Kronika

Aliko: Akuzat e Policisë ndaj meje nuk i besojnë as fëmijët

alikomorecunKreu i komunës së Lazaratit, Dashnor Aliko nuk pranon asnjë prej akuzave që janë ngritur ndaj tij, për të cilat ai edhe po hetohet. Në një prononcim për “Gazeta Shqiptare”, Aliko është shprehur i gatshëm për t’u paraqitur para organeve të drejtësisë në çdo moment që ata do e thërrasin, pasi ai nuk ka lidhje me asnjë prej akuzave që i kanë vënë. 

Dy ditë më parë, Policia e Shtetit, përmes një njoftimi zyrtar ka bërë me dije se ka nisur edhe procedimi penal në gjendje të lirë për 55-vjeçarin, banues në fshatin e Lazaratit, i cili mban edhe detyrën si kreu i kësaj komune. Duke iu referuar të dhënave nga policia, mbi Alikon rëndojnë akuza shumë të rënda, siç janë akuzat për “vrasje në rrethana të tjera cilësuese, mbetur në tentativë”, “organizim dhe drejtim i organizatave kriminale”, “moskallëzim krimi”, “përkrahje e autorit të krimit”, “forma të veçanta të bashkëpunimit”. 

Sipas policisë, në ditët e para të operacionit policor, Alikos i është dhënë mundësia që të negociojë me grupin që qëllonte ndaj policisë, por Aliko, thotë policia, jo vetëm që nuk ka negociuar, por i ka lënë ata që të largohen. Përveç kësaj, policia hedh dyshimet se Aliko, edhe pse ka pasur informacion për grupin e zjarrit që dy ditët e para ka qëlluar ndaj policisë, sërish nuk ka dhënë informacion për grupin hetimor lidhur me këta persona. 

Z.Aliko, në lidhje me akuzat që janë bërë ndaj jush, çfarë keni për të thënë?
 
Dëshmitarë më të mirë se ju gazetarët për punën time, nuk mund të ketë. Unë isha korrekt në të gjitha deklaratat e mia; sa herë që ju i binit telefonit tim, unë isha korrekt me ju, tani është radha juaj që të jeni korrektë me mua, që të thoni të vërtetën. 

Akuzat që janë ngritur ndaj jush, janë të vërteta apo jo?
 
Absolutisht që jo! Asnjë akuzë që është ngritur ndaj meje nuk është e vërtetë. Dhe jo vetëm unë e them këtë, por asnjë shqiptar nuk duhet të mendojë se këto akuza janë të vërteta. 

Çfarë do bëni tani, pas këtyre akuzave që janë ngritur ndaj jush?
 
Unë do t’i përgjigjem drejtësisë, aq herë sa të më thërrasin për të dhënë dëshminë time. Unë do jem në dispozicion të prokurorisë, policisë, sa herë që ata të më thërrasin. 

Policia ju akuzon për drejtim dhe organizim të grupeve kriminale. Si iu përgjigjeni këtyre akuzave?
Këto akuza nuk janë absolutisht të vërteta! Këto janë akuza që nuk mund t’i besojë edhe një fëmijë dhe jo më ju. Unë nuk mund të merrem me faktin se pse policia i ka ngritur këto akuza, për atë pyesni policinë. Por policia, nëse ka prova, le t’i faktojë ato që thotë. 

Related Articles

Back to top button