Kryeartikull

Shqiperia- nga punizmi , tek putinizmi

Refuzimi i ofertës më të fundit të opozitës për hetimin parlamentarisht vetëm të “materialeve zgjedhore”, është prova më e qartë se qeveria i trembet transparencës për shkak se votat në zgjedhjet e kaluara janë vjedhur. Asnjë Kushtetutë, asnjë ligj, asnjë sofistikim dhe yçkël juridike, nga ato që kanë më se një vit që shpikin juristët e Kryeministrit, nuk mund të justifikojë bllokimin e atij parimi që është jetik për një demokraci, parimit të transparencës. Një qeverisje e themeluar mbi vota të ndershme nuk ka asnjë arsye për të bllokuar “me ligj” transparencën. Një qeveri e dalë nga vota hallall do gjente te transparenca mbrojtjen e saj më të mirë.  Rihapje të kutive të votimit dhe rinumërim votash është bërë nga SHBA-ja e deri në Afganistan. Tani së fundi e njëjta gjë po ndodh edhe në Kosovë. Transparenca dhe rinumërimi i votave është një rutinë normale në demokraci. Vetëm në diktaturat totalitare dhe në pseudodemokracitë autokratike, ku vota grabitet nga pushteti, transparenca shpallet e ndaluar nga “ligji” dhe “Kushtetuta” sikundër po ndodh edhe në Shqipëri. Një provë tjetër që regjimi po i largohet demokracisë duke u prirur drejt autokratizmit. Kështu, 20 vjet pas rënies së regjimit punist, Shqipëria po rrëshqet drejt një regjimi putinist ku transparenca shpallet e ndaluar. Po si mund të ndodhte ndryshe me një Kryeministër autokrat si Sali Berisha që kishte dhënë prova qysh në vitin ‘96 si armik i votës së lirë?

* * *

Është qesharake të kërkosh mbështetje te Kushtetuta, te vendimet e institucioneve, gjykatave të kapura nga pushteti, te ligjet për të mbrojtur një manipulim dhe grabitje vote që u përmbyll me dhunimin e Kodit Zgjedhor nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve(KQZ). Sikur ky i fundit (KQZ) të kishte zbatuar ligjin duke pranuar kërkesën e dy anëtarëve të tij për të rinumëruar disa kuti, vendi nuk do të kishte hyrë në këtë krizë pa fund. Numërimi do kishte nisur, sikundër po ndodh në Kosovë, dhe do kishte përfunduar me kohë duke i dhënë secilit hakun. Por jo, shumica berishiste në KQZ kishte marrë direktivën të pengonte me çdo kusht transparencën e sanksionuar në ligj. Pse? Sepse votat janë vjedhur! Yçkla juridike mes paragrafëve mund të qëmtosh sa të duash. Por juristët e tipit “Gumi”, nuk e fshehin dot, edhe për një kohë shumë të gjatë, se ajo që po bëjnë, është mbrojtja e një vjedhje duke interpretuar ligjin siç i intereson vjedhësit. Po bëjnë një interpretim duke e nxjerrë ligjin dhe Kushtetutën në Shqipëri kundër transparencës. Po interpretojnë ligjin kundër frymës së ligjit! Prandaj ka ardhur koha të pyesësh: A e lejon ligji shqiptar transparencën si në SHBA, si në Kosovë, si në Afganistan, si në demokraci? Ligji e lejon, por nuk e lejon “Maliqi”, nuk e lejon “Putini” dhe “Lukashenko” i Tiranës. Përsëri, përse? Ka vetëm një përgjigje që këmbëngul, votat janë vjedhur.

* * *

Akuzohet opozita se gjatë një viti është tërhequr nga disa pozicione të saj. Është e vërtetë. Në fillim kërkoi edhe numërimin e fletëve të votimit. Më pas lëshoi për të mundësuar një konsensus. Dhe bëri mirë. Kjo qe dhe këshilla që vinte nga Perëndimi. Dhe kemi ardhur në momentin kur sot opozita kërkon vetëm hetimin e materialeve zgjedhore. Kërkon atë që kërkon edhe Rezoluta e Parlamentit Europian (PE) i cili, ka për detyrë që ta mbrojë këtë rezolutë të tij duke ushtruar presionin e nevojshëm mbi një qeveri që del hapur kundër kësaj rezolute. Ndryshe kjo krizë nuk zgjidhet dot me deklarata të tredhura ambasadorësh në Tiranë që bëjnë përgjegjës për krizën gjithkënd dhe askënd. Tashmë është koha për të nxjerrë përgjegjësitë reale. Mjaft me moralizime të përgjithshme “se partitë duhet të merren vesh”, se “kriza duhet të zgjidhet nga liderët shqiptarë”, se “kriza është çështje e brendshme e Shqipërisë”. Jo, pas rezolutës së PE-së që kërkoi hetimin e materialeve zgjedhore, kriza shqiptare është edhe çështje e PE! Më në fund PE duhet t’i japë fund diplomacisë me gjuhë magjistricash makbethiane dhe të tregojë me gisht përgjegjësit që pengojnë hetimin parlamentar të materialeve zgjedhore. Dhe këta përgjegjës janë qeveria shqiptare dhe disa institucione të kapura nga shumicat e saj legale dhe ilegale. Dhe kjo kapje nuk është më një sekret edhe për “ndërkombëtarët”. Kapja e institucioneve, e gjykatave nga politika është kryerrënja e të gjitha të këqijave që vuan sot vendi. Edhe e krizës së votës. Më kot nuk thuhet që Shqipëria nuk është ende demokraci. Jo më kot asaj nuk iu miratua statusi i kandidatit të BE.

* * *

Ka ardhur koha që Perëndimi të flasë qartë për të penguar rënien e Shqipërisë në autokratizëm absolut dhe bashkë me të, edhe në një korruptim absolut pushtetesh dhe institucionesh. Mbi të gjitha duhet vënë para përgjegjësisë ideatori i kësaj të keqeje të madhe për Shqipërinë, Kryeministri Berisha. Është e papranueshme që Europa të bëjë sikur nuk shikon sesi gjatë këtij viti, Berisha ka ndryshuar disa herë pozicion duke përgënjeshtruar vetveten. Europa tashmë duhet ta dijë se edhe oferta për hetimin vetëm të materialeve zgjedhore është bërë për herë të parë nga Berisha vetë. Ishte një blof i tij politik i luajtur me besimin se opozita nuk do hiqte dorë nga fletët e votimit. Dhe tani kur i kërkohet edhe nga PE hetimi vetëm i materialeve zgjedhore, Berisha nxjerr si pengesë, Gumin, Kushtetutën dhe lloj-lloj alogjizmash. Se është alogjike të deklarosh, si Berisha, që hetimet nuk mund të nisin të bazuara në dyshime, por vetëm mbi prova! E si kështu? Po të kishte prova para nisjes së çdo hetimi pse do të duhej hetimi? Ka dyshime se ka ndodhur një krim elektoral. Ai ndodhet i mbyllur në kuti. Duhet hapur kutia që të kërkohen provat e vjedhjes së votës. Ashtu sikundër nëse ka ndodhur një vjedhje në një dyqan të mbyllur dikush duhet të hyjë në të për të konstatuar se është vjedhur. Por Berisha nuk është konsistent në qëndrimet e tij. Po i njëjti Berishë, që këmbëngul të mos lejojë opozitën të hetojë materialet zgjedhore, me pretendimin se hetimi nuk nis pa prova dhe i bazuar vetëm në dyshime, deklaroi dje se EULEX mund të hetojë sa të dojë për çështjen e trafikut të organeve të hedhur në qarkullim nga Dik Marti. E si kështu? Përse EULEX mund të nisë një hetim pa pasur asnjë provë dhe bazuar vetëm në dyshime dhe Parlamenti shqiptar jo! Përse Berisha në një ditë mban dy qëndrime? Sepse ashtu i leverdis. Sepse nuk ka asnjë lidhje me të vërtetën. Se është i lirë të flasë si të dojë dhe të bëjë ç’të dojë pa i hyrë gjemb në këmbë. Berisha gëzon sot lirinë absolute të një autokrati putinist. Kjo do të thotë se të gjithë të tjerët, ne, opozita, media, shoqëria civile, biznesi, nuk jemi të lirë. Dhe se do të jemi edhe më pak të lirë nëse nuk i japim fund lirisë së Berishës për të mashtruar.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button