Kronika

Eliminohet Alterteksti, tashmë tekstet do të jenë të unifikuara

Struktura e sistemit arsimor parauniversitar pas vitit 2015 do të vazhdojë të ruajë strukturën 5+4+3, ndërkohë që ishte parashikuar që kjo të ndryshonte në 6+3+3.

libraNdryshimet në ligjin për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë parashikojne ruajtjen e kësaj strukture, pasi është parë se kjo skemë kushtëzohet nga niveli i kompetencave profesionale të mësuesve që punojnë në arsimin fillor.

Ministria e Arsimit ka depozituar një nismë ligjore në parlament, ku mes të tjerash propozohen edhe ndryshime me tekstin shkollor, i cili parashikohet të përzgjidhet përmes konkurrimit të barabartë, transparent dhe të bazuar në standardet dhe procedurat e përcaktuara me udhëzim të ministrit.

Risi e ndryshimeve të propozuara është fakti që tekstet për nxënësit do të jenë të unifikuara. Në këtë kuptim, në të gjitha institucionet shkollore të sistemit parauniversitar, tekstet e nxënësve, të konceptuara për lëndë dhe/ose fushë të të nxënit sipas klasave, do të jenë të njëjtë, ndryshe nga larmia e teksteve që gjenden aktualisht brenda së njëjtës klasë dhe për të njëjtin titull.

Ndërkaq, tekstet do jenë të certifikuara nga ministria. Shpërndarja dhe shitja e teksteve shkollore bëhet nëpërmjet njësive tregtare të shitjes së librave ose në pika të tjera shitjeje pranë shkollave nga subjekte të licencuara. Çmimet e shitjes së teksteve shkollore vendosen në tekste nga botuesit dhe vlerësohen nga ministria në procesin e certifikimit. Sipas ligjit të ri, nxënësve të shkëlqyer në vite do t’i jepet e medalje e artë.

Shqipëria ka përdorur që nga viti 2005 një sistem të njohur si Alterteksti, ku kompani private të botimit dhe shpërndarjes së librit marrin licenca për librat që përgatisin nga një komision në Ministrinë e Arsimit dhe i shpërndajnë nëpër shkolla. Reforma e Altertekstit e ndërmarrë në vitin 2005 qe njëkohësisht një privatizim i sektorit të prodhimit të teksteve të librave shkollorë dhe një liberalizim i pjesshëm i tregut.
Ideja ishte që pasi Ministria e Arsimit të licenconte prodhimin e disa teksteve për të njëjtën lëndë, mësuesit do të mund të zgjidhnin librin që ata e konsideronin si më të mirë, duke krijuar konkurrencë në një treg që më parë qe një monopol publik.

Përveç licencimit të teksteve të lejuara për t’u përdorur në shkolla, qeveria imponoi edhe çmime tavan për shitjen e këtyre teksteve te nxënësit. Përgjatë dekadës që pasoi, mjaft kompani private prodhuan një numër të madh tekstesh alternative. Por, vitin e kaluar, Ministria e Arsimit dhe e Sportit e shpalli të dështuar reformën e Alterteksti.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button