Opinion

Nuk ju vjen turp fare ?!

AHMET DURSUN

ahmet dursunQenkeni përfundimisht budallenj! Për t’u mbyllur në çmendinë! Nuk jeni as një, dy apo tre për fat të keq! Po shtoheni si insekte! Çfarë dreq race jeni?! Çfarë kombësie, krahine, feje, ideje keni?! Ta dini, veçse me ne s’keni asnjë lidhje! Me çdo kënd po, por mes jush dhe ne s’ka asnjë lidhje! Kush jua mbushi mendjen të krijoni këtë grup armiqësor Eljan?! A ke farefis ti Jona?! Po ti Serena ke familje? Bekim me cilën organizatë terrori ke lidhje?! Cila çetë mafioze të jep zemër Ervin?! Kush ua dhuroi veturat më luksoze të Shqipërisë Alban? Kush ua mbushi portofolat Besnik? Orët, unazat, celularët ngjyrë platini i gjete në rrugë Erald? Hë, Artan! Do të kallëzosh apo …?! Ç’është kjo mendësi çuna? Ç’është ky projekt? Ç’është kjo poshtërsi? Do të kallëzoni apo t’ua kallëzoj unë? Hë! Turp të kini! (E dashur rini … Ju që jeni anëtarë në forumet rinore të partive legjitime në Shqipëri. Ky grup keqbërës do t’jua gllabërojë të ardhmen e shndritshme që secili prej jush ditë e natë përpiqet t’ia krijojë vendit tonë të shtrenjtë. Deri në këtë çast, të gjithë ju keni qenë të mrekullueshëm në përballimin e akteve të tyre destabilizuese. Unë si shqiptar, por pa të drejtë vote, uroj që t’ua prishni “ashtu si ndër vite e bëtë me vendosmëri”, edhe kësaj here qëllimet e mbrapshta këtij grupi, e nëse do të mundeni, pse jo, t’i sillni edhe këta në rrugën e drejtë në të cilën ju ndodheni).

Ju keqbërës! U përpoqët të ndaloni vrasjen e qenve të rrugës; u mblodhët qen e mace bashkë, ulëritët, e ngritët bashkinë në këmbë … E kuptuam idenë vrastare që në nisje … Ju kishit dëshirë të shikoni për së gjalli vëllavrasjet në rrugica, në rrugë e në bulevard apo jo? Sepse ne harxhuam të tërë plumbat për t’i vrarë qentë ndër vite dhe sot ia dolëm të jemi vendi më i qetë në Europë e matanë!

“Jeta nuk ka pjesë këmbimi”, thatë në sloganin për aksidentet rrugore dhe ngulët këmbë të ishte një orë e detyrueshme mësimi në javë që nga kopshti e deri në vit të tretë gjimnaz, për t’ua treguar fëmijëve se ç’është qarkullimi rrugor, që mos të humbin jetën, se veç ajo nuk ka pjesë ndërrimi … Me këtë nismë, dëshmuat se nuk keni besim në Zot! Atë që populli ynë e ka me tepri! Për inatin tuaj tashmë në parajsë është krijuar një bashkësi e madhe me fëmijët shqiptarë! Po t’ju dëgjonim ju, bosh do të ngelte parajsa!

“Shëndeti është liri” – bërtitet me të madhe! Ky ishte idiotllëku tjetër i juaj! Gjasme, ushqimet të jenë sa më natyrale, mos të jenë të skaduara, mos të jenë të krimbura! Treguat se nuk keni besim tek ilaçet, te mjekët, te spitalet! Mirë te këto, por ju nuk besoni as te mjekësia e popullit tonë, që deri tani në pesë fshatra është gjendur melhemi i kancerit! Pra, asaj më të keqes! Prisni pak, sa të dalin hithrat po s’ia gjetëm edhe Sidës!

Kjo pastaj është çmenduri fare! Mbollët me mijëra pemë vend e pavend! Dhe u zotuat se Shqipërinë do ta ndotim me pemë! E para, ne jemi vend mesdhetar çuna, ju deshët ta shndërroni në tropikal … Nuk duam të jetojmë me majmunë, tigra dhe me elefantë! Çfarë kuptimi ka të ketë gjithandej lule, pemë, gjelbërim! Hë, çfarë kuptimi ka? E dyta, kishit ndërmend në mes të pemëve të mbillni hashash! Në rrugë, në çerdhe, në shkolla, në spitale! Pizevengë! Dhe e treta ishte akoma më e tmerrshme dhe rrezik global! Ju, duke mbjellë pemë gjithandej, ISIS-i do ta kishte të lehtë përmes pyllit të vinte e t’i takonte miqtë e tyre në gjykata! Ndërkohë çuna, për inat ndaj jush, ne çdo rrënjë pemë e shkulëm … dhe sot ecim pa ndrojtje mbi të, sepse është guri ynë, dheu ynë, toka jonë! Ne dashurinë e përjetojmë kur e zhveshim atë, prandaj e zhveshëm edhe Shqipërinë! Po ju kurrë nuk mund ta kuptoni!

Mblodhët tapat e shisheve për karrocat e paraplegjikëve! E sabotuat ekonominë e tregut, ndërkohë që ata duhet të përdorin vetura dhe të paguajnë çmimin e naftës si gjithë të tjerët! Pse ne e kemi fajin që nuk ecin!

Çdo vit pastruat plehrat në bregun e detit, të përrenjve, liqeneve. Prishët ekosistemin pluralist të vendit tonë. Pa miza, mushkonja, insekte e larguat pushuesin nga mjedisi i tij natyral. U kthye në shtëpi pa pickime, pa kruajtje, pa gunga. U bëmë të pabesueshëm edhe ndaj vetes! Kam bërë apo s’kam bërë pushime? Filluam të flisnim me vete e veçse për fajin tuaj!

Iu bashkuat zërit të shkencëtarëve që kanë dy dekada që çirren duke thënë mos ndërtoni vend e pa vend, në buzë të lumenjve e sipër hidroforëve! Mos gërryeni më zhavorr, mos prisni pemët, mos e përdhunoni virgjërinë e shenjtë të natyrës! Tani pyetja është: sa herë kanë pasur të drejtë këta shkencëtarë të diktaturës? Në 24 vite çuna, vetëm njëherë është përmbytur Tirana … Shkodra e Lezha 5-6 herë, Jugu për herë të parë dhe me siguri në shtator do të jetë tharë!

Dhe së fundmi, ju ka kap meraku me pallatin te këmbët e digës së Tiranës! Ju thoni se nuk kemi asgjë kundër pronarëve, punëtorëve madje as ndaj firmës ndërtuese, por i paralajmëroni vetë ata dhe banorët e shumtë për një tragjedi që do të trokasë një ditë! E bazoni në shembuj, në dije dhe në shkencë, e jo në llafe … Të shtunën, ftoni çdo të ri e të re anëtare në forumet e çdo partie! Po të ishte kjo rini si ju çuna, sot do të bëheshim si e gjithë Europa. Të varfër, monotonë, të thatë, pa erë, pa formë, pa shije, pa ngjyra!

Nuk keni të drejtë t’ia zhvatni adrenalinën rinisë shqiptare. Nuk mund t’i kuptoni ata, çfarë emocioni do të kishin kur pallati që do të ndërtohet një mëngjes të jetë bërë komshi me pallatin e shigjetave … Fatkeqësitë e bëjnë më solidare, më të bashkuar, më të fortë një shoqëri çuna. A i patë delet sa të bashkuara qëndronin në ishujt e sajuar poshtë këmbëve në fushat e Fierit. Sa të trembura ishin, sa të pamundura, sa të bindura! Ndërkohë që ne me rininë anëtare po shihnim delet e mbytura, po prisnim të bënte gol Ronaldo! Jeni budallenj pra … Jeni aq budallenj o çuna, saqë një ditë kur t’i lexojnë këto rreshta dy djemtë e mi, do të doja të ishin sa gjysma e secilit prej jush, budalla!

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button