Politika

Kryebashkiaku socialist i Pogradecit Artan Shkembi, jep doreheqjen

Kryebashkiaku socialist i Pogradecit, Artan Shkëmbi, ka dhënë sot publikisht, dorëheqjen e tij nga posti me argumentin se “nuk dëshiron të ndërhyjë apo influencojë në zgjedhjen e një kandidati të ri për këtë bashki.” Shkëmbi, nga selia e PS-së, deklaroi se dorëheqjen do t’ia paraqesë edhe me shkrim, Kryeministrit.

Artan Shkembi
Artan Shkembi

“Unë do t’i paraqes dorëheqjen time nga detyra, Kryeministrit Edi Rama, – tha Shkëmbi nga selia e PS-së, – sepse dua ta lë tërësisht të lirë rrugën për zgjedhjen e një kandidati apo kandidateje të re për të vazhduar punën time. Nuk dua të pengoj dhe as të influencoj në këtë zgjedhje të rëndësishme, aq më tepër në kushtet kur pas riorganizimit territorial bashkia e re ka një hapësirë shumë më të madhe përgjegjësie dhe sfidash për të përballuar.”

DEKLARATA E PLOTE E SHKEMBIT

“Jam sot para jush me një emocion të jashtëzakonshëm. Ndërkohë që po përmbyllet mandati im i tretë në krye të Bashkisë së Pogradecit, dëshiroj të përmbush edhe një detyrim tjetër të rëndësishëm ndaj Partisë Socialiste dhe Edi Ramës, i cili më mbështeti pa asnjë rezervë në kandidimet e mia, më ndihmoi me shembullin e tij si kryebashkiak botërisht i vlerësuar për suksesin dhe me këshillat e tij si lideri i socialisteve. Po edhe, më bëri të ndjehem pjesëmarrës aktiv i një procesi historik reformimi dhe transformimi të PS, – çka solli një gjeneratë të re në politike dhe rikthimin e socialisteve në qeveri pas tetë vitesh të rënda për Pogradecin e për gjithë Shqipërinë.

Sigurisht që pa PS dhe Edi Ramen une nuk do te isha dot kryebashkiaku i qytetit tim, por pa qytetaret e Pogradecit dhe mbështetjen e tyre të pakursyer për më shumë së një dekade, unë nuk do të isha ky që jam sot. Dhashë gjithë çfarë munda e dija për të bërë më të mirën për qytetin tonë. Jam krenar për gjithçka kemi arritur të ndryshojmë. Jam zemërthyer për disa gjëra që nuk arritëm të bëjmë dot sepse mundësitë tona financiare nuk na e lejuan dhe Sali Berisha u soll me Pogradecin si armiku më i betuar i historisë së qytetit tonë, duke mos firmosur asnjë qindarkë për projektet e panumërta që i çuam.

Jam i përulur përpara çdo votuesi që më ka besuar qoftë edhe njëherë për çdo zhgënjim që mund të kem krijuar pa dashjen time. Dhe u kërkoj ndjesë për çfarëdo gabimi që me siguri mund të kem bërë në kaq shumë vite pune të vështirë, plot pasion po edhe plot probleme për tu zgjidhur. U jam mirënjohës gjithë jetën pogradecareve dhe njerëzve të skuadrës sime në bashkinë e qytetit. Që nga nënkryetarët e deri tek pastruesit e qytetit pa asnjë dallim.

Zgjodha këtë dite sot për t’ju thëne të gjithëve se unë do t’i paraqes dorëheqjen time nga detyra Kryeministrit Edi Rama. Sepse dua ta lë tërësisht të lirë rrugën për zgjedhjen e një kandidati apo kandidateje të re për të vazhduar punën time.

Nuk dua të pengoj dhe as të influencoj në këtë zgjedhje të rëndësishme, aq më tepër në kushtet kur pas riorganizimit territorial bashkia e re ka një hapësirë shumë më të madhe përgjegjësie dhe sfidash për të përballuar.

Por njëkohësisht, dua pse jo të jap edhe një mesazh modest mirënjohjeje dhe përgjegjshmërie ndaj forcës sime politike, i cili mbase mund t’iu vlejë qindra të zgjedhurve që janë votuar falë mbështetjes së PS por që nuk do të jenë dot më kandidatë.

Jo vetëm s’kemi lindur për t’u plakur në karriget ku na kanë ulur të tjerët, por kemi detyrimin t’ia kthejmë familjes sonë politike investimin e bërë për ne, me gatishmërinë për të vazhduar t’i shërbejmë qoftë edhe si komisionerë të thjeshtë në zgjedhje. Faleminderit dhe mirënjohje të gjithëve,” – përfundon deklarata.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button