Opinion

Diplomaci “Made in China”

NGA DOC DR VASIL KURETA

DORESHTRENGUARAmbasadori i Kinës në Belgjikë para disa ditësh përcolli përmes mediave një deklaratë rreth të cilës lindën dhe reagimet
përkatëse.
Kjo jo thjesht se ai është përfaqësues i një shteti të madh, që aspiron të bëhet superfuqi botërore, as se tematika e problemit i referohej zhvillimeve rreth krizës ukrainase, por për faktin se u zgjodh të përcillej, jo nga Pekini, por nga një vend ku kanë selinë strukturat e BE. Ambasadori shprehu disa konsiderata e vlerësime për krizën ukrainase dhe se çfarë përfaqëson ajo nga pikëpamja e shkaktimit të saj, përgjegjësve për këtë konflikt dhe mënyrës se si mund të kapërcehet ajo. Në fakt ai nuk bëri ndonjë arsyetim apo ndonjë analizë të thelluar, as ndonjë diplomaci fine, por thjesht përcolli çka i kishin porositur, se ai nuk pohoi se po shprehte opinionin e tij personal ashtu thjesht fare.

Ajo që ishte më e dukshmja është pohuar në media, se Kina, duke shprehur edhe në këtë formë qëndrimin e saj ndaj krizës ukrainase, tregoi se mund të heqë dorë nga neutraliteti, që ka shfaqur deri më sot, sidomos për zhvillimet dhe qëndrimet e Rusisë. Kjo sjellje mund të lërë shteg të spekulohet se ndodhemi përpara ndonjë ndryshimi esencial të politikës dhe diplomacisë kineze, por nuk duhet ngutur. Kina është treguar e kujdesshme, duke zhvilluar marrëdhënie me interes reciprok në shumë drejtime, duke nënshkruar dhe një marrëveshje të rëndësishme për blerje të gazit nga Rusia edhe pse me çmim të shtrenjtë. Ajo ka punuar të zhvillojë marrëdhënie me interes reciprok, madje dhe duke votuar shpesh në linjë bllokuese, si dhe Rusia, në Këshillin e Sigurimit të OKB. Megjithatë Kina ka bërë kujdes që të mos shfaqet as si aleat me Rusinë, sidomos në hapësirën e madhe të Azi-Paqësorit, ku interesat e Kinës janë të një rëndësie strategjike për të.

Kjo dalje e befasishme dhe në këtë formë të shtyn të pyesësh se a ka kjo vlerën e një lëvizje gjeopolitike nga Kina, një fillim ndryshimi esencial të saj, apo është një test apo një formë presioni në adresë të përcaktuar qartë? A është kjo një diplomaci me metoda kineze që llogarit arritjen e disa objektivave edhe ndaj Rusisë, por edhe ndaj SHBA dhe BE? Ka shumë rrethana që e bëjnë, jo të lehtë, zbërthimin e kësaj lëvizjeje, jo thjesht spontane e Kinës. Të mos harrojmë se Kina nuk është përzierë në raste konfliktesh, sidomos kur ka brenda dhe dukurinë e ndryshimit të mundshëm të territoreve, as ndaj lëvizjeve separatiste, as kur ka dhunime të hapura të ligjit ndërkombëtar. Ajo ka patur, në periudhën e luftës së ftohtë 1, një ngjarje të rrezikshme me ish BS, me element probleme territori. Por ka pasur probleme të ngjashme me Indinë dhe mos harrojmë problemet me Tibetin dhe Dalaj Lamën. Po kështu duhet te kujtojmë problemet me Japoninë, Vietnamin etj, për ishuj të caktuar. Po kështu, Kina ka një problem të pazgjidhur të Taivanit. Bashkimi i Tajvanit me Kinën është një problem madhor për Kinën, i definuar që nga koha e Mao Ce Dunit. Në rrugën e saj të shndrimit në superfuqi botërore, Kina ka synuar dhe ka arritur të krijojë qëndrueshmëri e rritje ekonomike, që i ka mundësuar frymëmarrje të gjerë në arritjen e statusit të superfuqisë dhe ka mundësuar të zhvillojë elementë thelbësorë të nevojshëm në fushën ushtarake, e ka ndihmuar të zgjerojë investimet e influencën e saj në hapësira të mëdha, jo vetëm në Azi, por dhe në Afrikë, Europë etj.

Falë një politike e diplomacie të kujdesshme ndërkombëtare Kina, jo vetëm që nuk ka krijuar probleme apo ndonjë krizë e konflikt në marrëdhëniet me fqinjët dhe aktorë të tjerë të marrëdhënieve ndërkombëtare, por ka arritur edhe sukses të dukshëm. Ajo, falë kësaj sjelljeje, siguroi së fundi, një rol të njohur ndërkombëtarisht, në zonën e Azi-Paqësorit, por dhe të diskutuar e dialoguar me SHBA, si superfuqia e vetme aktuale botërore. Me këtë cilësi sjelljeje e diplomacie, Kina ka zgjeruar investimet dhe influencën e saj të dukshme në Afrikë dhe po ecën përpara edhe me zgjerim të investimeve të rëndësishme edhe në vendet e BE dhe sidomos në Ballkanin Perëndimor.

Nëse ka një marrëdhënie korrekte e dialogimi me SHBA dhe vendet e BE, Kina ka zhvilluar dhe një cilësi marrëdhënieje konkrete e disi të veçantë me Rusinë. Bie në sy fakti se kjo cilësi është krijuar mbi themelet e interesave themelore të Kinës për tu bërë superfuqi botërore, që nënkupton dhe në horizont një hap konkret në momentin e caktuar, për të synuar ndarjen e fuqisë dhe rivalitetin me SHBA. Kjo ka definuar maksimalisht cilësinë e marrëdhënieve me Rusinë, në nivelin, përmbajtjen dhe karakterin e saj. Kjo përfshin afrimin në qëndrime e marrëdhënie në masën që e ndihmon në shtratimin e rivalitetit me SHBA, por duke ruajtur distancën me Rusinë e cila ka objektivin e saj të superfuqisë botërore.

Në kushtet e sotme, elementët e afrimit, duken më afër dhe në dukje si më shumë, por në proces rivaliteti mes Kinës dhe Rusisë do të jetë i pashmangshëm. Kina pikërisht tregohet elastike, duke u afruar në disa qëndrime me Rusinë, por duke i mbajtur sytë hapur që të mos marrë trajtën e një aleance, që mund ta dëmtojë në plotësimin e objektivave, si të rolit të saj në Azi-Paqësor dhe të superfuqisë botërore, ku me peshë është problemi i Taivanit. Kina bën shumë kujdes që të mos i hapë hapësirë Rusisë për ndonjë rol të saj në Azi, ku ka objektiva e interesa të mëdha, për veten e saj. Edhe pse Rusia ka të drejtë të mundësojë një rol të saj në këtë rajon, me mundësi të mëdha investimesh, aq më tepër që ka resurse të mëdha sidomos në fushën e energjetikës, ku po përfiton dhe vetë Kina. Me këtë mesazh të lëshuar nga Brukseli, Kina, mesa duket lë të kuptojë se, edhe pse nuk do që ti njohë apo nuk e dëshiron një rol të Rusisë në Azi, ajo i njeh të drejtën Rusisë, për një rol fuqie të saj në Europë. Prandaj dhe këtë mesazh e nisi nga Brukseli, që ta dëgjojë mirë edhe Europa.

Me këtë pragmatizëm politik shpjegohet, disa kohë më parë, një dalje e njësuar e Kinës me Rusinë, në një aktivitet të një organizmi euroaziatik ushtarak, të krijuar nga Rusia, kur kritikuan publikisht rolin e NATOS në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe konceptin e tyre për sigurinë botërore. Pragmatizmi kinez është shfaqur edhe i kujdesshëm, por edhe efektiv deri në këtë moment, përfshi dhe mënyrën se si e ka trajtuar marrëdhënien me Rusinë. Mendoj se edhe kjo dalje e fundit e diplomatit kinez nga Belgjika, mund të analizohet e vlerësohet drejt, vetëm nëse e merr në këtë kontekst të mësipërm. Dhe ja del diplomati kinez në Belgjikë dhe shpreh elementë të qëndrimit kinez ndaj konfliktit në Ukrainë, që është karakteristikë e mënyrës së të bërit diplomaci nga Kina.

Çfarë tha diplomati kinez nga Brukseli në deklaratën e tij? Diplomati kinez përcolli sensibilitet kinez ndaj shqetësimeve të sigurisë së Rusisë, duke iu referuar zhvillimeve në Ukrainë, duke e shoqëruar me thirrjen ndaj perëndimit, që të konsiderojë sigurinë e Rusisë në rastin e Ukrainës. Këtë e bëri në një kohë, që e di mirë, që perëndimi akuzon Rusinë për aneksimin e Krimesë dhe shpërthimin e krizës ukrainase. Ky qëndrim i perëndimit është përsëritur shumë herë kësaj kohe. Megjithatë, është në të drejtën e Kinës të ketë opsionin e saj për konfliktin ukrainas dhe për mënyrën se si Rusia e bëri pjesë të saj Krimenë. Ngjarja përfshin një shprehje të një synimi nga autoritetet e ligjshme të Kievit për tu bërë pjesë e BE dhe e NATO-s, realizimi i të cilës kërkon plotësim të shumë kushteve e standarteve, që kërkojnë kohë, jo të vogël të plotësohen që të mund të shqyrtohet kjo ambicie. Kjo ambicie ishte e lidhur me lirimin e Ukrainës nga statusi i neutralitetit të saj. Këtu lind pyetja se sa e rrezikon sigurinë e Rusisë kjo heqje e neutralitetit në këtë moment nga Ukraina? Është po ashtu fakt që Rusia është shfaqur e shqetësuar për këtë lëvizje të Ukrainës, sepse e ka vlerësuar si një rrethim që NATO po i bën Rusisë. Ky realitet vërtet lë vend të diskutohet, sepse gjithkush i bën vetë analizat për interesat e vendit të vet dhe më e mira do të ishte të shqyrtohej shqetësimi i lindur, mes Rusisë dhe NATOS dhe sidomos me SHBA.

Kjo, jo vetëm për faktin se janë aktorët kryesorë të zgjidhjes së problemit, por edhe të faktit se Rusia, bashkë me SHBA dhe Britaninë ka nënshkruar angazhimin e tyre për të respektuar sovranitetin dhe kufijtë e Ukrainës. Nëse do të ndiqej kjo rrugë, ndoshta nuk do të kishim një konflikt të Ukrainës sot. Mund të rezultonte një zgjidhje e drejtë apo kompromisi, e pëlqyer nga palët, pa shkuar te realiteti i krizës së sotme. Në këto kushte Kina, për interesa të veta, ka shprehur pozicionin e saj, që mbështet shqetësimin e Rusisë. Me këtë rast Kina shfaqet, se i qëndron në krah Rusisë, në këtë situatë, të vështirë për të dhe me pragmatizmin e vet, mund të ketë llogaritur, të lërë të hapur një mbështetje të nevojshme për të nesër nga Rusia. Rusia nuk mund të mos e vlerësojë këtë qëndrim të Kinës edhe pse do të dëshironte shumë ta dëgjonte nga Pekini dhe nga ndonjë zyrtar i nivelit të lartë të Kinës. Megjithatë, nuk e besoj që Rusia të mos i lexojë mesazhet që i vijnë nga ky qëndrim i Kinës sot dhe të mos e kuptojë përmbajtjen e vërtetë të sjelljes kineze. Dhe Pekini me siguri që në një kohë të përshtatshme, do ta lançojë më të plotë pozicionin e tij ndaj rolit të Rusisë në Europë, këtë radhë me persona të rangut të lartë.

Është vërtet interesant diplomati kinez, kur “sqaron” opsionin kinez për “ankthet” apo “shqetësimet” e Rusisë, lidhur me sigurinë, sepse ish-vendet socialiste janë tashmë anëtare të BE e të NATO-s dhe sidomos Ukraina e dëshiron një gjë të tillë. Madje diplomati kinez flet për barazi apo për situatë “Win-Win”, përsa u përket interesave të sigurisë mes Perëndimit dhe Rusisë. Natyrisht, që siguria është përgjegjësi e madhe për çdo shtet, aq më tepër Rusia që ka gjithë atë hapësirë territoriale, por barazia, që kërkon kinezi, përfshin “njohje” të interesave të sigurisë për Rusinë, duke iu referuar dhe hapësirës që dikur i përkiste kampit socialist të udhëhequr nga BS. Në krijimin e BRSS dhe kampit socialist ndikoi veçanërisht epërsia që krijoi projekti komunist ndaj kapitalizmit të diskretituar nga depresioni i madh i viteve 30 dhe lufta shkatërrimtare e nazifashistëve kundër popujve. Ka ndikuar sidomos dhe roli vendimtar i BS dhe luftës patriotike, që i kushtoi miliona të vrarë e shkatërrime katastrofike. Edhe shpërbërja e BRSS nuk erdhi nga ndonjë dhunim apo imponim ushtarak, por u krye si vetëshpërbërje, për shkak të dështimit të perspektivës së projektit komunist, që u rrëzua në BS dhe ish- vendet e tjera socialiste të Europës. Ai realitet nuk mund të shërbejë sot si justifikim të drejtash apo interesash ndaj vendeve ish-socialiste. Diplomati kinez nuk ka pse e harron këtë histori të krijimit të BRSS dhe kampit socialist, apo se si u vetëshpërbë BRSS, siç nuk duhet të harrojë dhe kritikat e bëra në atë kohë nga Mao Ce Duni, për marrëdhëniet mes popujve e kombeve që funksiononte si BRSS dhe kamp socialist. Po kështu e di që Rusia sot nuk është BRSS dhe se ish-vendet socialiste përcaktuan në liri të plotë orientimin e tyre euroatlantik.

Megjithatë, diplomati kinez merr rolin e njeriut që mban në dorë peshoren, teksa shprehet kritik, se Perëndimi nuk ka patur ndjeshmërinë, që ka ai, për respektimin e interesave të sigurisë ruse. Diplomati kinez ka të drejtë të shqetësohet për çdo gjë, siç ka të drejtë të jetë i dashuruar me barazimin, por nuk mund të mohojë zhvillimin e marrëdhënieve ndërkombëtare, demokracinë dhe të drejtën e ligjshme të popujve e shteteve sovrane të vendosin për fatet e tyre. Kjo është drejtësi dhe mosrespektimi i saj mund të quhet vetëm tregti me interesat e të tjerëve.

Problemi i vërtetë këtu nuk është thjesht shqetësimi i diplomatit kinez, por diskutimi real, nëse kemi të bëjmë me një lëvizje të llogaritur gjeopolitike kineze, me një hap të ri të Kinës në sistemin e marrëdhënieve ndërkombëtare. Një përgjigje e saktë do të kërkonte më shumë argumente e fakte të sigurta. Ndoshta, mund të jemi përpara një testi ‘alla kinez’ apo avancimit të një presioni të Kinës ndaj SHBA, për të siguruar ndonjë lëshim, kërkesë, hap apo lloji tjetër avancimi të objektivave strategjikë të superfuqisë botërore të saj. Këtë e bën sepse, llogarit faktin, se edhe Rusia është në vështirësi me krizën ukrainase, por edhe SHBA është në vështirësi përballë avancimit strategjik për superfuqi botërore nga Rusia. Pra, Kina nuk ka ndonjë hall të madh për Rusinë, por gjykon, se mund të përfitojë më shumë nga kjo situatë e rënduar për dy aktorët e rëndësishëm të marrëdhënieve ndërkombëtare. Ajo, me këtë sjellje edhe mundëson lehtësi në zhvillimin e rolit e pranisë së saj me investime në Europë, por mund të mendojë edhe për ndonjë lëvizje në një rajon tjetër. Kina ka dëshmuar “origjinalitet” në avancimin e strategjisë së superfuqisë botërore. Ndoshta, këto vitet e fundit, është ndihmuar dhe nga qëndrueshmëria e rritja ekonomike që ka siguruar. Kjo i ka mundësuar të punojë për standardet e nevojshme ushtarake e teknologjike për këtë ambicie. Kina ka qëndruar larg konflikteve ushtarake edhe si pjesëmarrje, por edhe si interpretim e qëndrim ndaj tyre. Ajo as ka shkaktuar ndonjë konflikt ushtarak. Kjo është në logjikën dhe matematikën kineze për arritjen e objektivave të superfuqisë.

Edhe pse Kina ka një ushtri me 21 milionë ushtarë, ajo nuk ka prani ushtarake në dete e oqeane, apo baza ushtarake në rajone të ndryshme të botës. Kina ecën e kujdesshme deri më sot në arritjen e statusit të superfuqisë botërore. Zhvillon pragmatizmin karakteristik kinez, që shpesh është i vështirë të deshifrohet. Në sjelljen e saj Kina synon edhe ruajtjen e disa ekuilibrave, edhe ndryshimin e avancimin e ambicieve të saj, mban parasysh rregullat e vendosura në sistemin e marrëdhënieve ndërkombëtare, por dhe i interpreton në funksion të strategjisë së superfuqisë.

Fuqizimi ushtarak i Kinës, sidomos, nëse vazhdon rritja e qëndrueshme ekonomike, mund ta nxisë Kinën të bëjë ndryshime në qëndrimet e saj, të ndryshojë strategjinë e derisotme apo sjelljen e saj në rajonin e Azi-Paqësorit, por dhe më gjerë. Të nxitet të kërkojë ndryshimin e balancave e të ekuilibrave aktualë, në rajon e në botë, në funksion të zhvillimit të fuqisë së saj e të rivalitetit. Tash Kina ka një cilësi konkrete marrëdhëniesh, dialogu e bashkëpunimi me SHBA, që e ka ndihmuar në avancimin e objektivave strategjikë. Në këto momente dhe kur ka në zhvillim dy probleme të vështira, si kriza ukrainase dhe përballimi i ISIS, një dinamikë e re strategjike e Kinës dhe prishje e ekuilibrave dhe balancave aktuale, sidomos në rajonin e Azi-Paqësorit, do të krijonte vërtet një problematikë tepër të mprehtë për sigurinë botërore.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button