Home / Arte / Muzike / “Ritet pranverore”, nisin në Kërrabë

“Ritet pranverore”, nisin në Kërrabë

Festivali

Hanke Riti pagan i linit Visaret e KrrabwsSot starton në Komunën e Kërrabës edicioni i 9 i Festivalit Folklorik, “Ritet pranverore”, organizuar nga komuna, ansambli folklorik “Visaret e Kërrabës” dhe SHKA Tirana, ku marrin pjesë ansamble dhe grupe folklorike nga Tirana, Berati, Gramshi, Kamza, Medvegja etj., ekspertë dhe bartës të folklorit nga i gjithë vendi. Ky festival është një veprimtari e përvitshme, e cila organizohet në Festën e Verës dhe ka për synim evidentimin, interpretimin dhe ruajtjen e vlerave të folklorit, që lidhen me ritet e lashta pagane, lojërat popullore, festimet dhe trashëgiminë shpirtërore folklorike që trashëguan brez pas brezi në kuadrin e riteve që lidhen me ardhjen e pranverës dhe ringjalljen e jetës në këtë stinë. Sipas drejtorit të Festivalit Folklorik të Riteve Pagane, Ilir Selba, për herë të parë kjo veprimtari ka nisur të zhvillohet në vitin 2006 dhe nga viti në vit kjo veprimtari krejt e veçantë ka shënuar interesim në rritje, si në pjesëmarrjen e grupeve folklorike, edhe në zbulimin e paraqitjen riteve e zakoneve të vjetra të trevave të ndryshme, që kryhen gjatë kremtimit të festës së lashtë tradicionale të Ditës së Verës nga shqiptarët kudo që ata jetojnë. “Festivali i Riteve Pagane dhe Lojnave Popullore që organizohet çdo vit në qytetin e lashtë të Antigonesë në Gjirokastër dhe ky festival që organizohet në Kërrabë janë dy veprimtari krejt të veçanta tipologjike, organizatorët e të cilave kanë meritën e madhe, që pas hulumtimeve të specialistëve dhe bartësve të folklorit në treva të ndryshme arrijnë të paraqesin në mënyrën më origjinale, ritet e lashta, lojnat popullore. Këngët dhe vallet rituale janë aq të bukura dhe me vlerë të veçantë për trashëgiminë folklorike”, thotë eksperti i njohur i folklorit, prof. Ermir Dizdari, që është dhe kryetar i jurisë së këtij festivali. Sipas ekspertit, gjatë edicioneve të mëparshme, në këtë festival janë interpretuar vlera të jashtëzakonshme, si “riti i llazoreve” nga Ansambli Folklorik i Komunës Dajt në vitin 2006, ku fëmijët dilnin duke kënduar këngën e llazoreve nëpër dyert e shtëpive, duke kërkuar vezë dhe duke luajtur me të zotët e shtëpisë. Ansambli “Shqiponja”, në vitin 2007, interpretoi “ritin e luleve të pranverës”, që praktikohej në shekuj herët në mëngjes në Ditën e Verës, ndërkohë që Ansambli i Opojës nga Prizreni në 2008-n, solli “ritin e punimit të bulmetit”. Në vitin 2009, çmimin e parë do ta merrte Ansambli Tradita Folklorike e Tiranës dhe në vitin 2010, fitues ishte ansambli folklorik “Visaret e Kërrabës” me disa rite popullore, si “riti i gatimeve tradicionale të ditës së verës”, në 2011-n ishte grupi folklorik i Recit të Dibrës, që solli në këtë festival “rite baritore”, ndërsa në vitin 2012, në kuadër të 100-vjetorit të Pavarësisë, festivali pati përmasa akoma më të mëdha, kur juria nderoi me çmim të parë ansamblin “Shpëtimi” nga Medvegja. Interpretuesja virtuoze e këngëve dhe riteve të ansamblit folklorik “Visaret e Kërrabës”, Hanke Bajrami, ka sjellë në këtë festival disa rite të lashta, si “riti i linit”, “ritet e dasmës së Kërrabës”, një pjesë të të cilave ajo është duke i përgatitur për Festivalin Kombëtar të Gjirokastrës, si pjesë e Ansamblit të Qarkut Tiranës. Në këtë festival kanë performuar disa nga këngëtarët e njohur të folkut shqiptar, si Irini Qirjako, Fatmira Breçani, Valbona Mema, motrat Libohova. Kryetari i Komunës së Kërrabës thotë se kjo veprimtari me vlera për ruajtjen e trashëgimisë kulturore jo vetëm të zonës së Kërrabës, por të të gjitha trevave shqiptare, ka gjetur përkrahje dhe mbështetje nga specialistët më të mirë të folklorit dhe etnografisë, si akad. Afërdita Onuzi, prof. Ramazan Bogdani, prof. Ermir Dizdari, prof. Davit Tukiçi etj. E veçanta e këtij festivali tipografik është se ai është i vetmi festival folklorik i këtij lloji që organizohet nga një komunë e vogël, siç është Kërraba. Ideator dhe drejtor i festivalit qysh nga edicioni i parë është folkloristi i pasionuar Ilir Selba, ndërsa drejtues artistik, etnografi Fatmir Veleshnja.

Leave a Reply

Your email address will not be published.