Kryeartikull

Pse Berisha nxiton të largojë Metën

ANDREA STEFANI

Andrea StefaniThelbi i kërkesës së PD-së për dorëheqjen e Ilir Metës nga posti i Kryetarit të Kuvendit, është pretendimi se prokuroria nuk mund ta bëjë hetimin për akuzat e Tom Doshit për sa kohë që ndodhet nën kërcënimin e një zyrtari të lartë të pushtetit si Meta. Kërkesa është shprehje e dyfishtë e dinakërisë primitive politike të Berishës, por edhe e mendësisë së tij prej politikani autokrat që s’mund të besojë kurrë se një pushtet (ekzekutiv apo legjislativ) nuk mund të ndërhyjë në punët e pushtetit të drejtësisë.

***

Për dinakërinë primitive të Berishës, që kërkon të anashkalojë rezultatet e hetimeve të prokurorisë, do të flasim më poshtë, por që në krye të herës, duhet të themi se kërkesa për dorëheqjen e një zyrtari publik, në këtë rast të Metës, për shkak të një akuze për organizim të një atentati me qëllim vrasjen e një deputeti, bazuar vetëm te llafet e një, dy apo disa personave dhe pa pritur rezultatet e hetimeve nga prokuroria, është një mënyrë krejtësisht në kundërshtim me praktikat e një shteti të së drejtës. Është një prirje arrogante, vullnet dhe imponim autokratik për të mos i bazuar vendimmarrjet e rëndësishme politike në hetimet dhe verifikimet e institucioneve të pavarura. Por kërkesa për dorëheqjen e Metës shfaqet edhe më komike, deri në absurd, pasi është mësuar se deri edhe vetë “atentatori” ka pranuar para prokurorëve se atentati kundër Tom Doshit dhe Mhill Fufit është një inskenim i vetë Tom Doshit. Pas kësaj, veprimet e opozitës berishiste mund të shpjegohen vetëm me qëllime politike që mund të arrihen me këmbënguljen dhe kokëfortësinë për të respektuar gënjeshtrën, duke mbyllur sytë para së vërtetës.

***

Sali Berisha, edhe kur proteston kundër qeverisë “Rama”, ka në kokë modelin e ish-qeverisë së tij. Kur bërtet se prokuroria nuk mund të hetojë dot akuzën e Tom Doshit sa kohë që Ilir Meta është në postin e Kryetarit të Kuvendit, ka parasysh pikërisht vetveten më “21 janar”, kur nga posti i Kryeministrit përdhunoi rrugaçërisht dhe kriminalisht, me fjalë e me vepra, prokurorinë duke sharë tamam si lavire bulevardi Ina Ramën “lavire bulevardi” dhe duke kryer krimin (për të cilin nuk është dënuar akoma) e pengimit të prokurorisë për të marrë në pyetje disa gardistë që dyshoheshin se kishin kryer krimin e vrasjes së protestuesve paqësorë. Në një shtet normal duhet të ndodhë pikërisht e kundërta e asaj që pretendon Berisha. Është thuajse aksiomatike që institucionet e pavarura, si prokuroria, duhet të jenë të lira dhe të afta të përballojnë edhe presionet e segmenteve të politikës apo ekzekutivit. Shpeshherë, prokurorisë do t’i duhet të bëjë pikërisht ato hetime që segmente të inkriminuara të politikës nuk duan që ajo t’i bëjë. Të pretendosh, si Berisha, se prokuroria nuk mund të hetojë si duhet çështjen Doshi sa kohë që Meta është në postin e Kryetarit të Kuvendit, është provë e qartë e një mendësie të vjetër që e koncepton pavarësinë jo si liri, jo si forcë dhe integritet të pamposhtur profesional të institucioneve, por si një lëmoshë të qeverisë apo Parlamentit për to. Shkurt që, institucionet të punojnë si duhet, sipas Berishës, duhet me patjetër që qeveritë apo parlamentet të jenë dakord me gjithçka ato bëjnë! Po nëse paska një harmoni të tillë mes qeverisë dhe institucioneve të pavarura që ngrihen pikërisht për të krasitur abuzimet e qeverisë, përse na duhen institucionet e pavarura?! Ndaj institucione si prokuroria dhe gjykatat, duhet të jenë të afta të mbeten të pavarura dhe të hetojnë dhe gjykojnë të pavarura, edhe kur qeveria apo segmente të politikës kanë vullnet politik të kundërt me misionin kushtetues të institucioneve. Vullneti i mirë politik i qeverive do të ishte mbështetje e mirë, por kurrsesi ai nuk mund të jetë themelor për punën e institucioneve të pavarura. Prokuroria duhet ta hetojë të vërtetën mbi “atentatin Doshi” edhe sikur Meta të mos dojë të dalë e vërteta për të. Por ne na duket se në këtë rast, nuk është Meta, por Berisha që nuk do të dalë e vërteta. Dhe është ekstremi i hipokrizisë të kërkojë dorëheqjen e dikujt vetëm për ca fjalë kazani pikërisht ai që nuk dha dorëheqjen kur gardistët e tij vranë, me shumë gjasa të urdhëruar prej tij, protestues paqësorë mu para dritares dhe syve të tij.

***

Përveç mendësisë autokratike është edhe një dinakëri e atij që e bazon aksionin politik te gënjeshtra dhe mashtrimi, ajo që e shtyn Berishën të mos presë rezultatet e hetimeve. Taktika e Berishës është ajo e rrufjanit politik, e shantazhuesit që kërkon të përfitojë politikisht me nxitim pa i dhënë kohë prokurorisë për të hetuar si qëndron e vërteta bazuar mbi fakte. Kështu veproi edhe më 14 shtator 1998 kur akuzoi Fatos Nanon për vrasjen e Azem Hajdarit. Kështu veproi edhe më 21 janar 2011 kur pa pritur hetimet e prokurorisë, akuzoi opozitën për vrasjen nga afër të protestuesve me pistoletë.

***

Dhe në fakt, edhe më 14 shtator edhe më 21 janar, Berisha ia arriti qëllimit politik. Thirrjet e tij se Hajdarin “e vrau qeveria”, prandaj “ta shporrim qelbësirën”, eksituan turmat e fanatikëve të tij që të armatosur deri edhe me bazuka dhe tanke, pushtuan Kryeministrinë dhe Radio Televizionin Publik. E vërteta është se Berisha e përmbysi qeverinë Nano me dhunë bazuar pikërisht në një gënjeshtër (e ka pranuar vetë më vonë si të tillë) dhe ishin vetëm ndërkombëtarët që e detyruan të strukej me bisht ndër shalë në selinë e PD-së. Edhe më 21 janar, akuzat për puç dhe armatosje të opozitës me çadra pistoletë apo thika helm, i shërbyen që të topisë veprimin opozitar, atë të institucioneve dhe të komunitetit ndërkombëtar ndaj krimit ekstrem të vrasjes së protestuesve. Në fakt, arriti që t’i frenojë ndërkombëtarët me gënjeshtra, sepse këta të fundit, edhe kur dikush i gënjen, kanë prirjen normale që të presin rezultatet e hetimit edhe për gënjeshtrën.

***

Është lehtësisht e kuptueshme pse nxiton Berisha të përfitojë politikisht kur sapo ka hedhur në qarkullim akuza false. Sepse, edhe dje, edhe sot, është i vetëdijshëm se po t’i jepet kohë hetimit, prokuroria nuk mund të zbulojë gjë tjetër, veç gënjeshtrave të Berishës. Askush më shumë se gënjeshtari nuk është më i vetëdijshëm se gënjeshtra e tij i ka këmbët e shkurtra. Prandaj, nxiton të vjelë frytet politike prej gënjeshtrës sa pa dalë e vërteta që do ta pamundësonte një gjë të tillë. Në raste të tilla, mashtruesi Berisha është në garë me kohën. Prandaj edhe sot, nxiton që të korrë fitore politike, duke larguar Ilir Metën sa nuk është provuar katërçipërisht, se e gjithë kjo puna e planizmit të vrasjes së Tom Doshit paska qenë një skenar ndoshta i vetë Tom Doshit.

***

Dhe janë nxitimi i ethshëm i Berishës, përpjekja e tij për të përfituar politikisht nga një akuzë ende e pafaktuar, harmonia mes kësaj akuze, me shumë gjasa false, dhe gjakimit të Berishës për t’u rikthyer sa më shpejt në pushtet, kërcënimet e tij hitleriane se po nuk u dorëhoq Meta do të bëhet kiameti në Shqipëri, që shtojnë dyshimet se skenari i atentatit të Doshit, po zbatohet nga Doshi, por nuk është konceptuar nga ai.

Related Articles

Nje koment

  1. Berisha nuk bazohet ne llafet e nje apo dy personave por ne deklaratat e nje deputeti te mazhorances dhe ne nje vide regjistrim qe mbetet per tu shqyrtuar por kerkesa per doreheqjen e Metes ka baze te forte. Pervec kesaj qendron fakti se prokuroria kishte 6 muaj kohe per te vepruar pavaresisht se nuk kishte kallzim qe eshte vetem nje justifikim. po ashtu si eshte e mundur qe ministri i brendshem takon nje jeri qe pranon te jete vrases dhe e le te lire jo vetem ate por edhe porositesin te largohet duke e ditur cili eshte. Artikulli juaj ka te verteta por edhe shume vrima qe mundohen te mbulojne diellin me shoshe

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button