Home / Rajoni / Maqedonia / Mitingu i VMRO-së, analistët: Mbështetje e zbehtë për Gruevskin

Mitingu i VMRO-së, analistët: Mbështetje e zbehtë për Gruevskin

Mitingu i djeshëm partiak i VMRO DPMNE-së në sallën Boris Trajkovski, sipas analistëve nuk e përmbushi qëllimin për të cilin ishte organizuar, të tregonte se Gruevski ende gëzon mbështetje të fuqishme nga anëtarësia, pavarësisht materialeve të publikuara nga opozita. Atmosfera në të cilën kaloi tubimi, sipas Jove Kekenovskit dhe Petar Arsovskit tregoi se që nga fillimi i publikimit të bombave, VMRO DPMNE-ja nuk do të jetë asnjëherë më ajo që ishte.

“Qëllimi i mitingut të VMRO DPMNE-së dje ishte të tregonte se partia është ende e fortë, se ka përkrahjen e opinionit, se është e fuqishme, unike e kështu me radhë… Mendoj se ishte lëvizje e detyruar. Strategjia fillestare e VMRO DPMNE-së ishte që ta kapërcejë krizën në bunker. Por, është e qartë se duhet të punojë për besueshmërinë e saj në terren, sepse megjithatë kriza politike u përshkallëzua”, tha Petar Arsovski, analist.

“Por ju i keni parë personat që ishin të pranishëm, ne e dimë se si janë sjellë ata. Po të kishit parë shumicën prej tyre, do të shihnit se fytyrat i kishin të varura, nuk ishte ajo eufori sikur në mitingjet e mëparshme sepse e kanë të qartë se përse janë të thirrur dhe mënyra se si janë thirrur. Ishin anemikë, nuk kishin eufori, nuk kishte duartrokitje të mëdha, dhe e pamë se si mbaroi i gjithë ai miting. Ende pa mbaruar fjalimi, një pjesë e madhe e njerëzve të pranishëm e lëshuan sallën”, theksoi Jove Kekenovski, Forumi i patriotëve.

Sipas analistëve, përgjigjja fillestare e Gruevskit ndaj kërkesave të LSDM-së gjatë tubimit të djeshëm, janë matje pulsi dhe as afër qëndrimit përfundimtar të VMRO DPMNE-së. Sipas Petar Arsovskit, kriza politike është ende në zhvillim dhe ashtu siç do t’i afrohet kulmimit, do të zbuten edhe pozicionet e Gruevskit. Kekenovski nga ana tjetër thotë se pavarësisht qëndrimeve të Gruevskit lidhur me zgjedhjet e parakohshme, nuk mund të presim zgjedhje pa u realizuar fillimisht procese të tjera të rëndësishme si regjistrimi dhe pastrimi i listës zgjedhore.

“Mendoj se këto qëndrime që i dëgjojmë tani nuk duhet t’i marrim si përfundimtare. Ashtu si do të zhvillohet kriza, të dy partitë duhet t’i shqyrtojnë sërish qëndrimet e tyre dhe në tentativë që të rivendosin dialogun politik dhe të gjendet kompromis për dalje nga kriza, pres që të heqin dorë nga një pjesë e këtyre qëndrimeve”, u shpreh
Petar Arsovski, analist.

“Nuk duhet të ketë zgjedhje në një periudhë të afërt për shkak se duhet të pastrojmë listën zgjedhore, për të pastruar listën zgjedhore duhet të kemi regjistrim të popullsisë sepse kështu do t’i bie sikur kemi më shumë votues se sa qytetarë në Maqedoni. Mendoj se asnjë subjekt serioz politik në Maqedoni tani nuk mendon për zgjedhje të parakohshme parlamentare”, deklaroi Jove Kekenovski, Forumi i patriotëve.

Analistët vlerësojnë se kriza politike nuk është as afër zgjidhjes, përkundrazi, është në fillimin e saj. Ata presin komplikim të mëtejshëm të krizës, pasi të fillojë publikimi i materialeve edhe më të rënda nga opozita. Këto zhvillime sipas tyre do të detyrojnë përfshirjen serioze të faktorit ndërkombëtar.

Leave a Reply

Your email address will not be published.