Home / Politika / Rama në prokurori, Tahiri 4 orë dëshmi. Meta: Gati të ballafaqohem me Doshin e Berishën

Rama në prokurori, Tahiri 4 orë dëshmi. Meta: Gati të ballafaqohem me Doshin e Berishën

Ashtu siç edhe pritej Kryeministri Edi Rama i është drejtuar Prokurorisë së Krimeve të Rënda për të dëshmuar mbi “vrasjen e porositur” ndaj deputetëve Tom Doshi dhe Mhill Fufi. Në orë 12:00 Rama ka hyrë në institucionin e akuzës i shoqëruar nga shefi i kabinetit qeveritar ndërsa pas rreth një ore ka përfunduar dëshmia e tij.

Kryeministri Edi Rama duke forlur per gazetaret ne hyrje te Gjykates se Larte

Ndërsa më herët Kryetari i Kuvendit u paraqit në Prokurori, duke iu përgjigjur pozitivisht ftesës së saj për të dëshmuar lidhur me akuzat e deputetit Tom Doshi se ka porositur vrasjen e tij dhe të deputetit të PD-së, Mhill Fufi.

Pas dëshmisë së dhënë per rreth 90 minuta, Meta ka folur për gazetarët ku ka theksuar disa herë se është i gatshëm të ballafaqohet me Tom Doshin dhe Sali Berishën. Pas Metës, ka qenë Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri që i është drejtuar Prokurorisë për të dhënë dëshminë e tij. Tahiri ka dëshmuar për rreth 3 orë e gjysmë në Prokurori dhe më pas ka folur për gazetarët shumë shkurt, duke deklaruar se “duhen lënë institucionet të flasin”.

Në Prokurori ka shkuar edhe deputeti i Partisë Kristian Demokrate, Mark Frroku. Sipas deputetit Tom Doshi, Frroku ishte personi i parë që e ka njoftuar për atentatin ndaj tij.

META: GATI TË PËRBALLEM ME DOSHIN DHE BERISHËN

Ora 8:30- Meta tha se pas akuzave të Doshit qëndron Berisha. Pas daljes nga Prokuroria, kreu i Kuvendit ka shkuar në Ministrinë e Brendshme, ku është takuar me Saimir Tahirin. Ministri Tahiri do të jetë i dyti që do të dëshmojë në lidhje me çështjen “Doshi”.

“Siç e shihni sapo kam përfunduar dëshminë time me thirrjen e bërë nga Prokuroria e Krimeve të rënda dje dhe i jam përgjigjur pyetjeve të bëra nga prokurorë e kësaj çështjeje, lidhur me akuzat dhe pretendimet e zotit Doshi dhe zotit Berisha në lidhje me tentativën e gjoja vrasjeve të dy deputetëve. Konfirmoj gatishmërinë time totale për të qenë në dispozicion në çdo moment dhe çdo ditë përfshi të shtunën e të dielën, përveç të enjten që e kam shpallur ditën e doktorit, në mënyrë që bashkëpunoj me prokurorinë për hetimin e plotë të kësaj çështje, duke ju nënshtruar ligjit. Gjithashtu do të përballesha me Doshin e Berishën dhe cilindo që ka prova”, ka thënë Meta.

Kreu i Parlamentit e ka quajtur deputetin Doshi, antiprovë dhe tha se videon e tij mund ta marrë për provë vetëm doktori, duje iu referuar Berishës. “Videon e Tomës me Tomën, për provë vetëm doktori mund ta marri. Ndërsa për Tomën si person besoj se e keni të qartë që përbën më shumë një antiprovë. Gjithsesi jam këtu në respekt të shtetit ligjor. Ua kam theksuar disa herë prokurorëve se jam i gatshëm për çdo ballafaqim në prokurori. Se çfarë pretendon zoti Doshi, kjo është një çështje e tij. Video e Tomës me Tomën nuk përbën fakt serioz. Vetë Toma është një antiprovë”, theksoi Meta.

“Jam i mallëngjyer dhe i prekur shumë nga thirrja që më ka bërë kreu formal i PD-së për të dhënë dorëheqjen në mënyrë që të ndihmojë hetimet. Dua t’ju konfirmoj se ndaj meje nuk ka asnjë akuzë. Kur kjo kërkesë vjen nga zoti Basha, është mjaft impresionuese. Se vetë Basha është i akuzuar për aferën 230 mln euro të rrugës Durrës-Kukës. Bëri çdo gjë për ta mbyllur çështjen për shkak të procedurave. Ai është një model i shkëlqyer për tu marrë shembull se si i hapet rruga hetimit. Ilir Meta është vërtetë kreu i kuvendit, detyrë shumë e nderuar. Por Ilir Meta nga kreu i kuvendit dhe deputet nuk ka asnjë ndryshim në raport me drejtësinë. Unë jam këtu dhe kam shprehur gatishmërinë për tu ballafaquar me zotin Doshi, me zotin Berisha që ka thënë edhe ai se ka prova. Nuk kam asnjë shqetësim. Zoti Doshi do të respektohet si një ndër 140 deputetët nga kreu i kuvendit”, tha kreu i Kuvendit.

Meta deklaroi se pas akuzave të Tom Doshit qëndron Sali Berisha dhe garantoi se pavarësisht sulmeve do tja japë fjalën pa u kursyer çdo të enjte, duke konfirmuar kështu se nuk do të dorëhiqet.

“Akuzat vijnë nga Doktori tani, nuk vijnë më nga Toma pasi Toma kaloi me Doktorin. Sepse ju e dini shumë mirë se para një jave kishte problemin e dy drejtoreshave dhe të disa ministrave. Pasi Grupi Socialist mori vendimin që nuk pranoi shantazhin e tij për drejtoreshat dhe për ministrat, dolën akuzat kundër Ilir Metës dhe tani në krye të këtyre akuzave qëndron Doktori i cili sidoqoftë vazhdon të mbetet i preferuari im dhe të cilin e siguroj se pavarësisht nga angazhimi i tij i jashtëzakonshëm në këtë çështje absurde, unë do t’ia jap fjalën pa u kursyer dhe pa u lodhur që ai t’i thotë të gjitha të vërtetat çdo të enjte”, tha Meta.

I pyetur për deklaratat e tij në parlament ku tha se ka një video nga Dritan Prifti në lidhje me Shkëlzen Berishën, Meta u shpreh se kjo është një çështje tjetër.

“Këto janë çështje të tjera. Unë jam këtu dhe do të jem këtu sa herë të më kërkojë prokuroria. I gatshëm për t’u ballafaquar me të dy akuzuesit e mi, me Tom Doshin dhe me Doktorin”, përfundoi Meta.

Meta është paraqitur që në orën 8:00 ku u prit nga Zv.Prokurori i Krimeve të Rënda, Blerim Tominaj. Dje në Kuvend, opozita kërkoi dorëheqjen e kreut të Kuvendit, pas mocionit të shkarkimit që kishte paraqitur dhe që ishte firmosur nga vetë Meta. Por, ai deklaroi se ishte plotësisht i gatshëm ta kalonte mocionin e PD-së për votim sipas procedurave por jo të jepte dorëheqjen.

TAHIRI NË PROKURORINË E KRIMEVE TË RËNDA: TË LËMË INSTITUCIONET TË FLASN

Ora 10:05- Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri është paraqitur në Prokurori për të dhënë dëshminë e tij në lidhje me akuzat e ngritura nga deputeti Tom Doshi dhe video-regjistrimin e bërë me Durim Bamin, personin e përfolur se kishte marrë porosinë për vrasjen e dy deputetëve.

“Unë thashë gjithçka jam vënë në dijeni gjatë gjithë kësaj kohe. Ja thashë prokurororëve duke shpresuar se kjo që bëj unë është ndihma më e madhe që prokuroria të bëjë hetime të plota për të zbardhur këtë ngjarje. Më vjen shumë keq që publiku është ngarkuar me gjithë këtë, të lëmë institucionet të flasin”, tha Tahiri.

 

KRYEMINISTRI RAMA SHKON NË PROKURORI

Ora 12:00- Pas ftesës që Prokuroria e Krimeve të Rënda u bëri një ditë më parë krerëve kryesor në vend për të dëshmuar mbi çështjen në hetim ndaj akuzave të deputetit Tom Doshi, Kryeministri Edi Rama është paraqitur në organin e akuzës. Në orën 12:00, Rama ka hyrë në ambientet e Prokurorisë, ku do të pyetet për denoncimin publik të bërë nga Doshi.

DEPUTETI MARK FRROKU NË PROKURORI

Ora 12:48- Deputeti i Partisë Kristian Demokrate të Shqipërisë, Mark Frroku është paraqitur në Prokurorinë e Krimeve të Rënda për të folur mbi paralajmërimin që i ka dhënë deputetit Tom Doshi se ndaj tij po organizohej një atentat. Aktualisht në Prokurori janë të pranishëm edhe Ministri Saimir Tahiri dhe Kryeministri Edi Rama.

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka thirrur sot për të dhënë deklarimet e tyre lidhur me akuzat edhe deputetin Mhill Fufi, ish-kryeministrin Sali Berisha dhe prokurorin Eugen Beci.

Po sot rreth orës 14:30 pritet të jepet masa e sigurisë për Durim Bamin.

Leave a Reply

%d bloggers like this: