Kosova

Veseli priti deputetët e Deklaratës së 2 Korrikut

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, takoi sot një delegacion të ish-delegatëve të Kuvendit të Kosovës, të cilët më 2 korrik të vitit 1990, shpallën Deklaratën Kushtetuese.

veseli-priti-deputet-euml-t-e-deklarat-euml-s-s-euml-2-korrikut_hdVeseli vlerësoi lart kontributin e delegatëve të 2 korrikut, që nëpërmes këtij akti shprehen qartë vullnetin politik të qytetarëve të Kosovës në atë kohë. “Shpallja e Deklaratës kushtetuese të 2 korrikut ishte një moment i rëndësishëm historik në rrjedhën e përgjithshme të lëvizjes sonë për liri dhe pavarësi”, tha ai.

Kryetari Veseli, gjatë takimit u njoh me shqetësimet e ish-delegatëve të Deklaratës kushtetuese lidhur me statusin e tyre, i cili parashihet të rregullohet me një ligj përkatës që aktualisht është në proces të draftimit. Veseli theksoi se do të angazhohet që ky proces të përshpejtohet.

Ish-delegatët e 2 korrikut 1990 kërkuan nga kryetari Veseli përkrahjen në këtë drejtim, si dhe mbështetjen institucionale me rastin e shënimit të 25-vjetorit të shpalljes së Deklaratës kushtetuese.

Kryetari Veseli u shpreh se në kuadër të këtij shënimi do të organizojë një vizitë njoftuese të ish-delegatëve të 2 korrikut në ambientet e Kuvendit të Kosovës, do të mbështes botimin e një monografie për legjislaturën e asaj kohe, si dhe organizimin e një seance simbolike më 2 korrik të këtij viti në sallën e Kuvendit nga vetë ish-delegatët e vitit 1990.

“Liria dhe pavarësia e Kosovës është një vepër e madhe e popullit të Kosovës, ku të gjitha gjeneratat, në kohë dhe rrethana të ndryshme kanë dhënë kontributin e tyre, e pra edhe delegatët e 2 korrikut”, theksoi Veseli.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button