Politika

PD- Kater alternativa per Tiranen

Partia Demokratike është duke u përgatitur për të pasur një kandidaturë sa më të “goditur” për Tiranën në zgjedhjet vendore të 8 Majit.

Ndonëse zyrtarisht ende nuk është bërë asnjë emër publik, demokratët kanë të gatshëm një “arsenal” kandidaturash, të cilat janë përgatitur nisur nga karakteristikat që secili prej tyre mbart dhe rivalitetit konkret që mund t’i bëjë kandidaturës që do të ketë përballë në këto zgjedhje. 

Burimet brenda demokratëve bëjnë të ditur se aktualisht kandidatura më potenciale nën logon e PD-së, për këto zgjedhje është ajo e ministrit të Brendshëm, Lulëzim Basha, por rëndësi të madhe për përcaktimin përfundimtar të kandidaturës nga ana e demokratëve është emri që do të vendosë Partia Socialiste për Tiranën. 

Në kushtet e rikandidimit të kryetarit aktual të PS-së, Edi Rama, përsëri për Tiranën, demokratët do t’i nxjerrin përballë kandidaturën që e shohin si më të “fortën” e tyre dhe pikërisht ministrin aktual të Brendshëm, Lulëzim Basha. 

Ministri Basha i është bashkuar PD-së përmes Komitetit të Orientimit të Politikave, formacion ky që mblodhi rreth vetes të rinj të shkolluar në Perëndim dhe intelektualë të shquar në fillimin e vitit 2005. 

Me fitoren e demokratëve pas 2005-s, Lulëzim Basha ka mbajtur gjithmonë poste të rëndësishme në kabinetin “Berisha”, duke qenë ministër i Transporteve, i Jashtëm dhe aktualisht i Brendshëm, duke u konsideruar nga demokratët si model i të riut të suksesshëm në partinë më të madhe në mazhorancë. 

Por skema e demokratëve pritet të ndryshojë plotësisht në rast se PS do të vendosë të kandidojë për Tiranën, ndonjë nga deputetët e grupit të saj parlamentar. 

Në këtë rast, PD mund të shohë si më të përshtatshme të shpallë si kandidatin e saj për këtë garë, deputetin, njëkohësisht kryetarin e PD-së për Tiranën, Aldo Bumçi. 

Deputeti demokrat i Tiranës, shihet një kandidaturë e përshtatshme për këtë garë, nisur nga fakti se ai prej kohësh mban drejtimin e degës së PD-së në Tiranë dhe po kështu është një person i cili ka qenë pak i përfolur nga socialistët për abuzime ose afera të ndryshme. 

Megjithatë, Basha dhe Bumçi nuk janë të vetmet kandidatura të mundshme të demokratëve për zgjedhjet në bashkinë më të madhe në vend. 

Një kandidaturë e mundshme e PD-së, nisur nga moskandididimi i Edi Ramës nga ana e PS-së, është edhe ajo e deputetes demokrate të Tiranës, Lajla Përnaska. 

Deputetja, e cila tashmë ka mandatin e saj të dytë në Parlament dhe në kryeqytet është e njohur si një mjeke e respektuar nga një familje tradicionale tiranase. 

Një tjetër kandidaturë e mundshme për demokratët, në rast se socialistët paraqiten në këto zgjedhje me një kandidaturë nga shoqëria civile, është edhe ajo e ish-drejtorit të KESH-it, Gjergji Bojaxhi. 

Aktualisht, Bojaxhi është edhe kryeinspektori i ndërtimorëve të Tiranës, por demokratët e kanë të qartë ambicien e tij për të qenë më aktivisht pjesë e politikës brenda të djathtës. 

Gjergji Bojaxhi përfaqëson për demokratët figurën e një menaxheri të suksesshëm dhe një të riu të shkolluar në Perëndim. 

Aldo Bumçi, Lajla Përnaska dhe Gjergji Bojaxhi kanë qenë së bashku pjesë e garës për kryetarin e ri të demokratëve në Tiranë, garë e cila i dha të drejtën Bumçit të shpallej edhe kryetari i PD-së në degën e Tiranës, degë kjo me rëndësi të madhe për Partinë Demokratike. 

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button