Home / Arte / Libri / 11 libra për Nënë Terezën

11 libra për Nënë Terezën

100 vjetori i lindjes së Nënë Terezës u përmbyll të enjten, në Bibliotekën Kombëtare dhe Universitare, me përurimin e 11 librave dhe tre katalogëve kushtuar humanistes shqiptare. 
Duke folur për këtë vit jubilar, Shefki Ukaj, koordinator për shënimin e 100-vjetorit të lindjes së Nënës Terezë, u shpreh se institucionet e Republikës së Kosovës u përpoqën ta paraqesin gjithanshëm figurën e fuqishme të Nënës Terezë. Ai nuk la pa përmendur edhe buxhetin e ulët që është ndarë nga Qeveria e Kosovës për realizimin e kalendarit të ngjarjeve për figurën e Nënës Terezë. 

“Përkundër buxhetit modest, rreth 180 mijë euro, sa ka ndarë Qeveria e Republikës së Kosovës për realizimin e kalendarit të ngjarjeve për figurën e Nënës Terezë, ky jubile, kushtuar kësaj figure është shënuar me dinjitet në gjithë Kosovën. Këtë vlerësim e ka mbështetur në përmbajtjen e kalendarit, përmes aktiviteteve të ndryshme me karakter kulturor, artistik e shkencor, të tilla si veprimtaria botuese, ekspozitat, konferencat shkencore, paraqitja e filmave dokumentarë etj,” tha Ukaj. 

Edhe pse, sipas tij, për figurën e Nënës Terezë duhet të bëhet më shumë, Ukaj tha se institucionet shtetërore kulturore e shkencore të Republikës së Kosovës i kanë dhënë respektin e merituar kësaj figure, që me veprën dhe misionin e saj e ka nderuar kombin tonë. 

Ai ka veçuar katër ngjarje, që e kanë begatuar ndriçimin e figurës së Nënës Terezë: organizimi i Konferencës Shkencore Ndërkombëtare, ku u paraqitën 25 trajtesa nga shkencëtarët shqiptarë dhe ndërkombëtarë, botimi dhe ribotimi në shqip dhe në anglisht i disa librave kushtuar Nënë Terezës, Java e Filmave Ndërkombëtarë kushtuar Nënës Terezë, ku me përzgjedhje rigoroze u shfaqën 8 filma ndërkombëtarë, të cilët e ndriçojnë fuqishëm figurën dhe gjenezën e Nënës Terezë, si dhe mbrëmja kushtuar Nënës Terezë me moton: Miqtë e Kosovës, në të cilën u ndanë 14 mirënjohje për individët dhe organizatat humanitare ndërkombëtare, të cilët në rrethanat e paraluftës, gjatë luftës dhe pas luftës e ndihmuan në forma të ndryshme popullatën e Kosovës. 

Duke folur për librin “Jeta dhe vepra e Nënë Terezës”, me kumtesat e botuara nga Konferenca Shkencore Ndërkombëtare, e cila u organizua nga MKRS, Instituti i Historisë dhe Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës. 
Historiani Frashër Demaj tha se në këtë konferencë shkencore morën pjesë studiues dhe njohës të mirë të jetës dhe veprës së Nënë Terezës. 

“Në këtë konferencë shkencore u trajtuan shumë aspekte të jetës dhe veprës së Nënë Terezës, duke filluar që nga familja e saj, pastaj fëmijëria e Nënë Terezës, përcaktimi jetësor i saj, pastaj fama e Nënë Terezës, fama e shqiptarëve përmes Nënë Terezës, duke ardhur deri të kulmi i respektit që i bëri bota e civilizuar, duke e shpërblyer me çmimin Nobel,” tha Demaj. 

Ndërkaq, shkrimtari dhe publicisti Ndue Ukaj, duke folur për tri vepra të Don Lush Gjergjit, tha se këta tre libra para nesh, ‘Nëna e Dashurisë’, ‘Nëna Tereze- Shenjtëresha e dashurisë’ dhe ‘Nëna Tereze-Dashuria në vepër’, të botuara nga penda e artë e këtij autori, janë çasti monumental i përjetësimit të jetës, veprës, dashurisë dhe fesë së Nënë Terezës, në jetën tonë të përgjithshme kombëtare e ndërkombëtare. 

Sipas tij, këta tre libra janë një trini e shqyrtimit të jetës së Nënë Terezës, nga pikëpamje e këndvështrime të ndryshme. 

“Gonxhe Bojaxhiu u mishërua në jetën shqiptare, në botëkuptimet shqiptare, në traditën dhe kulturën shqiptare, falë punës gjigante të biografit Don Lush Gjergjit,” tha Ukaj. 

Ndërkaq, Ibrahim Kadriu, shkrimtar dhe publicist, ka folur për veprën e Sinan Gashit: “Nëna Terezë në arte” për të konstatuar se kjo monografi ka ofruar një pasqyrë të plotë mbi përkushtimin e krijuesve shqiptarë, në të gjitha fushat krijuese të artit, mbi portretin e Nënës Terezë, përkatësisht Gonxhe Bojaxhiut. Ndërkaq për veprën tjetër të autorit Anton Nikë Berisha: “Nënë Tereza në tri shpalime”, Kadriu ka theksuar se Berisha me këtë vepër ka sublimuar fuqishëm portretin e Nënës Terezë në disa vepra, duke u nisur nga romani i suksesshëm “Nëna e dritës”, pastaj te vëllimi poetik “Ujëvarë drite në zemër” dhe të një varg studimesh në të cilat portreti i Nënë Terezës na del shumëdimensional në aspektin shpirtëror të saj. 

Më tutje, duke u fokusuar në fotoalbumin e autorëve Don Ndue Ballabani, Tonin Çobani dhe Ylli Drishti “Nënë Tereza “(Nderimi në trojet shqiptare), Kadriu ka thënë se “kjo vepër në formë albumi në faqet e para kapërcen pragun e derës së shtëpisë, kombit dhe atdheut, ashtu sikur kapërceu ajo të gjitha këto pragje në mëngjeset e hershme të fillim shekullit të kaluar”. 

Don Lush Gjergji, duke folur për veprën e autorit Ibrahim Kadriu “Qerrja e dritës”, roman biografik për Nënën Terezë, ka theksuar se ky është romani i parë shqiptar kushtuar familjes Bojaxhiu. Ndërkaq përmbledhja poetike “Shpirti i dritës së amshuar” i autorit Rrok Berisha, sipas Don Lush Gjergjit, “i këndon bijës, motrës, Nënës Terezë – Gonxhe Bojaxhiut, tashmë së Lumes Nënës Terezë, asaj që u bë dhe mbeti Nëna e botës së mjerimit, me plot urti dhe ngrohtësi duke e ‘përpunuar’, lartësuar atë mbi të gjitha si fuqi feje dhe frymëzim dashurie”. 

Për poezitë e Nënës Terezë “Mësomë të dua” foli Sali Bashota, poet dhe drejtor i BKUK-së, i cili theksoi se Nënë Tereza, në poezitë dhe uratat e saj, nuk ka qenë vetëm e popullit shqiptar, por e tërë njerëzimit.

Leave a Reply

%d bloggers like this: