Home / Arte / Ekspozita / Në duart e tij …

Në duart e tij …

Historitë personale të italianëve që mbetën në Shqipëri në fillim të regjimit të Enver Hoxhës, rrëfyer përmes letrave që nuk mbërritën kurrë përtej brigjeve … vijnë në një ekspozitë të dy artistëve shqiptarë, Roland Sejkos dhe Adrian Pacit, Museo Nazionale delle arte del XXI Secolo në Romë, më 2 prill deri më 7 qershor

timthumbNë Shqipërinë e vitit 1946, nën ankthin e një regjimi të ri që po instalohej në vend, një e re italiane, që nuk kishte mundur të kthehej në vendin e saj pas luftës, i kalonte orët e gjata të pritjes për t’u riatdhesuar duke shkruar letra. “E dashur mama, tashmë u bënë tre vjet që nuk jemi parë, dhe më shumë se gjashtëmbëdhjetë muaj që nuk kam dëgjuar prej teje. Nuk e dimë ende se kur do të riatdhesohemi dhe nëse do të riatdhesohemi …”, shkruante ajo me shkrimin që kaq vite më pas tregon trishtimin që e kishte pushtuar. Në një tjetër letër ajo shprehet e shqetësuar për faktin nëse i ati ishte kthyer në shtëpi. “I dashur baba, i kam dëgjuar bombardimet … Pas kaq muaj heshtjeje dhe duke mos dëgjuar për mbërritjen tënde, mendoj se po ma fshehin faktin se ti nuk je më …”. Janë qindra letra të shtetasve italianë që mbetën në Shqipëri pas Luftës së Dytë Botërore, që u nisën me destinacion Italinë, e nuk mundën të mbërrinin asnjëherë në duart e marrësve. Më shumë se gjysmë shekulli më pas, dy artistë shqiptarë, Adrian Paci dhe Roland Sejko, kërkojnë të kthejnë përmes një ekspozite kujtimin e asaj vuajtjeje të gjatë shpirtërore. Më 2 prill në Museo Nazionale delle arte del XXI Secolo, ata do të hapin ekspozitën “Arkitektura në uniformë”, një event që kërkon të hulumtojë mbi historinë, të shkuarën e mbetur thjesht në letra. Rreth 24 000 shtetas italianë mbërritën në Shqipëri gjatë kohës së pushtimit italian. Ata ishin inxhinierë, ndërmjetës, punëtorë të thjeshtë, ushtarë, arkitektë, të cilët nisën të ndërtonin këtu një jetë të tyren. Pas mbarimit të luftës, një pjesë e tyre nuk mundi të mbërrinte në vendlindje, duke kaluar një periudhë të gjatë kohe deri në vitin 1949, kur regjimi i Enver Hoxhës vendosi marrëdhënie diplomatike me Italinë. Qindra letra që ata i nisën drejt të afërmve të tyre përtej detit, nuk shkuan asnjëherë në destinacion. Regjimi i survejonte këto letra, duke i hapur e i vendosur në një dosje që për më shumë se 70 vjet u ruajtën në Arkivin e Shtetit. Në vitet 2000, ato u gjetën në dy çanta diku në arkiv, sipër të cilave ishte një etiketë ku shkruhej “korrespondenca e shtetasve italianë në Shqipëri”. Letrat ishin të hapura, por përmes tyre mund të lexoje kalvarin e gjatë të një vuajtje shpirtërore dhe një ankthi mbi atë çfarë i priste. Dy artistët, Paci dhe Sejko, i kanë marrë këto letra për t’i rikthyer pas kaq vitesh në vendin e origjinës, si një homazh për vuajtjen e gjithë atyre njerëzve. Kuruar nga Kristina Perrella, ekspozita është një reflektim mbi temën e zhvendosjes dhe ndarjes me forcë nga tokat e tyre. Ekspozita është konceptuar përmes një videoinstalimi me pesë ekrane të mëdhenj, ku në secilën prej tyre ndodhet një aparat fotografik, i cili bën një lëvizje të ngadaltë. Në ekrane shfaqen aktorë të veshur me rroba të asaj periudhe, teksa lexojnë pjesë të këtyre letrave. Imazhet janë disi të paqarta, por zëri i tyre kërkon të tregojë fort mesazhin e atyre letrave, që për vite të tëra kanë mbetur në arkivat e shtetit. “Në duart e tij” është një ekspozitë që hedh dritë mbi një histori të vërtetë, duke dhënë peshën emocionale dhe historike të një kohe dhe duke eksploruar një temë universale, siç është ajo e humbjes apo e paaftësisë për të komunikuar. Në një tjetër hapësirë shfaqet një hartë e krijuar me bashkimin e këtyre letrave. Por përtej këtyre historive personale, ekspozita kërkon të nxjerrë në pah dhe mënyrën sesi arkitektura italiane do të ndryshonte imazhin e Shqipërisë të së shkuarës, por edhe të së tashmes, pasi gjurmët e saj ndihen kudo.

Leave a Reply

%d bloggers like this: