Muzike

“Dasma e Figaros”, në fundjavë në skenën e TKOB

Regjisori Nikolin Gurakuqi ngjit në skenë veprën e Moxartit

1377582-3x2-940x627“Dasma e Figaros”, opera e njohur e Moxartit, do të ngjitet këtë të diel (15 mars) në skenën e Teatrit të Operës dhe Baletit nën regjinë e Nikolin Gurakuqit. Një opera me konflikte sociale, ajo konsiderohet si një nga veprat më të ndjera që çdo vit vihet në skenat teatrore në botë. Por regjisori Gurakuqi ia ka kushtuar këtë ngjitje në skenën shqiptare birit të tij Marsidit, i cili u nda nga jeta pak kohë më parë. “8 vjet më parë, festoja ditëlindjen e djalit Marsidit, në një nga lokalet e Tiranës. Ishim të gëzuar. Në ditët në vazhdim kur kthehesha nga puna, e gjeja Marsidin duke dëgjuar ‘Dasma e Figaros’. Kur e pyeta pse po e dëgjon këtë opera, ai m’u përgjigj se i pëlqente konflikti i veprës dhe mesazhet që mbart, ndaj m’u lut ta vë në skenë”, thotë Gurakuqi. Tetë vjet më pas, ai e sjell këtë vepër për publikun, si një nga produksionet e rëndësishme të këtij sezoni artistik për Teatrin e Operës dhe Baletit, dhe si një plotësim i dëshirës së të birit me shpresën “se ai do të shohë nga lart”. Provat për këtë vepër janë drejt fundit sipas regjisorit. E ftuar si soliste kryesore nga Italia do të jetë sopranoja Oriana Kurteshi, në rolin e Suzanës. Solistë të tjerë në opera janë Eriona Gjyzeli, bullgari Valeri Turmanov në rolin e kontit, Armando Lika në rolin e Figaros, Marjana Leka dhe Ulpiana Aliaj në rolin e konteshës, Vikena Kamenica në rolin e Kerubinit, Sonila Baboci në rolin e Marcelinës, Sidrit Bejleri në rolin e Bartolos së bashku me Ogert Islamin, Roel Llupo dhe Ergys Mita në rolin e Don Bazilios, Genc Vozga, në rolin e Antonios, Rezarta Qevani dhe Erinda Agolli në rolin e Barbarinës. Vepra do të ketë dy dirigjente, italianin Francesco di Mauro, dirigjent kori Dritan Lumshi, kostumet i janë besuar Taulant Pustinës. “Dasma e Figaros” do të ngjitet në skenë në datat 15, 17, 19, 21 mars.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button