Home / Sporti / Anglezët sfidojnë festat, në fushë për “boxing day”

Anglezët sfidojnë festat, në fushë për “boxing day”

 Nëse e gjithë Evropa është pushim, të dielën në Angli luhet ajo që konsiderohet “Boxing day”. Britanikët do të zbresin në fushë për të zhvilluar javën e 20-të në kalendarin e Premier Ligës, duke u dhënë jetë stadiumeve në një ditë pushimi për ta. “Duke parë faktin se luhet në një periudhë të tillë, Premier Liga është më e bukur se Liga spanjolle, – tha mesfushori i Sitit David Silva, që këtë vit la Valencian për t’iu bashkuar skuadrës së Mançinit. – Po ashtu, Reali dhe Barcelona kanë shumë diferencë në Spanjë, ndërsa këtu janë shumë ekipe që luftojnë dhe diferencat janë të vogla”. E në fakt, sfidat e nesërme duken vërtet të forta, duke nisur nga ajo mes Njukasëllit dhe Mançester Sitit, Blekpulit dhe Liverpulit, Aston Vilës me Totenhemin dhe Mançester Junajtid me Sandërlendin, për të kulmuar të hënën në mbrëmje me derbin ndërmjet Arsenalit dhe Çelsit. Gjithsesi, sfida më e fortë e ditës duket se do të jetë ajo e “St. James Park” ndërmjet Njukasëllit dhe Mançester Sitit. Skuadra e Mançinit vjen pas disfatës 2-1 në shtëpi nga Evertoni dhe sot kërkon të rikthehet në rrugën e fitoreve, për të qenë në “valle” për titullin kampion. Tekniku italian ka rifituar Karlos Tevez, që më në fund ka bërë të ditur se nuk do të largohet nga “Eastlands”, megjithatë raportet mes tyre nuk duken ende aq të mira. “Ndoshta Tevez duhet t’u kërkojë falje tifozëve për të rifituar besimin e klubit dhe të tyre, – deklaroi Mançini. – Gjithsesi, për mua është e rëndësishme që ai të luajë mirë dhe të shënojë gola. Mendoj se tifozët ende e duan, pavarësisht gjithçkaje”. 
Ferguson 
Një betejë e vështirë të dielën do të jetë edhe ajo mes Mançester Junajtid dhe Sandërlendit. Trajneri Aleks Ferguson e ka quajtur periudhën më kritike këtë aktualen, duke thënë se nëse skuadra e tij arrin të qëndrojë në krye gjatë këtyre 10 ditëve, do të ketë shumë shanse për të fituar titullin kampion. Junajtid është ende i pathyeshëm në kampionat këtë sezon, ndërsa është 2 pikë larg vendit të dytë dhe për më tepër, ka një ndeshje më shumë për të luajtur. “Synimi im është që të jemi në krye më 4 janar, – deklaroi Ferguson. – Nëse e arrijmë këtë, atëherë kemi bërë një punë të mirë. Të shtunën duhet të kemi kujdes, sepse Stiv Brus ka ndërtuar një skuadër shumë të fortë. Sandërlendi ka marrë futbollistë të ndryshëm si Darren Bent, Asamoah Gian apo Xhordan Henderson”, shtoi skocezi. Në krahun tjetër, trajneri i Sandërlendit Stiv Brus ka pranuar se të luash ndaj Mançesterit nuk është aspak e lehtë në këtë periudhë, aq më tepër kur në stol është një si Ferguson. “Do të jem përherë borxhli ndaj tij, sepse është trajneri më i mirë që ka ekzistuar ndonjëherë, – tha Brus. – Cilado epokë qoftë, të drejtosh një klub për 24 vjet dhe të fitosh trofetë që ka fituar Ferguson, është e pabesueshme”, shtoi ai. 
Liverpuli 
Sfida mes Blekpulit dhe Liverpulit rrezikon të shtyhet për shkak të kushteve jo të mira në fushën e stadiumit “Bloomfield Road”. Drejtuesit e klubit të Blekpulit kanë bërë të ditur se përpara ndeshjes do të inspektojnë fushën, për të parë nëse ajo është në gjendje për t’u luajtur futboll apo jo. “Do të punojmë gjatë gjithë natës që fusha të përmirësohet”, bëri të ditur Blekpuli në një komunikatë. Ndërkohë, arbitri Majk Oliver do të inspektojë fushën në mesditë, për të vendosur nëse do luhet apo jo. 

ANGLI 
Të dielën 
Fulham-Uest Hem 
Blekbërn-Stouk 
Blekpul-Liverpul 
Bolton-Uest Brom 
Everton-Birmingam 
Man.UTD-Sandërlend 
Njukasëll-Man.Siti 
A.Vila-Totenhem 
Të hënën 
Arsenal-Çelsi 
RENDITJA 
Man.UTD 34 
Arsenal 32 
Man.Siti 32 
Çelsi 31 
Totenhem 27 
Sandërlend 27 
Bolton 26 
Njukasëll 22 
Liverpul 22 
Uest Brom 22 
Blekpul 22 
Blekbërn 22 
Stouk 21 
Everton 21 
A.Vila 20 
Birmingam 18 
Fulham 16 
Uigan 16 
Ulves 15 
Uest Hem 13 

Leave a Reply

%d bloggers like this: