Ekspozita

Nudot e heshtura të Bajos

U hap dje, në galerinë FAB, ekspozita “Skulpturë” e artistit Arben Bajo

bajoNjë grua është e bukur, mjafton të mbyllë sytë. Dhe pse linjat e saj nuk janë perfekte, me kokën e ngritur lart dhe duart e vendosur lehtë në bark, personazhi në skulpturën e Arben Bajos të bën të mendosh. Mbi trupin e saj mund të dallosh lehtë shenjat e lëna nga vitet, jeta ndoshta e vështirë, por sërish ajo ndihet e bukur. Imazhet e nudove në skulpturë janë po aq të njohura sa në tablo. Në gjithë historinë e artit, trupi njerëzor vjen përmes përshkrimesh të ndryshme. Por në rastin e Bajos, ky përshkrim shndërrohet në një gjendje, e cila provokon te ty reagime. I bindur se arti nuk mund të jetë i tillë nëse nuk ngre pyetje, Bajo e ka ngritur krijimtarinë e tij, duke shndërruar idetë estetike në vepra. Dje, në galerinë FAB, është hapur ekspozita e tij personale e quajtur thjesht “Skulpturë”, ku artisti vjen me krijimtarinë e tij të katër viteve të fundit. Për Ermir Hoxhën, kuratorin e kësaj ekspozite, përgjatë gjithë karrierës së tij, Bajo ofron versionin e tij të figurës femërore. Hoxha e sheh ndjeshmërinë dhe te mënyra sesi ai ravijëzon natyrat e qeta apo kuajt në skulpturën e tij. Ata janë të heshtur dhe me poza sensuale në mur, shpesh me tis lakonik, por tejet sensual. Nudot kanë fundshpine të kolme, por erotika shpaloset te secila prej tyre. Nuk mungojnë edhe figurat femërore tepër elegante. Me flokët e kapur bisht, një femër është ulur me duar e vendosur pas shpine, krejt nudo. Nuk është lakuriqësia ajo çfarë të tërheq vëmendjen në këto nudo, por mendimi që ato shpalosin. Një tjetër nudo shfaqet e ulur në një kolltuk, por sërish sytë e saj janë të mbyllur dhe duket sikur kërkon të heqë nga mendja diçka. Ka një komunikim mes shikuesit e këtyre veprave, që vjen natyrshëm në këtë ekspozitë. Nuk mungojnë në këtë hapësirë as skulpturat me kuaj. Kuajt janë kafshë që Bajo i ka risjellë në disa versione, si një simbolikë e lirisë apo pasionit njerëzor për të përshkruar të pafundmen. Interesante janë dhe skulpturat me portrete njerëzish. Secila prej tyre duket sikur shpalos në fytyrë historinë diku të fshehur, por që vështrimi dhe rrudhat e tregojnë më së miri. Bajo duket sikur i bën të flasin skulpturat e tij dhe ta tregojnë vetë historinë pa u munduar të gjesh shpjegime tek autori apo tekstet kuratoriale. Kjo, pasi arti i tij nuk i është larguar shumë së përditshmes dhe një realiteti socialo-politik që reflektohet te çdo punë. Pedagog në Universitetin e Arteve dhe tepër i lidhur me zhvillimet në vend, artisti duket sikur ka ndërthurur gjuhën e artit me gjuhën e jetës. Sipas Hoxhës, skulptura e këtij artisti duket sikur ka ecur njësh me rrugëtimin e tij në jetë. “Skulptura e tij si stil përshkoi pa shumë tronditje një rrugë në kërkim të gjurmës së vet stilistike. Pas “deformimeve” anatomike në vitet e shkollës, me gulçimet plastike e sipërfaqet e çjerra, skulptura e tij futet në një udhëtim të ri me huazime herë nga arti formal bashkëkohor e herë nga ai klasik helen. E pas lëkundjeve tipike të një artisti të ri në qendër të një metropoli europian, ai e gjen vetveten në një format më realist, përshkruar fort me nota humaniste, pa humbur gjurmën e tij të viteve të para”, thotë Hoxha. Teksa i sheh këto skulptura të vendosura në hapësirën e kësaj galerie, ndien që ke mundur të përshkruash psikikën e secilës prej tyre. Kjo, pasi Bajo punon shumë me çdo vepër. Pas një përvoje të gjatë si artist në vendin fqinj, Greqi, Arben Bajo u rikthye disa vite më parë për të vazhduar krijimtarinë e tij në Tiranë. Autor i disa ekspozitave, ai është një ndër artistët më interesantë në gjininë e skulpturës.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button