Arte

Akademiku Rexhep Qosja nderohet në Tiranë

qosjaAutoritete të larta të shtetit, kulturës dhe shkencave shqiptare vlerësuan mbrëmë punën e gjerë shkencore të akademikut të njohur Rexhep Qosja. Ata morën pjesë në festimet për 78-vjetorin e ditëlindjes së tij në Muzeun Historik Kombëtar të Tiranës, ku u shfaq edhe një film dokumentar për jetën dhe krijimtarinë e akademikut të shquar nga Prishtina. Në ceremoni morën pjesë kryeministri Edi Rama, ish- presidentët e Republikës Alfred Moisiu e Rexhep Mejdani, antarë të qeverisë, studiues dhe shkencëtarë nga Kosova dhe Shqipëria, studentë dhe qytetarë të kryeqytetit shqiptar.

Filmi i prodhuar nga kompania Digitalb dhe gazetarja Rudina Xhunga titullohej “Rexhep Qosja, rilindësi i kohës sonë”. Ky dokumentar i solli publikut jetën e panjohur të akademikut Rexhep Qosja nga fëmijëria, vendlindja dhe deri në ditët e sotme, ku u renditën një mori kujtimesh dhe vlerësimesh të kolegëve nga Shqipëria e Kosova për krijimtarinë e tij të gjerë shkencore dhe letrare.

Në krijimtarinë e tij afro 50 vjeçare akademik Rexhep Qosja ka botuar një seri të gjatë studimesh kritike mbi letërsinë shqiptare. Ai ka shkruar libra për historinë e saj, për dukuritë letrare shqiptare dhe monografi për pothuaj gjithë autorët më të shquar të letërsisë shqipe. Disa nga veprat më të vlerësuara nga kolegët janë monografia “Porosia e madhe” për poetin Naim Frashëri dhe një seri studimesh romantizimin dhe periudha të tjera letrare të autorëve shqiptarë në shekuj. Ai u vlerësua po ashtu edhe për fuqinë argumentuese në librat me polemika mbi ngjarje të ndryshme të historisë së Shqipërisë.

Akademik Rexhep Qosja falenderoi pjesëmarrësit dhe gazetaren për vlerësimet ndaj veprës së tij, si një nderim që iu bë nga Shqipëria. “Shqipëria po rilind në pikëpamje politike, ekonomike, arsimore, kulturore, juridike dhe etike” – tha profesor Qosja në fjalën e tij në ceremoni, duke theksuar po ashtu se e vërteta e jetës së tij është në librat e tij. Ai u vlerësua nga diplomatët shqiptarë edhe për ndihmesën që dha me angazhimet e tij politike në ngjarje me rëndësi historike për Kosovën si marrëveshja e Rambujesë, ku ishte pjesëtar i delegacionit shqiptar.

Related Articles

Back to top button