Home / Ekonomia / AMF: Rriten me 29.71 % të ardhurat nga primet e sigurimit

AMF: Rriten me 29.71 % të ardhurat nga primet e sigurimit

Të ardhurat nga primet e shkruara bruto të sigurimit për periudhën janar-maj 2014 arritën rreth 4,399 milionë lekë, ose 29.71% më shumë se në periudhën janar-maj 2013. Sipas statistikave zyrtare të AMF-së, gjatë periudhës janar-maj 2014, numri i kontratave të sigurimit të lidhura arriti në 364,360 me një ulje prej 4.60% krahasuar me periudhën janar-maj të një viti më parë. Tregu vazhdoi të mbetet sërish i orientuar tek sigurimet e Jo-Jetës, të cilat sollën rreth 89.06% të vëllimit të përgjithshëm të primeve, duke i lënë sigurimet e Jetës me rreth 10.38% dhe veprimtarinë e Risigurimit me rreth 0.56%. Parë nga këndvështrimi i ndarjes së tregut sipas llojit të sigurimit, i detyrueshëm dhe vullnetar, primet e shkruara bruto të sigurimit vullnetar zënë 46.64% dhe primet e shkruara bruto të sigurimit të detyrueshëm zënë 53.36% të totalit të tregut. Gjatë periudhës janar-maj 2014, dëmet e paguara bruto në tregun e sigurimeve, arritën në mbi 1,067 milionë lekë, ose 6.32% më pak se e njëjta periudhë e vitit 2013.