në atë kohë, ia preu Liljana nga studjoja e Çanit”, Por kjo ka ndodhur përpara 10 ditësh. Ndërsa dje u zhvillua mes tyre kjo bisedë telefonike: S.B. – Liljanë, kush e ka nxjerrë atë foto? L.H. – Jo Sali, s’ka dalë nga unë. S.B. – Mos e ka nxjerrë Sokoli, Iliri? Nga dreqin e gjetën këta shkërdhata? L.H. – Sali, po pse duhet ta nxirrnim ne? Je në vete, apo s’je në vete? S.B. – Mirë, mirë. Hajt se flasim. Bëju të fala Ilirit e Sokolit.

Nga e di unë që është zhvilluar kjo bisedë? Unë nuk di gjë. Nuk kam nga ta di. Por jam gati të vë dorën në zjarr që është bërë. Në mos ka folur me Liljanën, ka folur me siguri me njërin nga djemtë e Enverit, me të cilët merret vesh më në fund se i lidhka një miqësi e një komplicitet i hershëm. Punë bllokmenësh. Më falni, punë bllokmenësh të shoqëruar nga një qen i tyre, shkurt bllokqen.

Me siguri, sapo jua kanë zënë sytë këtë foto, keni patur ngasjen për ta komentuar. Është ngasja më natyrale. Këtë kishin bërë tek Shekulli. Dhe Mero Baze këtë kish bërë: e kish komentuar me pak fjalë në stilin e déjà vu-së sime televizive. Nuk e kam parë programin Fiks Fare, që është autori i scoop-it, por dhe Saimiri me doktorin duhen ta kenë komentuar në mënyrën e tyre. 

Shikojeni bllokqenin tonë. A thoni se në këtë foto është duke menduar akoma Çekosllovakinë e fundit të viteve ‘960, e cila paska qënë rrethana që e ka nxitur dhe motivuar të bëhej komunist në moshën 22 vjeçare (kështu rrëfeu së fundmi)? Më ka bërë për të qeshur ajo deklaratë, ashtu siç më bëjnë për të qeshur të gjitha deklaratat e tij të natyrës autobiografike. Gënjen si në karadak, do thosh një miku im. Flet për zgjedhje, qëndrime, rreshtime e trimërira të tijat, dhe për çudi nuk ka asnjë dëshmitar. Ja, më thoni, ka dalë ndonjë shqiptar për të pohuar pretendimin e Saliut, dmth për të pohuar se po, e di dhe ai, që në atë kohë Sali u trishtua shumë prej fatit të Dubçekut? Asnjë për be.

Por nuk është kjo që më çudit së shumti. Ka një gjë tjetër. Pyes: si është e mundur që kjo foto del me kaq vonesë? Si është e mundur që nuk ka dalë ndonjë njeri e ta dëshmojë këtë marrëdhënie me familjen e “diktatorit më të egër që ka njohur bota” (janë të Saliut të këto fjalë, dhe janë të vetmet fjalë të vërteta që ka thënë në jetën e vet; dhe është ndyrësi kur tjetri e thotë ndonjë të vërtetë vetëm e thjesht për të maskuar qëllimet dhe jetën e vet të ndyrë)? Si i ka mbajtur vendi dëshmitarët e këtyre ngjarjeve, teksa kanë parë Saliun të vjellë zjarr e vrer putativ kundër komunizmit, enverizmit, e bllokut? Nuk ka dëshmitarë? Ou, si s’paska? Dakord, janë në Drilon në zonën ku rrinin veç bllokmenët e ndonjë bllokqen, por bash për këtë arsye dëshmitarët duhet të kenë qënë më të vëmendshëm. Duhet të jenë një duzinë. Pa është fotografi, pa janë shoqëruesit e familjes Hoxha, pa janë oficerë e ushtarë që ruanin familjen dhe shtëpinë, pa janë dhe të tjerë. Ja, njëri syresh është Ramis Alia, i cili nuk ka asnjë gjasë që të mos e ketë ditur këtë marrëdhënie, dhe kurrë s’e ka hapur gojën. Ja, fjala vjen, një tjetër syresh është Isuf Kalo, i cili e ka dëgjuar Saliun të çirret kundër bllokmenëve e bllokqenëve, e ka dëgjuar të mohojë që ka patur lidhje me bllokun e me familjen e diktatorit, dhe nuk ka bëzajtur. Pse nuk ka bëzajtur? Hm, së pari njerëz të tillë, për shkak të jetës që kanë bërë, nuk kanë një eshtër morale. Së dyti, kanë frikë nga Saliu. Po, po, frikë në kuptimin gërmë për gërmë të fjalës. Pikërisht këtë ka bërë Saliu gjatë njëzet viteve të fundit: ka mbjellë një klimë frike për të gjithë. E ka bërë këtë edhe kur ka qënë në pushtet, edhe kur ka qënë në opozitë. Kjo frikë do të zhduket bashkë me Saliun, dhe vetëm atëherë shqiptarët do të marrin vesh se çfarë qelbësire kolosale ka qënë ky njeri, vetëm atëherë do të marrin vesh se ky i ka bërë të gjitha gjërat e ndyra të kësaj bote, ka vjedhur, ka vrarë, ka mashtruar, ka derdhur lotë krokodili, etj. 

E dini ç’mendova tjetër kur pashë këto foto, të cilave s’do kish arsye t’u jepnim ndonjë peshë, nëse s’do të nxirrnin në shesh një realitet e ca marrëdhënie të mohuara, e nëse s’do të shërbenin si denoncim i një mashtruesi e demagogu të pafytyrë? Mendova: Po çfarë dreq familjeje është kjo familja “Berisha”? Si mund të jetojë e gjithë familja në mes të një hipokrizie totale? Ç’është ky mut kodi familjar i ngritur mbi gënjeshtrën e mashtrimin? I bëj këto pyetje pasi, ndërkohë që Saliu ka folur për bllokmenë e për bllokqenë, gruaja, vajza e djali i tij e kanë ditur historinë e lidhjes së familjes së tyre me lagjen e bllokut (në mos tjetër, kanë parë fotot, apo jo?). 

Pyetje tjetër: Çfarë do të thonë berishianët në këto rrethana? Është e kotë të presësh ndonjë reagim nga berishianët. Unë ka kohë që e kam hequr shpresën. Kush ka patur mend e dinjitet, nuk ka patur nevojë për prova të tilla për të legjitimuar ndarjen nga Saliu. Rrjedhimisht, ata që kanë mbetur, tok me dhjetoristët e famshëm që celebrojnë festën me bllokqenin Sali, do të sillen si gjthmonë. Çfarëdo e vërtete komprometuese të dalë për Saliun, berishianët do të jenë aty, për ta mbrojtur. Pse? Shumë arsye. Një është klima e frikës, për të cilën fola. U dridhen leqet nga Saliu, më saktë nga banda kriminale e Saliut. Ose së dyti, janë njerëz që duan të jenë në pushtet, që duan të vjedhin e plaçkisin. Ose së treti janë njerëz që kanë nevojë për mbrojtje, dhe këtë mbrojtje e përfitojnë me pashë veç duke i dalë në mbrojtje Saliut në çdo rrethanë. Ose së katërti, Saliu ka dosje për secilin, dhe në këto dosje flitet për bashkëpunimin e tyre me sigurimin e shtetit, me SHIK-un e Gazidedes, me grupe hajdutësh, mafiozësh e kriminelësh. Saliu ua di të gjitha fije e për pe. Thonë se Saliu ua di ca zullume me sigurimin e me SHIK-un edhe ca njerëzve të tjerë që mbahen me të madh në këtë Shqipërinë tonë. Thonë se dosjet e tyre i ka djegur, por ata o ngaqë janë mirënjohës, o ngaqë nuk e besojnë se mund t’i ketë djegur (tok me dosjet e veta: dihet tanimë, dhe është e provuar që Saliu s’ka qënë vetëm një bllokqen; ai ka qënë dhe denonciator e dëshmitar në gjyqe politike, ka prova për këtë, ka dhe dëshmi të filmuara e të regjistruara por, siç e thashë, për këto do flitet kur Saliu të mos jetë më), vazhdojnë ta mbështesin; ose të mos e kritikojnë për çmendurirat që bën në këtë vend.

Po e mbyll me një ngjarje tjetër që ka lidhje me ngjarjen në fjalë. Lexova këto ditë librin e fundit të Fatos Kongolit. Është autobiografik. Titullohet “Iluzione në sirtar”. Kam lexuar që ndokush e ka qortuar në gazeta autorin dhe librin në fjalë, por sipas meje ky libër duhet të shkaktojë një shock kulturor në këtë vend. Duhet ta shkaktojë, por nuk di nëse mund ta bëjë, pasi këtejpari nuk ndodhin tronditje; këtejpari çdo gjë është një ligatinë, ku uji i ndenjur është përzjerë me llucën, dhe kaq.

Në këtë libër Kongoli kalon në revistë jetën e vet, dhe ndalet përgjithësisht tek momentet shumë delikate e tek dobësitë e veta. Shkurt, i bie vetes bam, e bam, e bam, gjë që nuk është shqiptare. Kongoli pra është e kundërta e Saliut. Ky i fundit e fsheh jetën e vet, ndërsa Kongoli e nxjerr në shesh. Nxjerr në shesh edhe faktin që ka qënë dëshmitar në gjyqin që i është bërë dikujt për motive politike. Duhet të ketë qënë dëshmitar bash në atë kohë, kur Berisha bënte shetitje në Drilon me fëmijët e diktatorit (kjo është një përkitje pa asnjë domethënie; thjesht e thashë, ngaqë kështu më rezulton). Ky fakt i jetës së tij nuk është publikuar asnjëherë. Është Kongoli vetë që e thotë. Është një hesap, që ai e ka pasur me veten, dhe që me këtë libër e ka larë. I ka bërë dëm vetes? Sipas meje, absolutisht jo. Përkundrazi, Kongoli në sytë e mij është rritur pas këtij libri; ka marrë gati formën e një autoriteti moral. 



E thashë këtë për të nënvizuar një përfundim. Nëse ka njerëz të varur tek Berisha për shkak të së kaluarës së tyre (bashkëpunim me Sigurimin e shtetit, dëshmi e denoncime nëpër gjyqe, etj, etj), ka vetëm një mënyrë për të shpëtuar: të rrëfehen e të bëjnë një mea culpa. Kongoli nuk e ka bërë për këtë (s’ka gjë se politikisht ka qënë gjithnjë afër Berishës). Kongoli e ka bërë për një qëndrim a zgjedhje etike, morale, kulturore, për të cilën ia vlen të diskutohet gjatë në këtë vend. Është një libër që ta jep këtë shans, dhe shoqëria shqiptare nuk duhet ta lërë t’i ikë. Ndërsa berishianët duhet të ndjekin shembullin e Kongolit. Jo për të shpëtuar nga vetja, jo për një vetshqyrtim moral në planin personal me synimin për të përcjellë leksione publike, jo për të përcjellë mesazhin se heroin nga dhjaksi, dhe persekutorin nga viktima në kohët e regjimit të Enver Hoxhës i ndante shpesh një fije e hollë. Jo, jo, jo për këto arsye (ky është rasti i Kongolit), por thjesht për të shpëtuar nga Berisha. Kanë për ta bërë? Jo? Epo le të rrinë aty, pranë asaj kërme, era e së cilës po kutërbon dynjanë. 

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button