Kosova

Muja kundër politizimit të inaugurimit të Teodosijes

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Ramadan Muja, megjithëse ka marrë ftesë, nuk do të marrë pjesë në ceremoninë fetare të së dielës në kishën ortodokse në Prizren, me ç’rast peshkopi serb Teodosije do ta marrë detyrën si peshkop i Rashkës në Prizren. 

Në ceremoni, sipas informacione që Muja ka marrë nga KFOR-i, do të marrin pjesë edhe presidenti i Serbisë, ministri i ashtuquajtur për Kosovë, dhe zyrtarë të tjerë serbë. 

Kryetari i Prizrenit, në një konferencë me gazetarë, ka shprehur brengosjen pse ceremonia fetare po merr konotacion politike. Gjithashtu, ai iu ka bërë thirrje qytetarëve që të mos u përgjigjen provokimeve eventuale nga serbët, në mënyrë që ceremonia të kalojë pa eksese. 

Kryetari Muja ka thënë se ka kërkuar sqarime nga KFOR-i, i cili do të sigurojë mbajtjen e kësaj ceremonie bashkë me Policinë e Kosovës, pse po lejohet që ceremonia fetare të marrë konotacion politike. 

“Gjenerali Stephan Thomas më informoi se në këtë ceremoni fetare që do të mbahet në Kishën Ortodokse serbe në Shatërvan do të marrë pjesë edhe presidenti Tadiq, i ashtuquajturi ministër për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, si dhe një ministër tjetër. Dhe unë nga gjenerali kam kërkuar të më shpjegoj se a është e informuar Qeveria e Republikës së Kosovës, dhe nëse është ceremoni fetare pse të marrë ajo ceremoni konotacione politike meqenëse në ceremoni do të marrin pjesë edhe përfaqësues të shtetit serbë të Qeverisë së Serbisë”, ka thënë kryetari i Prizrenit, transmeton KD. 

Muja tha se nuk do të marrë pjesë në ceremoninë që do të zhvillohet në Prizren, ngase nuk janë ftuar të marrin pjesë përfaqësuesit e lartë të Republikës së Kosovës. 

Arsye tjetër për të mos marrë pjesë është edhe fakti se Kisha Ortodokse nuk ka respektuar organet komunale, duke mos kërkuar leje formalisht për të shfrytëzuar sheshin “Shatërvan” dhe hapësirat e tjera publike, që do të shfrytëzohen për parkingje, për veturat e shumta që pritet të vijnë me këtë rast. 

“Nuk kanë marr leje për shfrytëzimin e “Shatërvanit”, sheshit të qytetit, për shfrytëzimin e parkingjeve për parkimin e autobusëve, me të cilët do të vijnë një numër bukur i madh serbësh në këtë ceremoni dhe unë pak informata kam marr disa ditë më herët nga gjenerali i KFOR-t gjerman, z. Thomas, i cili ishte në zyrën time dhe gjitha informatat që mi dha unë nuk kam pas haber për këtë ngjarje”. 

Muja iu ka bërë thirrje qytetarëve të kësaj komune mos t’i përgjigjen provokimeve eventuale që mund të vijnë nga serbët, që do të marrin pjesë në këtë ceremoni, duke bërë thirrje që ceremonia të kalojë qetazi.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button