Home / Intervista / Tom Doshi: Mark Frroku më njoftoi për atentatin, Durim Bami e dinte që po regjistrohej

Tom Doshi: Mark Frroku më njoftoi për atentatin, Durim Bami e dinte që po regjistrohej

Deputeti Tom Doshi rrëfen në emisionin “Top Story” të gazetarit Sokol Balla, mënyrën se si ra në kontakt me personin që sipas tij, është paguar për të kryer atentatin ndaj tij dhe deputetit Mhill Fufi. Zoti Doshi tha se deputeti Mark Frroku e kishte njoftuar dhe e kishte prezantuar me “atentatorin” Durim Bami.

1425587548doshistorytopZoti Doshi unë sapo pashë videon që ju keni regjistruar me vrasësin me pagesë të pretenduar nga ju dhe të paguar sipas vrasësit dhe sipas jush nga Ilir Meta dhe një plani vënë në ekzekutim nga një seri emrash që i përmendi edhe Ministri Saimir Tahiri gjatë konferencës për shtyp. Desha që për shkak të ndjeshmërisë së çështjes, kjo është një video e regjistruar nga ju. Durim Bami a ka qenë në dijeni se biseda po regjistrohej?

Po ka qenë.

A ka qoftë mundësinë më të vogël që për shkak se ai e dinte që intervista po regjistrohej, të ketë qenë në një farë presioni prej jush?

Jo, asnjëherë!

Ju me Durim Bamin i referoheni një bisede në të shkuarën që keni bërë me Kryeprokurorin Adriatik Llalla, pra intervista është bëra pas takimit me Adriatik Llallën?

Po.

Dhe është bërë para takimit të dytë tuajit dhe Durim Bamit në zyrën e Tahirit?

Këtë nuk mund ta përcaktoj. E kam takuar aq shumë atë Durimin këtë kohë. E kam kontaktuar përditë sepse mendoja që po e eliminojnë sepse mendoja që ata e morën vesh që ky ka bërë takim me mua dhe ishte i vetmi dëshmitar që njihte ndërmjetësin mes Ilirit dhe Durimit, që ishte Toni. Toni, Durimi dhe grupi tjetër.

Të qëndrojmë pak tek mënyra se si ju ratë në kontakt me vrasësin e pretenduar prej jush, Durim Bamin. Pra si ndodhi, si erdhi tek ju?

Unë kam qenë në Budva me familjen, më mori në telefon Mark Frroku dhe më tha që ku je se dua të të takoj se është një problem urgjent. I thashë që për dy ditë kthehem. Kur u ktheva më thotë që kam takuar një person që unë e njoh dhe më ka thënë që Ilir Meta ka paguajtur lekë për të të eliminuar ty dhe Mhill Fufin. Më erdhi shumë papritur dhe e çuditshme sepse me Ilir Metën kemi ndenjur disa herë për drekë e darka. Kemi shkuar në Dukagjin bashkë, më 30 korrik festuam edhe ditëlindjen e Taulant Ballës.

Do t’i rikthehemi raportit, për mua të çuditshëm që keni me Ilir Metën, në kuptimin që të paktën jeni konsideruar gjithmonë një njeri i afërt me këtë. Të qendrojmë pak tek personazhi i bisedës tuaj, Durim Bami. Thatë që ishte Mark Frroku personi që ju telefonuar dhe ju tha që e njihte Durim Bamin. Mark Frroku është deputet i Partisë Kristiandemokrate, është një ndër njerëzit tuaj më të afërt, keni bashkëpunuar ngushtë gjatë zgjedhjeve të vitit 2013 dhe prap nuk them ndonjë sekret të madh që zoti Frroku ndoshta ju detyrohet gjysmën e mandatit ju në Qarkun e Shkodrës. Zoti Frroku, jo ai personalisht ka një problem me drejtësinë, vëllai i tij, Arben Frroku që akuzohet për vrasjen e Kryekomisar Dritan Lamaj. Një nga personat i akuzuar zyrtarisht nga prokuroria si bashkëpunëtor dhe ndihmues i Arben Frrokut është një person, s’e di tamam mbiemrin, por që akuzohet se ka ndihmuar zotin Frroku duke vjedhur makinën me të cilën ai ka realizuar vrasjen e Dritan Lamaj. Sipas burimeve jozyrtare të prokurorisë, jam informuar se Durim Bami është shok me këtë person, si ndihmues i Arben Frrokut në vrasjen e Lamajt. A keni dijeni, a keni folur me Arben Frrokun që ju tha se e njihte Durim Bamin, rrethanat, kishte apo jo lidhje me këtë person të akuzuar si bashkëpunëtor, si ndihmës në vrasjen e Dritan Lamaj?

Nuk kam dijeni as nuk e di se kush ka qenë i ndaluar për punën e makinës.

Është një person që aktualisht rezulton i rrëmbyer nga policia, është rrëmbyer pak kohë më parë dhe një nga dëshmitarët kyç në proçesin ndaj Arben Frrokut.

Durimin e kam takuar vetëm njëherë me Markun. Më pas i kam bërë takimit gjithmonë vetëm.

Pra roli i Mark Frrokut në këtë histori është thjeshtë prezantimi që ai të ka bërë me Durim Bamin?

Vetëm kaq.

Pse i besoni kaq shumë versionit të Durim Bamit?

Për të vërtetuar këtë pasi u ktheva nga pushimet më mori Mark Frroku dhe më tha shkojmë pimë një kafe. Ishim tek hyrja kryesore e “Sheraton”. Më thotë që po vjen një djalë me një bluzë portokalli me syze dhe ky është personi që të ndjek ty. Aty po rrija jashtë. Erdhi ky djalë me bluzë portokalli, me syze, më pa aty, u kthye dhe iku. Kur dola i thashë Markut do të ecim në këmbë. Ky djali me bluzë portokalli po priste në makinë. Vazhduam rrugën, unë hipa në makinën time dhe atë natë, nuk i rashë nga Ministria e Shëndetësisë, por i rashë nga rruga Qemal Stafa. Kur erdha te porta e shtëpisë, kur frenoi shoferi te dritat pashë këtë djalin me bluza portokalli.

Kush ishte ky sipas informacioneve që more më pas?

Ky është Rezi, i thonë këta. Djali i xhaxhait të Tonit dhe ky ishte personi që më ndiqte mua kudo.

Pra kjo është prova që ju konfirmoi se rrëfimi i Durim Bamit ishte i besueshëm.

S’e kisha takuar akoma Durimin. I thashë Markut ta takoj njëherë këtë person, a pranon të më takojë? Po më tha Marku. E takova një natë dhe ai rrëfeu të gjithë ngjarjen. Është një djalë, është në moshë dhe e ka emrin Toni e ka një restorant Viva. Ai më ka ardhur në emër të Ilir Metës, jo se i ka thënë që vij në emër të Ilirit, por i ka thënë që porosia është për Ilirin. I ka thënë janë 500 mijë euro për Tomën. Është edhe në video, kur i kanë thënë njëherë 200 mijë, e më pas i ka thënë që dua 500 për Tomën dhe 100 mijë për Mhill Fufin se kanë menduar që Mhilli është kollaj se ikën natën vetëm në shtëpi se e kishin marrë informacion edhe lëvizjet e Mhillit. Me thënë të drejtën, duke bërë lidhjet që edhe Mhilli meqë u vra një person që ishte me Monikën në zgjedhjet në Laç…

I referoheni ngjarjes së vetme të dhunshme të zgjedhjeve të 23 qershorit?

Këtë të gjorin, që nuk jeton më, më pati thënë edhe Iliri njëherë që e kemi pasur shumë mik. Njëherë më pat thënë që vajza ime e vogël akoma e përmend, kaq shumë e ka dashur. Unë bëra lidhjen që thashë; mirë për mua po them që s’është e vërtetë, po për Mhillin? Unë bëra lidhjet që i njëjti person ka bërë një porosi për të dy.

Tahiri në deklarimin e tij ju akuzon ju se keni ndryshuar në dy raste ose më shumë versionin tuaj mbi autorësinë. Në fakt edhe në bisedën e regjistruar me Durim Bamin ai referohet një tavoline miks, ku shfaqet Eugen Beci, tashmë ish-prokuror i Krimeve të Rënda dhe i transferuar nga Adriatik Llalla, shikohen në atë video gjithashtu edhe Ylli, pra pronari i lokalit Viva, së bashku me Fatjon Skënderin, baxhanakun e tij, pra së bashku me Eugen Becin në të njëjtën tavolinë. Por Durim Bami në dëshminë që ju ka dhënë ju flet edhe për ju flet edhe për ish-nëndrejtorin e policisë, Agron Kuliçaj, flet gjithashtu për kunatin e Berishës dhe zoti Tahiri në dëshminë e tij publike thotë se ju fillimisht keni akuzuar ish-kryeministrin Berisha për këtë ngjarje dhe më pas keni ndryshuar versionin tuaj dhe në takimin e fundit në zyrën e tij keni përmendur ju më shumë se sa Durim Bami emrin e Ilir Metës.

Kjo s’është e vërtetë! Të parin njeri që i kam thënë përveç gruas time, sepse dihet që këto gjëra edhe ndodhin se janë vrarë edhe të tjerë, deputetë. Të parit njeri i kam thënë gruas që po më ndodhi gjë e kemi prej Ilir Metës. Ja kam thënë edhe Ilirit këtë. E di edhe ai vetë kur e kam takuar. Të parit njeri i thashë Edi Ramës më 30 gusht në Durrës, kemi bërë atë analizën, në pushim të drekës Rama po pinte një cigare në ballkon dhe i thashë që kam një bisedë me ty. I thashë më ka ardhur informacion që Ilir Meta ka paguajtur lekë për të më vrarë dhe më kanë vendosur eksploziv te makina me një motor picash. Shprehimisht ka qenë fjala e Edi Ramës: Tomë të ka ruajtur Zoti! Ndër të tjera, se dua të sqaroj edhe publikun, më tha atë ditë që ne pesë deputetë po festonim ditëlindjen e Markut dhe nuk shkuam në votim, Ilir Meta dërgoi Nasip Naçon dhe si përfundim unë thashë që nuk votoj sot. Pas Nasipit erdhi vetë Iliri. Rama më tha: Ou më bëri përshtypje, si mua edhe Gramozit, si e la parlamentin ky edhe erdhi tek ti?! Për këtë punë e paska bërë, për të mbuluar gjurmë?! Pra ishte që unë lë parlamentin, kaq mik të kam.

Leave a Reply

%d bloggers like this: