Opinion

Edhe sa kemi për të parë akoma?

Mimoza Koçiu
Mimoza Koçiu

Është krejt e pabesueshme se si aktorët më të lartë politikë në vend po zhyten thellë e më thellë në një betejë të paprecedentë akuzash publike, jo më për korrupsion, siç jemi mësuar prej një çerek shekulli, por si porositës vrasjesh brenda të njëjtit mjedis politik, me shifra vërtetë marramendëse. Kutinë e Pandorës e hapi Tom Doshi, “i forti” që prej 10 vitesh ul e ngre kartonin si ligjvënës në parlamentin e Shqipërisë në radhët e Partisë Socialiste, një biznesmen i njohur, që sipas raporteve monitoruese për Kuvendin, kryeson listën e deputetëve më të pasur.

Shpallja e luftës me kryeministrin e vendit, apo deklaratat se kur të fillonte të fliste do tronditeshin themelet e mazhorancës e qeverisë ishin si rrufe në qiell të hapur edhe për vetë shefin e tij, që nga aksioni në aksion, politik a elektoral të Partisë Socialiste, e kishte rritur profilin vendimmarrës të Tom Doshit. Heshtja krejt e pashpjegueshme e kryeministrit pas këtij shantazhi sfidues publik u pasua me një veprim logjik të tij, përjashtimin e Doshit nga grupi parlamentar, pasi bashkëjetesa e mëtejshme, edhe pas gjesteve elokuente të Tom Doshit ndaj shefit të qeverisë në parlament, dukej absurde. E nëse kryeministri me këtë gjest na provoi zyrtarisht se nuk e pranonte shantazhin publik, heshtja e mëtejshme e tij nuk u vë aspak kapakun akuzave që ka lëshuar Tom Doshi për ditë me radhë. Ato e kanë tronditur aq fort kryeministrin, sa ky i fundit, që shquhet për kujdesin për çdo rifiniturë në imazhin e tij, harroi se duhej t’i jepte kornizën formale përjashtimit të Doshit, një vendim institucional i votuar në grup e i shpallur më pas në publik. Kjo do heshtonte edhe zërat në rritje se grupi socialist nuk është aspak i unifikuar rreth kryeministrit. Por edhe do i shpëtonte të paktën formalisht nga sikleti i lexueshëm publik deputetët socialistë, që pas mbledhjes së kryesisë, nuk po gjenin dot daljen për t’u shpëtuar mikrofonave të mediave, në fund të një mbledhjeje, që në vend t’i qartësonte e kompaktësonte, dukej se i kishte konfuzuar më keq. I vetmi “shpëtimtar” racional doli Ben Blushi, që rezultoi më i kthjellëti në kupolën drejtuese, duke kuptuar se partia në qeverisje kishte përballë një publik të tërë, gjithë sy e veshë në dyert e selisë rozë. Ishte Ben Blushi që tentoi edhe në vënien e pikave mbi “i” mbi atë përplasje që tronditi opinionin, e për të cilën i sulmuari kryesor e i vetëm, kryeministri i vendit, nuk po fliste. A ishte përplasja e Doshit me Ramën “historia e dy shokëve të ngushtë që mbeti mister se pse u prish… e që po i vë një damkë të madhe Partisë Socialiste”?

Padyshim që damka u vu pas deklaratës bombë që lëshoi Tom Doshi në dyert e selisë rozë, se Ilir Meta paskësh porositur një atentat ndaj tij e deputetit demokrat Mëhill Fufi dhe se prej muajsh Edi Rama, ministri i Brendshëm e Prokurori i Përgjithshëm kishin dijeni për këtë. Deklarata e menjëhershme e SHBA-ve që përshëndesin përjashtimin e Doshit na tregoi se kryeministri kishte marrë konsulencën e duhur për atë vendimmarrje, ndërsa ka përpara një tjetër sfidë, dekriminalizimin e formalizuar nga opozita me bekimin e BE në dhjetor të vitit të kaluar e të rikujtuar nga ambasada amerikane e BE në deklaratat e ngjashme. Një sfidë që do e kuptojë si të rëndësishme vetëm pasi po sprovohet vetë. E kjo sfidë i fillon te një aksion që sapo e ka iniciuar vetë, kriminalizimin e shpifjes për shkak të detyrës, ndaj dy deputetëve të opozitës, Paloka e Ristani, për akuza të bëra në emër të Partisë Demokratike, më pak tronditëse se ato të ish-deputetit të tij, Tom Doshi.

E nëse kryeministri i vendit nuk e ka thënë ende me zë e figurë nëse akuzat e Tom Doshit janë të vërteta apo shpifje, këtë gjë nuk e ka bërë as me veprime. Kryeministri që thërret në zyrë Prokurorin e Përgjithshëm si ta kishte ministrin e vet, për një çështje ku është i përfshirë edhe vetë, nuk është aspak lajm i mirë për zbardhjen e të vërtetave, që po zhurmohen me deklarata të njëpasnjëshme akuzuese Parti Socialiste, Lëvizje Socialiste për Integrim e Parti Demokratike. Një Prokuror i Përgjithshëm që shkon në zyrat e qeverisë, e pasi del prej andej shpall nisjen e hetimit kryesisht, për akuza që janë bërë një ditë më parë, nuk është lajm inkurajues për zbardhjen e së vërtetës. Një kryeministër e një kryetar Kuvendi që nuk bëjnë kallëzim penal për akuzat tejet të rënda, që u janë adresuar publikisht nuk është ogur i mirë se drejtësia do zbardhë të vërtetat. Një “zbardhje” e detajuar që i bëhet ngjarjes nga ish-kryeministri i vendit përpara dyerve të selisë blu tregon se me sa fanatizëm palët kanë gjurmuar veprimet e njëri-tjetrit. Një paralajmërim nga LSI për ish-kryeministrin Berisha se duhet të ruajë qetësinë, pasi të enjten do ketë surpriza për të në Kuvend është një shantazh i ngjashëm me atë të deputetit Doshi, por i bërë në mënyrë shumë elegante.

E përveçse kësaj historie ku aktorë janë politikanët më të lartë në vend po i shtohen detajet e një stili mafioz në politikë, askush nuk po bën apologji për përfshirjen e “të fortëve” nëpër fushatat elektorale e shpërblimin e mëpasshëm me funksione vendimmarrëse, pavarësisht denoncimeve publike. Edhe kur është e pranuar se të fortët janë mikpritur në politikë, pikërisht për shkak të cilësive të veçanta për të marrë ose mbrojtur me forcë votat që sigurojnë karriget qeveritare. Është një pajtim i heshtur i politikës me këtë model, që u ka ardhur më shumë për shtat ta marrin në krah, sesa ta luftojnë e t’i presin rrugën që në gjenezë.

Akuzat e këtyre ditëve që nisën me Tom Doshin, e me kundërpërgjigjet e Ilir Metës e Sali Berishës nuk mund të justifikohen si luftë për përfitime politike, sepse e kanë kapërcyer tashmë vijën e kuqe të “çudisë që zgjat tri ditë”.

Të gjithë dëgjuam akuza që nuk mund të harrohen lehtë, e as thjesht të shënjojnë fushatën zgjedhore të radhës si armë për rivalin politik. Llogaria është e thjeshtë: si ai që shpif, ashtu edhe ai që kryen vepër penale, duhet të përfundojnë para drejtësisë. Fajtori e viktima duhet të ndahen qartazi, për të vërtetuar se ndryshimi mes të fortëve e atyre që e kanë futur në politikë nuk është i padukshëm, siç po rezulton ditët e fundit. Prokurori i Përgjithshëm këtë herë testin nuk e ka thjesht me klasën politike, por me të gjithë shoqërinë përballë “politikejve” të të gjitha ngjyrave.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button