Kronika

Terrori: Identifikohet tritolvënësi i 10 shkurtit

“Njeriu me biçikletë” është Baftjar Bruka. Ishte në arrest shtëpie për tentativë vrasjeje

Sokol Çobo

Titolvenesi me biciklete farmacia TahiriIdentifikohet “njeriu me biçikletë” që terrorizoi Tiranën më datë 10 shkurt, duke vendosur në tri vende të ndryshme lëndë eksplozivi, ku në dy prej tyre objektiv i atentateve ishte familja e ministrit të Brendshëm. Prokuroria e Krimeve të Rënda thotë se personi në fjalë është Baftjar Bruka, një i afërm me familjen Gjuta, që kishte disa konflikte në distancë me policinë. Hetimet disajavore zbardhën se atentatori që shihet në disa pamje dhe që janë publikuar në media, është Bruka, i cili ka qenë i proceduar më parë për vrasje e mbetur në tentativë në Kukës.

Ekspertët e policisë kanë këqyrur disa orë filmime, të kryera nga dhjetëra kamera në Tiranë, në orët e para të 10 shkurtit. Në këto pamje shfaqet një person që lëviz me biçikletë. Ai besohet se niset nga zona e Linzës në Tiranë, në drejtim të farmacisë së babait të ministrit Tahiri, përballë spitalit të fëmijëve. “Njeriu me biçikletë” vendos eksplozivin dhe niset në drejtim të shkollës “Vasil Shanto”, ku lë në afërsi të një stacioni autobusi një pako me tritol. Më pas, ai lë në afërsi të shkollës së mesme “Petro Nini Luarasi” një biçikletë, ku në koshin e saj u gjetën disa ditë më pas një bombë artizanale, e cila nëse do të shpërthente mund të shkaktonte tragjedi. Në këtë bombë kishte 400 gramë tritol, 1.5 kg metale (gozhdë dhe saçme), si dhe 1.5 litër benzinë. Nëse do të shpërthente, metalet do të përhapeshin në një rreze të gjerë, duke u bërë rrezik për shumë banorë apo kalimtarë në atë zonë, që është mjaft e frekuentuar.

Për disa ditë apo edhe krahasimesh të këtyre pamjeve me persona konkretë, prokuroria arriti të identifikojë “njeriun me biçikletë”. Gjatësia, gjerësia apo edhe forma të tjera të trupit, kanë arritur në konkluzionin se atentatori i 10 shkurtit është Baftjar Bruka. Ai është i afërm me Vladimir Gjutën, i cili ka pasur probleme të mëdha me drejtësinë. Madje, edhe vetë Bruka akuzohet se më datë 27 qershor 2013, kanë tentuar të vrasin me armë zjarri Ardian Trotën, Besnik Axhamin dhe Osman Vokën. Ata u arrestuan nga Policia e Kukësit, për vrasje në rrethana cilësuese të më shumë se dy personave, të mbetur në tentativë. Gjykata e Kukësit caktoi masë sigurie “detyrim paraqitjeje” për Vladimir Gjutën, ndërsa arrest me shtëpi për Baftjar Brukën. Vendimi i Gjykatës së Kukësit është ankimuar nga Prokuroria dhe Gjykata e Apelit, Shkodër ka caktuar masë sigurimi “arrest në burg”, por arrestimi nuk është realizuar, si për këtë ngjarje, ashtu edhe për terrorin më 10 shkurt. Historia e Kukësit, për Gjutën dhe Brukën, është përmendur edhe në një rast nga ministri Tahiri, i cili i kërkonte Presidentit Nishani masa për gjyqtarët që i liruan.

Deklaratat

Tahiri: Ngjarja në farmaci, me qëllime terroriste

Ministri i Brendshëm, Sajmir Tahiri, foli për terrorin më 10 shkurt, ku tha se “ajo që ndodhi ishte një ngjarje terroriste dhe ata që e bënë janë sot në burg”. Në emisionin “Opinion”, u shpreh se “janë edhe dy persona në kërkim ndërkombëtar dhe do të kapen shumë shpejt. Pres që prokuroria të zbardhë edhe motivet”. Tahiri akuzoi opozitën se nuk e mbështeti në këtë ngjarje. “Ajo ngjarje më ka treguar se sa e pashpresë është opozita. Unë nuk kam parë në asnjë vend që ngjarje të tilla të ndajnë politikën”, vijoi ministri.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button