Home / Presidenciale / Presidenti Topi uron besimtarët e krishterë me rastin e Krishtlindjes

Presidenti Topi uron besimtarët e krishterë me rastin e Krishtlindjes

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi i përcolli sot urime të përzemërta besimtarëve shqiptarë të krishterë, kudo ndodhen, përmes një mesazhi dërguar për Festën e Krishtlindjes, Arqipeshkvit të Metropolit Tiranë-Durrës, Imzot Rrok Mirdita dhe Kryepeshkopit të Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Fortlumtërisë së Tij, Anastas Janullatosit. 

“Të dashur bashkëkombës të krishterë, kudo ku jetoni e punoni,

Ju uroj nga zemra Gëzuar Krishtlindjen! 

Kjo festë e bekuar përcjell lumturi dhe u jep besimtarëve të krishterëve në mbarë botën gëzimin shpirtëror dhe shpresën për jetën. Ajo ka lindur në dritën e besimit, shpresës dhe dashurisë dhe për shekuj me radhë, na tërheq drejt vlerave të vërteta shpirtërore. Këto vlera luajnë një rol të veçantë edhe në historinë e kombit shqiptar dhe kanë ushqyer ndër vite kulturën tonë kombëtare.

Për besimtarët e krishterë shqiptarë, Krishtlindja është një ditë e bekuar dhe përbën një traditë të mirë për të treguar dashurinë për të afërmin, mbështetjen për ata që kanë nevojë, kujdesin ndaj familjes, ndihmesën ndaj të varfrit, mirënjohjen e sinqertë për njeriun e përkushtuar ndaj punës. Është e rëndësishme që këto vlera njerëzore të trashëgohen nga brezat e rinj, të cilët me veprimtarinë e tyre do t’i sjellin vendit begati dhe një të ardhme të suksesshme. Është e rëndësishme që këto vlera të dominojnë sidomos sot, kur një pjesë e popullsisë po përjeton momente të vështira për shkak të përmbytjeve, për të dëshmuar edhe një herë se në të mirë e në të keq, ne shqiptarët jemi përkrah njëri-tjetrit pa asnjë dallim.

Paqja, shpresa dhe gëzimi mbizotërofshin në shpirtin e në familjet tuaja! Le të jetë kjo ditë Krishtlindjesh plot gëzim, harmoni e begati! 

Gëzuar!” – thekson në mesazhin e urimit Kreu i Shtetit shqiptar.

Leave a Reply

Your email address will not be published.