Bota

Gjermanët luftojnë për separatistët në Ukrainë

Në luftën në Ukrainën Lindore luftojnë sipas informacioneve më shumë se 100 gjermanë të rinj në anën e kryengritësve prorusë. Ukraina është e shqetësuar.

Separatiste proruse ne Debalceve

Te shumica e qytetarëve gjermanë që luftojnë në radhët e kryengritësve në Ukrainën Lindore bëhet fjalë për të ashtuquajtur gjermanë të Rusisë. Katër prej tyre kanë qenë ushtarë në ushtrinë gjermane, Bundeswehr, bën të ditur gazeta “Welt am Sonntag” duke iu referuar qarqeve të sigurisë.

Disa nga këta milicë me pasaportë gjermane, gazeta, sipas të dhënave të saj, ishte në gjendje që t’i identifikonte. Një gjermano-kazakas 33 vjeçar u vra në 12 shkurt në qytetin Debalcevo. Sipas shokëve të tij, ai u vra nga ciflat e një granate dhe u varros në 25 shkurt në Moskë, thuhet në një informacion të gazetës “Welt am Sonntag”.

Thirrje drejtuar Berlinit

Në palën ukrainase “turizmi i luftës” nga Gjermania vështrohet me shqetësim në rritje. Ambasadori i Ukrainës në Berlin, Andrij Melnyk, sipas të dhënave të tij i ka kërkuar qeverisë gjermane që të kujdeset që gjermanët të mos “shpërngulen edhe më tej në drejtim të Löindjes dhe të marrin pjesë në vrasje.” Për këtë qëllim ai kishte shkuar pak kohë më parë në Ministrinë e Brendshme Gjermane dhe në Ministrinë e Jashtme, i tha Melnyk gazetës.

Më tej, në informacionin e gazetës thuhet se Ministria Federale e Drejtësisë ka informuar pasi e kanë pyetur, se te Prokurori i Përgjithshëm në Karlsruhe “deri tani nuk ka të dhëna të sigurta se persona të larguar nga Gjermania janë bashkuar me grupime të armatosura në Ukrainë”.

Nga ana tjetër, një zëdhënës i Ministrisë së Brendshme tha se “Qeveria gjermane ka të dhëna për shtetas të veçantë, të cilët kanë qendruar në pjesë të Ukrainës Lindore, të cilat aktualisht nuk kontrollohen nga qeveria ukrainase.”

Angazhimi në luftë jo i ndëshkueshëm

Ndryshe nga islamistët gjermanë, të cilët janë bashkuar në Siri me “Shtetin Islamik”(IS), qytetarët gjermanë që luftojnë në Ukrainën Lindore nuk duhet të kenë frikë se mund të ndëshkohen. Eksperti për politikën e brendshme të Grupit Parlamentar të partive unioniste, Stephan May, i pyetur nga “Welt am Sonntag”, tha se kjo duhet të ndryshojë. “Kur gjermanët marrin pjesë në veprime luftarake, duhet të shqyrtësohet mundësia e penalizimit për shkak të krijimit të një organizate terroriste”, tha Mayer. Veç kësaj, deputeti i Bundestagut u shpreh që “të paktën personave me nënshtetësi të dyfishtë, në rast të pjesëmarrjes së tyre në një luftë civile, t’u hiqet nënshtetësia gjermane.”

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button