Home / Intervista / Trishtimi i Zamirës: Paraja na përçau, nuk votoj më PS

Trishtimi i Zamirës: Paraja na përçau, nuk votoj më PS

Ka një perceptim publik që banorët e Gërdecit bënë një veprim të ulët: një tregti me fatkeqësinë e tyre, me jetët e fëmijëve dhe familjarëve.

A është kështu? Po, për shumë prej tyre.

Por jo për Zamirën.

Disa bënë kompromis me vrasësit e tyre të joshur nga paratë.

Të tjerë vranë veten në vetminë e dramave të mëpasme njerëzore me të cilat askush nuk u mor.

Zamira Durda as u u dorëzua, as bëri kompromis me vrasësit, as vrau veten.

“Zoti më dha forcë dhe mjekja më dha ilaçe për të vazhduar. Djali im sot do ishte 15 vjeç” – thotë ajo dhe pranon:

Njerëzit këtu u joshën dhe u bë ajo përçarja si ç’e ka zakon politika në Shqipëri. Me të drejtë dikush thoshte unë nuk flas se kisha më pak dhe mora më shumë. U vu paraja në mes dhe ajo mbylli shumë gojë. Por po ta përsëris ata nuk u riparuan si njerëz. Unë njoh fëmijë të stresuar. Madje edhe të rritur me probleme. Një gjëmim dhe njerëzit tronditen. Një gomë pëlcet në autostradë dhe bëjmë Ohh…

7 vjet pas shpërthimit Zamira vijon ende sot një betejë në të cilën i kanë mbetur fare pak aleatë. Të tjerët ndoshta duan të harrojnë.

Ajo bën mirë të mos harrojë në emër të të gjithëve. Dhe duket e ka kuptuar këtë.

Vijon betejën e saj në Gjykatën Administrative dhe në Strasburg nga ku këto ditë i ka ardhur edhe një letër.

Është totalisht e zhgënjyer nga qeveria e sotme, dikur opozitë.

“Kam votuar PS, nuk kam arsye ta bëj më – thotë ajo.

Procesi penal mbaroi ashtu siç dihet.

Por firmosësit e fabrikës dhe shkaktarët e shpërthimit të Gërdecit me implikim të drejtpërdrejtë dhe të provuar të familjes Berisha nuk u prekën.

Një proces dëmshpërblimi për ndërtesat u krye. Një proces për jetët e humbura vijon pa fund, pa ndonjë rezultat të dukshëm.

Me përjashtim të familjes Dvorani (që duket kanë përfituar nga një gjykatës në trungun e tyre) dhe të baxhanakut të Berishës, familja e të cilit nuk ka kërkuar dëmshpërblim, të tjerët nuk janë dëmshpërblyer.

Ministria e sotme e Mbrojtjes mban të njëjtin qëndrim me të mëparshmen. E konsideron Gërdecin “aksident teknologjik” për të cilin kjo ministri nuk ndjen asnjë faj.

“…Sot kishim një tjetër seancë në gjykatën administrative dhe avokati i Ministrisë së Mbrojtjes del e thotë se ministria nuk është fajtore për shpërthimin. -Më fal po unë isha në shtëpinë time. Unë kë duhet të bëj fajtor? Këta kanë parasysh rastin Dvorani ku MB u përjashtua nga dëmshpërblimi. Por Dvorani ka qenë punëtor ka patur kontratë me atë kompani. Unë kam qenë në shtëpinë time. Djali im u vra në shtëpi duke bërë detyrat dhe s’ka patur kontratë me askënd. Ministria e Mbrojtjes i dha urdhrat që dolën armatimet sheshit. Transporti bëhej me mjetet e ushtrisë. Unë nuk njoh askënd veç shtetit tim. Atyre të tjerëve t’ju kërkoj llogari shteti. Unë nuk kam punë. Shteti im ka për detyrë të më mbronte jo të më vriste djalin – thotë Zamira.

Megjithëse në të drejtën e saj të plotë, ajo thotë në një moment të intervistës në DITA që nuk ndihet mirë që po kërkon një dëmshpërblim.

“Sot në gjykatë shpërtheva në lot.. Sesi më duket që po kërkoj unë dëmshpërblim. Tërë botën të ma japësh nuk e dua. Por kjo është një gjë e imja.. Sepse nuk dua të fal. Djali im do ishte 15 vjeç sot. Asgjë tjetër nuk e mbush atë boshllëk…

 

***********

Intervista e plotë mund të lexohet tek DITA

Leave a Reply

%d bloggers like this: