Home / Politika / Kuvendi i Shqiperise , dështojnë negociatat

Kuvendi i Shqiperise , dështojnë negociatat

Kuvendi vijoi debatet maratonë deri në orën 5.30 të mëngjesit të sotëm, për t’i rimarrë ato ditën e hënë. I gjithë debati u mbizotërua nga përplasjet dhe akuzat reciproke mes palëve dhe në përfundim dështuan edhe negociatat e zhvilluara për ngritjen e një komisioni hetimor për zgjedhjet. (UPDATE)

“Ju propozuat 3 pika, unë kërkova një pikë të katërt që ishte në respekt me Kodin dhe gjykatën. Por të vish të heqësh pikën time dhe të vendosësh një tjetër, c’kuptim ka”, deklaroi kryeministri Berisha. 

“Ne kemi pranuar tërë pikat e tua, sic i ke formuluar ti dhe kërkojmë një garanci, të ngarkohet KQZ-ja që të vërë në dispozicion materialet zgjedhore”, replikoi kryetari i grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruci. 

“Garanci për këtë, garanci për atë. C’kërkoni ju? Garanci ke ligjin”, reagoi Berisha. 

Replikat vijuan mes përfaqësuesve më të lartë të dy partive, me Rucin që bëri thirrje për një zgjidhje, të cilën sipas tij e kërkon edhe vetë KE. 

“Këtu është një moment dhe rendiment politik për të zgjidhur një krizë politike dhe ndoshta ka vend për një zgjidhje të madhe. Ky është haberi që u duhet dhënë partnerëve evropianë”, u shpreh Ruci. 

Por Berisha reagoi duke aluduar se kërkesat e PS janë vetëm një lojë e saj. “Vetëm 8 ditë pas dështimit për bllokimin e vizave ai thotë: “S’më duhet më gjë me kutitë, më duhet me numërimin”. Ka tallje më të madhe se kjo? Nuk mund të gjesh askund një makabritet të tillë”, tha Berisha. 

Reagimi nga radhët e opozitës ka ardhur nga deputeti Ben Blushi, i cili është rikthyer në Kuvend pas një mungese relativisht të gjatë. 

Gjatë fjalës së tij Blushi ka mohuar cdo përgjegjësi të opozitës në refuzimin e statusit të vendit kandidat nga KE. 

“Bojkoti i opozitës nuk solli përmbytjen në Shkodër. Bojkoti nuk e bëri Shqipërinë më të varfër. Kush mendon se do kishim marrë statusin po të mos kishim bojkotuar gabon, sepse Shqipëria qeveriset keq, me bojkot apo pa bojkot”, tha Blushi. 

Nuk u lanë pa prekur as fotot e publikuara në media, me kryeministrin Berisha që shfaqej pranë familjes së diktatorit komunist Enver Hoxha. 

“Ato foto të shkëlqyera si t’i gjej orgjinale! Do bëj një letër për t’i marrë ato. A e patë që 30 vjet më parë absolutisht sikur ishte 3 vjet më parë Sali Berisha”, tha kryeministri. 

“Gënjeu sic e ka zakon dhe tha se ato foto ishin të montuara. Po pyeti këta të dy, edhe Ilirin e Isuf Kalon, ke qenë me këta në varkë? Po kjo në oxhakun e shokut Enver, e montuar është kjo? Në minderet e Enver Hoxhës nuk ulej askush tjetër vecse një njeri servil si puna jote”, iu përgjigj Berishës deputeti Taulant Balla. 

Leave a Reply

Your email address will not be published.