Home / Qeveritare / Paketat e zemrës, 100% falas te Sanatoriumi dhe në Shkodër. Procedura për t’i përfituar

Paketat e zemrës, 100% falas te Sanatoriumi dhe në Shkodër. Procedura për t’i përfituar

Nga Ola Mitre

Paketat shëndetësore të Kardiologjisë, që financohen 100% nga Fondi i Sigurimeve të Detyrueshme të Kujdesit Shëndetësor, përveç QSUT-së, këtë vit do të ofrohen edhe në Spitalin e Shkodrës dhe në Spitalin Universitar të Mushkërive “Shefqet Ndroqi” (Sanatoriumi) në Tiranë.

Ilir_Beqaj-e1422095597107Lajmi është bërë publik nga ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, gjatë një takimi të zhvilluar në ambientet e Shërbimit të Kardiologjisë, në QSUT, ndërsa theksoi se përgjatë 2015-ës do të ketë rreth 2000 përfitues më tepër se në vitin 2013. “Do të kemi tri qendra publike, që në radhë të parë shtojnë kujdesin për qytetarët. Po t’i shtojmë edhe rreth 1 mijë procedura që i kemi të programuara me buxhetin e Fondit (FSDKSH) te privatët, ne arrijmë në 2015-ën dyfishimin për dy vjet. Mund të duket si statistikë, por janë 2 mijë njerëz më shumë në 2015-ën, në krahasim me 2013-ën, që me paratë publike, ose në spitalet publike, ose në spitalet jopublike të financuara nga Fondi me paratë publike, do të arrijnë të marrin këtë shërbim”, – u shpreh Beqaj.

Procedura

Ndërkaq, sipas Fondit të Sigurimeve të Detyrueshme të Kujdesit Shëndetësor, pacientët do ta përfitojnë shërbimin sipas një listë pritjeje, me rregulla të qarta e transparente. Rruga që duhet të ndjekin të interesuarit nis nga zbatimi i sistemit të referimit, për të pasur më pas konsultën e shërbimit. Kjo do të thotë se, çdo person duhet të paraqitet fillimisht te mjeku i familjes, tek i cili është i regjistruar. Nëse mjeku i familjes e gjykon që diagnostikimi apo trajtimi i rastit kërkon konsultë më të specializuar, atëherë e rekomandon për te specialisti përkatës. Më pas, mjeku specialist pranë poliklinikës së specialiteteve në rreth, shtron pacientin në spitalin e rrethit ose e referon atë për konsultë apo trajtim më të specializuar në poliklinikën e specialiteteve të rajonit përkatës, duke e pajisur me rekomandimin përkatës. Ndërkohë që, mjeku specialist pranë poliklinikës së specialiteteve në rajon shtron pacientin në spitalin e rajonit ose e referon atë për konsultë apo trajtim më të specializuar në vizitat ambulatore te Spitalet Universitare, të pajisur me rekomandimin përkatës. Është pikërisht shërbimi përkatës në QSUT, ai që do të marrë vendimin nëse pacienti ka nevojë për një paketë shërbimi apo jo. Nëse përgjigjja e këtij shërbimi është pozitive, pacienti drejtohet në zyrat e Fondit, ku bën regjistrimin. Ai fillimisht regjistrohet në institucionet shëndetësore publike në përputhje me kapacitetet e lira të raportuara pranë zyrës së Fondit dhe në rast se, në datën e përcaktuar, nuk ka vende të lira në institucionin shëndetësor publik, atëherë nëpunësi i autorizuar i sektorit, bën regjistrimin e pacientit në mënyrë të barabartë në institucionet shëndetësore private të kontraktuara nga Fondi. Pacientit i merren të dhënat anagrafike dhe adresa, për t’u kontaktuar më pas nga Fondi në momentin e krijimit të mundësisë për marrjen e shërbimit.

Paketat

Aktualisht, FSDKSH financon edhe në 5 spitale private 10 paketa shëndetësore, ku bëjnë pjesë: Dializa, angioplastika koronare, angiografia koronare, pacemaker definitiv, by pass aorto koronar, interventet valvolare, interventet kongenitale, transplanti i veshkave, terapia e flakjes akute dhe implanti koklear për fëmijët që nuk dëgjojnë.

Leave a Reply

Your email address will not be published.