Home / Presidenciale / Presidenti Topi merr një mesazh nga Shenjtëria e Tij, Papa Benedikti XVI

Presidenti Topi merr një mesazh nga Shenjtëria e Tij, Papa Benedikti XVI

Presidenti i Republikës, Prof Dr. Bamir Topi mori sot një mesazh nga Shenjtëria e Tij, Papa Benedikti XVI me rastin e kremtimit të Ditës së 44-t Botërore të Paqes, e cila do të festohet më 1 janar 2011.

Mesazhi, që i dorëzua Kryetarit të Shtetit shqiptar në prag të festës së Krishtlindjeve nga Nunci Apostolik në Shqipëri, Arqipeshkv Ramiro Moliner Inglés, hapet fillimisht me urimet e Atit të Shenjtë drejtuar të gjithë burrave dhe grave vullnetmirë për një Vit të Ri sa më të qetë, të begatë dhe të paqtë.

Më tej Ati i Shenjtë, i fton të gjithë e çdokënd që të përtërijnë: “angazhimin për të ndërtuar një botë ku të gjithë të jenë të lirë për të shpallur fenë e vet dhe për ta jetuar dashurinë e tyre për Zotin më gjithë zemër, me gjithë shpirt dhe me gjithë mendjen e tyre.” – duke shtuar se: “Tek liria fetare, në fakt, gjendet shprehja e specifikës së njeriut, i cili mundet në këtë mënyrë ta rregullojë jetën e vet personale dhe shoqërore sipas Zotit, nën dritën e të cilit kuptohen plotësisht identiteti, kuptimi dhe qëllimi i njeriut.”

Kreu i Shtetit shqiptar i përcolli me këtë rast Shenjtërisë së Tij, Papa Benediktit XVI urimet më të mira për Festën e Krishtlindjeve dhe për Vitin e Ri 2011 së bashku me ftesën dhe dëshirën për ta takuar së shpejti në një vizitë zyrtare në vendin tonë.

Leave a Reply

Your email address will not be published.