Kronika

Shqipëria kthen në Agli unazën e pilotit britanik, rënë në Martanesh gjatë Luftës së Dytë Botërore

Angli 2Sot në Ministrinë e Mbrojtjes u zhvillua një ceremoni sa e veçantë aq edhe mbresëlënëse. Në qendër të kësaj ceremonie ishte akti i dorëzimit të unazës së pilotit anglez, rreshterit Xhon Tompson, rënë në krye të detyrës gjatë Luftës së Dytë Botërore, në tetor të vitit 1944, në Kaptinë të Martaneshit. Unaza e tij ishte gjetur rastësisht rreth viteve 1960 nga Jaho Çala, i cili ia kishte lënë amanet të birit të tij, Xhemil Çala, që ta ruante me kujdes dhe kur të vinte rasti të gjente mundësinë për t’ia nisur të afërmve të tij. Në këtë unazë martese ishin të shkruar inicialet “Xhon dhe Xhois”. Me ndërmjetësinë e Ambasadës Britanike në Tiranë dhe Ambasadës Amerikane u bë e mundur identifikimi i kësaj unaze dhe lidhja me familjarët në Britaninë e Madhe, të ish-pilotit të vrarë.

Angli 1Ceremonia ka nisur me ekzekutimin e Himnit Kombëtar të Mbretërisë së Bashkuar dhe Himnit Kombëtar të Republikës së Shqipërisë. Më pas, z. Muhamet Aliçka, personi që kontaktoi me Ambasadën Britanike, tregoi shkurtimisht historinë e kësaj unaze. Folën gjithashtu edhe nipi i pilotit të vrarë britanik, z. Alan Webster, si dhe ambasadori britanik, z. Nicholas Cannon.

Me këtë rast, znj. Kodheli ka falënderuar përzemërsisht familjen Çala, për mbajtjen gjallë të kujtimit të një të rëni për çlirimin e Shqipërisë, Ambasadën Britanike në Tiranë për përpjekjen e gjatë për identifikimin e të ndjerit Xhon pas kaq shumë vitesh, ndërsa një falënderim të veçantë ajo përcolli për familjarët e rreshterit Tompson, për motrën e tij, znj. Webster, e cila ndonëse në një moshe të thyer ishte e pranishme në këtë ceremoni. “Sakrifica e tij sublime do të jetë e paharruar. I përjetshëm qoftë kujtimi i tij”, përfundoi fjalën e saj ministrja Kodheli.

AngliMë pas, Xhemil Çala, djali i Jaho Çalës, i dorëzoi unazën motrës së pilotit të vrarë, Xhon Tompson, znj. Dorothy Webster. Ministrja Kodheli i dorëzoi znj. Webster një kuti me një pjesë të avionit dhe gurit të malit të Sinojit, ku ishte rrëzuar mbi 70 vjet më parë avioni. Po kështu znj. Kodheli i akordoi “Certifikatën e Mirënjohjes” z. Jaho Çala, e cila iu dorëzua të birit, z. Xhemil Çala. Gjithashtu edhe nga pala britanike u dhanë disa dhurata simbolike, si dhe letra mirënjohje të dërguara nga Forcat Ajrore Britanike për familjen Çala. Ceremonia u mbyll me një foto të përbashkët përballë godinës së Ministrisë së Mbrojtjes.

 

 

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button