Home / Qeveritare / Pakti detar, Haxhinasto: Bisedimet e reja, nuk shmangin Presidentin

Pakti detar, Haxhinasto: Bisedimet e reja, nuk shmangin Presidentin

Në marrëveshjen e re për ujrat detare që Shqipëria dhe Greqia po rinegociojnë nuk do të shmanget institucioni i Presidentit ashtu sikundërse ndodhi me marrëveshjen e parë e rrëzuar kjo nga gjykata kushtetuese. Konfirmimi vjen nga ministri i Jashtëm Edmond Haxhinasto për News24. 

Haxhinasto deklaron se në këtë marrëveshje do të respektohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese, madje sipas tij, do te jete pike reference e marrëveshjes së re që po diskutohet mes Shqipërisë e Greqisë. 

“Me palën greke kemi diskutuar të gjithë hapësirën dhe mundësitë e avancimit për ta konkluduar këtë marrëveshje. Në asnjë mënyrë nuk do të shmanget asnjë institucion, aq më tepër Presidenti i Republikës. Vendimi i gjykatës është pika jonë e referencës, ashtu si dhe Kushtetuta e Shqipërisë për të vazhduar më tej në konkludimin e kësaj marrëveshje”,- tha Haxhinasto. 

Haxhinasto ka komentuar edhe incidentin e djegies së flamurut shqiptar nga tifozët maqedonas, gjatë një ndeshje basketbolli. Edhe pse e quajti një akt të papranueshëm, të organizuar nga persona tqë papërgjegjshëm, Haxhinasto tha se ky incident, nuk cënon marrëdhëniet mes dy shteteve. 

“Sigurisht këta nuk përfaqësojnë ndjenjën qytetare të maqedonasve dhe me provokimet e tyre nuk mund të ndikojnë aspak në marrëdhëniet shumë të mira që Republika e Shqipërisë ka me Maqedoninë. Sigurisht janë ngjarje të dënueshme, të cilat nuk duhet të ndodhin”, theksoi më tej Haxhinasto.

Leave a Reply

Your email address will not be published.