Opinion

Barbaria e festës: Dolli me … plehra?!

ANDREA STEFANI

Mbeturina te liqeni artificialU bënë shumë vjet që pas kremtimit të asaj që quhet Dita e Verës, lëndinat e parkut në Liqenin Artificial të Tiranës i gjen të përmbytura nga mbeturina gjithfarë soj: letra, qese, gazeta, ambalazhe patatinash a kokoshkash të hedhura gjithandej. Ndodhi edhe këtë herë. Sipërane si dukuri, por shfaqje e një thelbi mjaft të thellë rezistent barbarie dhe mungese qytetërimi. Mund të tingëllojë e rëndë, por nuk gjej fjalë tjetër për të përkufizuar një masë njerëzish që, pasi festojnë e gëzohen, ngrenë dollira, largohen duke lënë pas një shesh të bërë përshesh me mbeturina. Nuk ka gjë më të thellë se ajo që duket në sipërfaqe – shkruan me mprehtësi Hegeli. Është një pohim që të bën të tmerrohesh kur mendon se çfarë thelbi barbarizmi masiv prezanton sipërfaqja e një orgjie të tillë hedhurinash si ajo që u shpalos para syve të mi edhe mëngjesin e 15 marsit në kodrat buzë liqenit të Tiranës. Aty fillon jo thjesht mungesa e respektit, por dhuna mbi rregullin dhe etikën qytetare. Te kjo barbari, në dukje aq e parëndësishme, e merr zanafillën dhunimi i mjedisit, rrafshimi i pyjeve, gërryerja e lumenjve. Dhe në përgjithësi, dhunimi i çdo rregulli etik apo ligji dhe, në fund të ditës, dhunimi i shtetit, i vetes sonë. Sepse shteti jemi Ne!

***

Sipërfaqja e një shoqërie të qytetëruar është pastërtia, rregulli, qetësia. Një shoqëri e prapambetur është e ndytë, e pisët, e rrëmujshme. Këtë e kish vënë re shekuj më parë edhe Pjetri i Madh, kur i zilepsur nga lagjet e pastra gjermane të Moskës, iu vu punës për të qytetëruar muzhikët që zdërhalleshin në baltën e Sheshit të Kuq. Sipërfaqja e Shqipërisë, e shoqërisë sonë, nuk flet aspak për mirë. Dhe nuk mund të pretendojmë se kemi një thelb të qytetëruar kur mjedisi ynë social denoncon rrënim, ndotje, erozion, zhurmë, braktisje. Pra, barbaria e festës së verës, ajo “ngrënie petllash dhe hedhje letrash” masive, është vetëm shfaqja, e përqendruar në kohë dhe hapësirë, e atij trajtimi barbar që u bëhet hapësirave publike nga jo pak shqiptarë sot. Janë aty edhe druvari dhe firma e eksportit të dërrasave që presin dru fshehtas, duke rrafshuar pyllin, edhe firma e betonit që gërryen lumenjtë pa e çarë kokën se po lehtëson përmbytjet, edhe komshiu që këmbëngul t’i hedhë plehrat nga dritarja në kokën apo dritaren e komshiut tjetër apo edhe pronari i lokalit që bën dafrunga me bokse deri në të gdhirë, duke lënë pa gjumë gjithë lagjen. Orgjia e plehrave, manifestuar çdo vit në Ditën e Verës te liqeni, është shfaqja e thelbit tonë si shoqëri ende e paqytetëruar, pa rregulla të gjithëpranuara, pa etikë qytetare. Ajo është shprehje e atij individualizmi të egër, barbar, që karakterizon jo pak shqiptarë sot. Një orgji feste që përfaqëson atë kërcim të ethshëm nga kolektivizmi i sforcuar, i imponuar për 45 vjet nga komunizmi, në individualizmin e skajshëm dhe kaotik që nuk do t’ia dijë për hapësirën publike, për atë që i bashkon individët në interesa dhe pa të cilën, shoqëria i afrohet, praktikisht, gjendjes së natyrës.

***

Mendoni për një moment, mijëra njerëz të mbledhur për të festuar që, familjarisht apo me miq e shokë, shpërndahen nëpër lëndina dhe pasi hanë e pinë, hedhin shishe, letra e peceta mu aty ku kanë ngrënë. E bëjnë këtë hapur, në sy të njëri-tjetrit. Të hash dhe pastaj ta flakësh letrën e byrekut e të mos të bëjë vërejtje askush? Një barbari që ka fituar të drejtën e “qytetarisë”. Babai nuk i thotë gjë fëmijës që flak lëkurat e portokallit mbi bar, sepse sapo hodhi vetë një qese. Dhe kështu vazhdon zinxhir kjo antiqytetari nga prindi te fëmija. Dhe largohen duke lënë pas mbeturinat ashtu si kafshët lënë pas të pëgërat. Po a i hedhin mbeturinat kështu në apartamentet apo oborret e shtëpive të tyre? Afërmendsh që jo. Po mos vallë ato janë hapësira publike, tokë e askujt ku mund të ndotësh sa të mundësh pa të hyrë gjemb në këmbë? Thënë këtë të fundit, vijmë te një aspekt që na zbulon barbaria e Festës së Verës: mungesën e ligjit dhe penalizimeve për këdo që shkel ligjin. Bashkia e Tiranës ka shpërndarë jo pak kosha mbeturinash nëpër park, por askush nga policia e saj nuk ndodhet aty pari për të gjobitur këdo që ndot mjedisin. Dhe veprimet e parregulluara e të egra të individëve e firmave, si dhe heshtja korruptive e institucioneve që duhet të zbatojnë ligje e rregulla, janë gishtat e asaj dore të padukshme që e ka shndërruar Shqipërinë në një vend me pyje të rrafshuara, me plazhe të ndotur nga ndërtime pa kriter, me qytete të pista gjithë mbeturina, baltë e pluhur, me lumenj që vërshojnë nga shtretërit e tyre të gërryer dhe me tokën që vidhiset gjithandej. Sepse është vidhisur ligji dhe qytetaria. Një qytetari që nuk u ka munguar më parë qyteteve edhe kur Shqipëria ka qenë edhe më e varfër. Që në nisje të shekullit të kaluar në shkollat fillore u mësohej nxënësve kjo vjershë:

Ja një plak u rr’zu përdhe,

Gjak po i del për balli,

Pse or Cen hudh pa vu re,

L’kura portokalli?

Është një vjershë që prindërit e sotëm nuk ua thonë më fëmijëve. Dhe as fëmijët prindërve që mjerisht kanë nevojë më shumë për të sesa djaloshi i pakujdesshëm Cen. Dhe ndaj ajo që sot rrëshqet mbi l’kura e hedhurina duke çarë ballin, është Shqipëria. Bashkë me të edhe të gjithë Ne, barbarët.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button