Kronika

Prokuroria kërkon kthimin në burg, Gjika në dorë të Gjinovefa Gabës

Tre gjyqtarë të Apelit të Vlorës do të shqyrtojnë ditën e sotme apelin e Prokurorisë kundër lirimit nga burgu të kryetarit të Bashkisë së këtij qyteti, Shpëtim Gjika. Mësohet se në trupin gjykues që do të shqyrtojë çështjen janë gjyqtarët Vasil Hanxhari, Skënder Domini dhe Gjinovefa Gaba.

Shpetim Gjika

Kjo treshe e Gjykatës së Apelit do të shqyrtojë ditën e sotme në seancë, ankimin e bërë nga ana e Prokurorisë kundër lirimit nga “arresti me burg” për Shpëtim Gjikën.

Më 13 shkurt 2015, Prokuroria e Vlorës njoftoi apelimin e vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor, e cila zëvendësoi masën e sigurimit nga “arrest në burg” në “detyrim për paraqitje” për shtetasin Shpëtim Gjika, me funksion kryetar i Bashkisë së Vlorës.

Prokuroria ka kërkuar rikthimin në masën “arrest me burg” për zyrtarin e dyshuar për konsumimin e veprave penale të “shpërdorimit të detyrës”; “falsifikimit të dokumenteve…”, “ndërtim i paligjshëm…” dhe “veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”. Organi i akuzës, në një material voluminoz, e ka bazuar kërkesën në prova e argumente të shumta, ndërkohë që ka të dhëna operative se kërkesa e Prokurorisë mund të mos pranohet nga ana e Gjykatës së Apelit Vlorë.

Në kërkesën e saj, drejtuar Gjykatës së Apelit Vlorë, Prokuroria ka renditur tetë argumente se ku ka gabuar Gjykata e Shkallës së Parë në zëvendësimin e masës së sigurisë për personin e dyshuar. Apelimi i bërë nga ana e Prokurorisë është hedhur në short dhe në përfundim të kësaj procedure, janë përzgjedhur për shqyrtimin e çështjes gjyqtarët Vasil Hanxhari, Skënder Domini dhe Gjinovefa Gaba.

Në Gjykatën e Apelit të Vlorës do të shqyrtohen edhe çështjet e dy të arrestuarve të tjerë më 6 shkurt 2015, të akuzuar në të njëjtën çështje me kryebashkiakun Shpëtim Gjika. Doriana Sulaj, drejtoreshë e Planifikimit të Territorit në Bashkinë Vlorë dhe biznesmeni Artur Haxhi u lanë në arrest me burg nga Gjykata e Vlorës, e cila nga ana tjetër la të lirë Shpëtim Gjikën.

Akuza bën fjalë për falsifikimin e lejes për një pallat 11-katësh në afërsi të Sheshit të Flamurit në Vlorë. Sipas Prokurorisë, pallati figuron me leje false, pasi pranë bashkisë dhe në KRRT nuk është paraqitur aplikim për leje dhe as është marrë vendim për lejimin e ndërtimit në fjalë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button