Bota

Kina kërkon të ndërmarrë reforma “të dhimbshme”

Jo rritje ekonomike me çdo kusht, por mbrojtje më e mirë e ambjentit dhe më shumë ekonomi tregu. Këto janë objektivat më të rëndësishme të qeverisë pas përfundimit të Kongresit Popullor Kombëtar.

Kongresi Popullor ne Kine

Linjat e mëdha të politikës kineze u bënë shumë të qarta në Kongresin Popullor Kombëtar, i cili përfundoi të dielën (15.03.2015): qeveria dëshiron ta hapë edhe më tej Kinën, ekonomikisht dhe në politikën financiare. “Ne nuk mund të lirojmë frenën e dorës dhe të vazhdojmë ta mbajmë të shtypur frenën e këmbës”, kritikoi kryeministri Li Keqiang në konferencën përmbyllëse të shtypit gjendjen e deritashme.

Synohet “frymë sipërmarrëse masive”

Më shumë treg dhe më shumë inovacion janë të dyja temat e mëdha të kongresit të këtij viti: “Tregu vendos a mbijeton apo jo një sipërmarrje,” tha Kryeministri Li në deklaratën e tij qeveritare. Reformat e ardhshme nuk janë si “prerje thonjsh, por sikur t’ia ngulësh thikën trupit tënd”, shtoi Li në konferencën e shtypit. Ai kërkoi që të veprohet me “shpirt masiv sipërmarrës”, në të cilin të gjithë të mund të tregojnë talentet e tyre. Veçanërisht të rinj në rajonet më të varfra do të kenë më shumë

shanse. Më pak kontroll ekonomik nga qeveria do të thotë rritje më e madhe ekonomike për Kinën. Megjithatë ekziston një presion për rënie në ekonominë kineze. “Vitet e fundit nuk na u desh ta stimulojnë kaq shumë ekonominë tonë”, tha Li duke pasur parasysh SHBA, Japoninë dhe Evropën, pa i përmendur këto shtete, “prandaj ne tani kemi hapësirë veprimi”. Veç kësaj shteti ka mbledhur rezerva të mëdha dhe numri i kredive të këqia, në krahasim me vendet e tjera është i vogël, tha ai.

E rëndësishme rritja e ndikimit ekonomik

Njëkohësisht do të zgjerohet rrjeti social, do të konsolidohet sistemi juridik. Dhe kryeministri Li do ta nxisë para së gjithash që të shënojë hapa përpara mbrojtjen e ambjentit. Kina nuk do të mbyllet në vetvete si iriqi, por të forcojë lidhjet ekonomike me botën. Investuesit ndërkombëtare do të marrin hapësirë më të gjerë veprimi në Kinë. Sipërmarrjet kineze do të investojnë më fort në botën e jashtme dhe do të mbështeten në këto veprime nga qeveria.

Qeveria vendosi një rritje të moderuar të buxhetit ushtarak, para së gjithash po ta krahasosh këtë me Indinë. Ushtria megjithatë nuk luan rol qendror në politikën e jashtme të qeverisë. Kina kërkon që në marrëveshje dhe në bashkëpunim të ngushtë me vendet e tjera të shtojë ndikimin e saj ekonomik: “Këtë nuk duhet ta gjykojmë me një mentalitet të prapambetur të luftës së ftohtë”, paralajmëroi Ministri i Jashtëm i Kinës, Wang Yi javën e kaluar.

Fushata antikorrupsion mbetet

Nuk bëhet fjalë për liri më të mëdha politike, megjithatë as për kufizim. Impulset më të reja, për t’i shtrënguar edhe më fort frerët vijnë nga partia. Për këtë temë me sa duket ka dallime të mëdha qendrimesh midis partisë dhe qeverisë, e edhe brenda qeverisë. Deri në fund u diskutua se në ç’formë duhet të përfshihej kjo pikë në deklaratën qeveritare. Propozimi i Ministrit të Arsimit, Yuan Guiren kundër përhapjes së vlerave perëndimore nuk arriti të dalë në deklaratën qeveritare. Një goditje e hidhur për ministrin.

Fushata antikorrupsion e Partisë Komuniste nga ana tjetër mbështetet plotësisht nga qeveria, por mbetet çështje e partisë. Në përgjithësi, politika qeveritare është në përputhje me “katër direktivat e gjera” të kryetarit të shtetit dhe të partisë, Xi Jipping: ndërtim i një shoqërie që rritet në mënyrë të moderuar, nxitje e reformave, rrënjosje e shtetit juridik dhe respektim i disiplinës së partisë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button