Opinion

Llogaritë e Edi Ramës

SKËNDER MINXHOZI

Skender MinxhoziJa një pamje që do ta fuste në mendime cilindo politikan që përgatitet të hyjë në një fushatë zgjedhore pas pak javësh: një pjesë e qarkut ndodhet e përmbytur, një lagje e qytetit më të madh të zonës proteston për prishjen e rreth 130 shtëpive, ku do të kalojë traseja e një autostrade, kurse brenda qytetit vijon prishja e 1000 ndërtimeve pa leje. Si të mos mjaftojë kjo, kryetari i bashkisë i qytetit arrestohet dhe pasi pëson një atak në zemër, përcillet me urgjencë në spital. Kjo ishte Vlora e fillimit të muajit shkurt të këtij viti. Një zonë në gjendje emergjence natyrore, por njëkohësisht edhe një shesh betejash sociale, gjyqësore e pse jo, edhe politike.

Megjithatë, Kryeministri Rama nuk u duk i mëdyshur në linjën e tij. Ai nuk u tërhoq as para ujërave të Vjosës, as para banorëve të lagjes “Kushtrimi”, as para krizave të zemrës së Shpëtim Gjikës dhe as para pakënaqësisë së shurdhët që lë pas çdo “ekspeditë” e INUK-ut. Me përjashtim të vërshimit të ujërave, që nuk varen as nga qeveria e as nga opozita, si dhe përtej arrestimit të Shpëtim Gjikës, me të cilin formalisht merret drejtësia, mazhoranca (nënkupto Kryeministri), ka një shpjegim për gjithçka tjetër që po bën këto kohë. Qeveria thotë se ka nga një përgjigje për secilin nga aksionet, reformat radikale, masat ndëshkimore e politikat shtrënguese që po ushtron ndaj abuzuesve të energjisë, ndërtuesve pa leje, ashtu siç po ngulmon për të testuar kategoritë e ndryshme të profesionistëve që punojnë në sektorin publik – të gjitha këto janë pista, të cilat qeveria po përpiqet t’i ndjekë njëkohësisht, në mënyrë paralele, pa ceduar dhe lënë pas dore, qoftë edhe taktikisht, asnjërën prej tyre.

Duket sikur Rama i ka dhënë me koshiencë e me vullnet të plotë Shqipërisë, statusin e atij pacientit që e kanë shtrirë për ta operuar nga apendiciti, por që me këtë rast i bëjnë edhe një transplant veshkash, i vendosin një stent në zemër dhe i heqin bajamet. A ka organizëm që i mban njëherësh të gjitha këto ndërhyrje? Ose, e thënë ndryshe, a rrezikon me jetë ky pacient? Ja, kjo duket se është çështja kardinale e qeverisjes 18-mujore të Edi Ramës. Një kalërim i kreshpëruar drejt së panjohurës, që mbart me vete tendosjen dhe acarimin që po shkakton kjo politikë në shoqërinë e sotme shqiptare. Një qeveri i merr masat antipopullore në gjysmën e parë të mandatit dhe e zbut ritmin e goditjes në gjysmën e dytë të tij, thotë një sentencë politike e pashkruar.

Në vjeshtën e këtij viti do të jenë mbushur dy vjet që Edi Rama ndodhet në timonin e qeverisjes së vendit. Deri në atë datë simbolike, Kryeministrit i duhet të kalojë nëpër testin, jo edhe të vështirë në letër, të zgjedhjeve vendore. Në këtë hark kohor, ai ka marrë përsipër, me një lloj fatalizmi të panegociueshëm, rolin e vënësit të drejtësisë me çdo kusht, në vendin e shqiptarëve. Një angazhim që për hir të së vërtetës, ai e pati marrë qysh në ditët e fushatës elektorale të vitit 2013. Kryeministri ka vënë mbi tryezën e punës një listë reformash, shkurtimesh, masash represive, që duken të tepërta për këllqet e një qeverie të një vendi si Shqipëria. Kthimi i borxheve biznesit, hyrja në Lazarat, reforma e arsimit të lartë privat, disiplinimi i sektorit energjetik, shembjet masive të ndërtimeve pa leje, reforma në drejtësi, në shëndetësi, riformatimi i hartës territoriale, janë që të gjitha sfida ambicioze dhe garanci për sukses. Gjithmonë, nëse zbatohen ashtu siç pritet dhe nëse merren rezultatet pozitive të kalkuluara në fillim.

Por nuk është ar gjithçka shkëlqen. Vërtet kompanive iu kthyen borxhet e mbartura nga qeveria Berisha, por dje FMN-ja tha se kreditë e këqija nuk pësuan ulje, ndërkohë që ekonomia vijon të notojë në shifra pranë stanjacionit. Vërtet policia kreu një aksion spektakolar për të hyrë në Lazarat, por rendi dhe siguria janë larg se qenë perfekte. Ekonomia dhe rendi, dy thembrat e Akilit që qeveria e sotme nuk po arrin t’i drejtpeshojë, janë “pesha e vdekur” që po tërheq pas qeveria, në rrugën e gjatë të sfidave që i ka vënë detyrë vetes. Dhe që dëmtojnë indirekt edhe politikën e dorës së fortë që Rama ka vendosur të ushtrojë pa kompromis, edhe në këtë prag fushate elektorale.

Ky kontrast mes “shkopit dhe karotës”, pra mes goditjes së antiligjit dhe efektit qetësues të një ekonomie që prodhon vende pune dhe pasuri, duket se është në themel të riskut politik që Edi Rama po merr në këtë fushatë zgjedhjesh lokale. Kjo kontradiktë qëndron madje edhe në origjinë të sherreve në rritje që ai ka brenda grupit parlamentar dhe një pjese të bazës socialiste. E që mund të krijojnë jo pak kokëçarje, nëse nuk llogaritet me qetësi nga Rama dhe njerëzit që ka rreth vetes.

Jo rrallë këta muaj, kritikët e Kryeministrit kanë thënë se shumica duhet të mendojë fillimisht të dalë “e gjallë” politikisht nga mali i sfidave e konflikteve ku po e fut veten, e më pas të bëjë bilance që ende nuk shihen në horizont. Por edhe ndaj kësaj kritike, Edi Rama duket se e ka të gatshme përgjigjen. E cila thotë se “kur prish një dyqan pa leje, në katin e parë të një pallati, mërzitet vetëm i zoti i dyqanit, ndërkohë që gëzohen katër katet sipër tij”. Kjo është filozofia të cilës ai vijon t’i besojë edhe sot, kur humori gri i shqiptarëve po nis të rrethojë gradualisht punën e qeverisë. Të shohim nëse do të ketë të drejtë. Nuk do të na duhet të presim shumë. Qershori është pas dere.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button